ANALIZA: Punësimet sezonale jashtë vendit kanë sjellë “kokëdhimbje” për biznesin në RMV (infografik)

Sektori i hotelerisë dhe shërbimeve të ushqimit, transporti dhe veprimtaritë e tjera të shërbimeve, ndërtimtaria – këta janë sektorët që ofrojnë numrin më të madh të vendeve të lira të punës. Përderisa statistikat zyrtare regjistrojnë rritje të punësimit dhe ulje të papunësisë gjatë këtij viti ekonomik, ekspertët komentojnë se tregu i punës po bën lidhjen e ofertës së punës me kërkesën dhe në përputhje me shkathtësitë e punës. Megjithatë, për shkak të stinës së verës dhe të punësimit sezonal jashtë vendit, këtë vit në sektorë të veçantë kishte mungesë të rëndësishme të fuqisë punëtore, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Kërkohen banakierë, shitës, ndërtues, kamerierë…

“Situata me mungesën e punëtorëve në biznesin e hotelerisë këtë verë ishte shumë e theksuar. Do të punësojmë një punëtor fillestar, do ta trajnojmë atë me javë të tëra, do ta paguajmë rregullisht dhe në fund jep dorëheqje dhe thotë se do të shkojë jashtë vendit”- komentoi një menaxher i një objekti të hotelerisë në qendër të Shkupit. Ai sqaron se kamerierët, kuzhinierët, banakierët, pastruesit, rregulluesit e dhomave, vështirë gjinden këtë vit sepse këto profesione janë shumë të kërkuara në rajon, veçanërisht në Greqi, Kroaci, Bullgari, Mali të Zi.

Të dhënat nga Agjencia e Shërbimit të Punësimit tregojnë gjithashtu se sektori i hotelerisë dhe shërbimeve këtë vit janë në kërkim të stafit këtë vit. Kështu, në sektorin e “lehtësirave akomoduese dhe aktiviteteve të shërbimit të ushqimit” u raportuan 481 vende pune. Sipas numrit të vendeve të punës shumë lartë janë renditur tregtia, ndërtimi, transporti, industria e përpunimit.

Më pak vende të lira të punës janë në sektorin e furnizimit me energji elektrike, pasuri të paluajtshme, furnizim me ujë dhe në sektorin financiar dhe të sigurimeve, të cilët renditet më latë për nga paga mesatare në krahasim me aktivitetet e tjera, në këto sektorë janë regjistruar rreth 50 vende të lira pune. Në nivel shtetëror, në fund të korrikut numri i vendeve të lira të punës ndryshonte nga rreth 6 800 në 7 800.

“E analizuar mbi një bazë më afatgjatë, shkalla e vendeve të lira të punës është relativisht e qëndrueshme, e cila në kontekstin e një ulje të vazhdueshme të shkallës së papunësisë tregon një përmirësim të mundshëm në procesin e lidhjes së ofertës me kërkesën për shkathtësi në tregun e punës. Zhvillimet në anën e furnizimit të punës janë gjithashtu të favorshme, kështu që tendenca e rritjes e vërejtur që nga tremujori i fundit i 2016 vazhdoi edhe në tremujorin e parë. Rritja më e fortë e kërkesës në krahasim me ofertën e punës në tremujorin e parë të vitit 2019 çoi në një rënie të mëtejshme të papunësisë ”- theksohet në raportin e fundit të Bankës Nacionale kushtuar lëvizjeve ekonomike në vend, ku tregohet sipas veprimtarive për nivelin më të lartë të vendeve të lira janë regjistruar në veprimtarinë e “akomodimit dhe shërbimeve ushqimore” (2.7%), “shërbimet administrative dhe mbështetëse” (2.6%) dhe në aktivitetin “transport dhe magazinim” (2.5%).

Sipas numrit të vendeve të lira të punës sipas qyteteve, Shkupi është i pari me 3.500 vende të lira pune, i ndjekur nga Tetova me 531, Shtipi 375, Koçani 313, Manastiri 283, Vinica 259, Strumica 249, Kumanova 193, Gjevgjelia 145, Ohri 144, Struga 124, Gostivari 43 etj., kurse në Krushevë përsëri nuk është regjistruar asnjë vend i lirë  .

Analizuar sipas profesioneve, më të kërkuarit janë shitësit, pastruesit, rrobaqepësit dhe programuesit.

Përderisa disa sektorë dhe profesione po përballen me mungesa të punës, Agjencia e Punësimit në fund të korrikut të këtij viti regjistroi 189 506 persona të papunë, nga të cilët 101 658 janë punëkërkues aktivë. Sipas numrit të të papunëve në radhë të parë, renditet Shkupi me 17 834 të papunë, Kumanova me 11 853 dhe Tetova me 12 196 të papunë. Sipas nivelit të arsimit, në qershor kishte 21 doktorë shkencash të papunë, 719 magjistra dhe 9 567 me diplomë universiteti. Nga numri i përgjithshëm i të papunëve të regjistruar zyrtarisht, 52,795 janë pa arsim ose vetëm me arsim fillor.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.