ANALIZA: Edhe punësimet në sektorin privat në Maqedoni varen nga pushteti?!

Foto: E marrë nga ueb faqja e qeverisë së RM-së.

Точно е дека владините мерки за стимулирање на нови вработувања во приватниот сектор, преку даночни ослободувања, придонесоа за раст на вработеноста, но исто така е вистина дека на ваков начин се создава лажна слика за реалните состојби на пазарот на труд, заедно со прашањето колку се одржливи новоотворените работни места, коментираат дел од економистите за неделната економска анализа на Portalb.mk.

 

Është e vërtetë se masat qeveritare për stimulimin e punësimeve të reja në sektorin privat, nëpërmjet lirimeve tatimore, kontribuan për rritjen e punësimit, mirëpo po ashtu është e vërtetë se në këtë mënyrë krijohet fotografi e rrejshme për gjendjet reale në tregun e punës, së bashku me atë se sa të qëndrueshme janë vendet e reja të hapura të punës, komentojnë një pjesë e ekonomistëve për Portalb.mk.

Shkruan: Aneta Dodevska

Qeveria e miratoi Planin e ri operativ për punësim në vitin 2017 me vlerë prej mbi 14 milionë eurosh, shumë e cila është më e larta deri tani. Ky koncept i intervenimit të drejtë shtetëror u theksua edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore.

A kemi pasqyrë të vërtetë për fuqinë e firmave?       

Për hapjen e vendeve të reja të punës nëpërmjet lirimeve tatimore dhe llojit tjetër të beneficioneve, këtë vit qeveria ndau 14,2 milionë euro – para të cilat nëpërmjet Planit operativ për punësim për vitin 2017 duhet të nxisin hapje të mijëra vendeve të reja të punës, që duhet të ndikojë në zvogëlimin e përqindjes së papunësisë.

Me realizimin e këtij Plani operativ presim hapje të rreth 10.000 vendeve të reja të punës, së bashku me “Maqedonia punëson 2”, me çka dukshëm do të kontribuohet për zvogëlimin e papunësisë, e cila në vitin e ardhshëm planifikojmë të jetë nën 22, ndërsa deri në vitin 2020 të zvogëlohet në 17 deri në 18 për qind – deklaroi në promovimin e Planit të ri operativ zëvendës-kryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski.

Me planin e ri për intervenim të drejtpërdrejtë shtetëror në sektorin privat, praktikisht vazhdohen politikat e deritanishme për ndikim mbi ekonominë me paratë buxhetore, gjegjësisht me shpenzime shtetërore. Një pjesë e ekonomistëve thonë se këto masa dhe politika në praktikë e rrisin nivelin e punësimit, mirëpo përkujtojnë në raportin e paradokohshëm të Bankës Botërore ku ishte theksuar se madje nëntë nga dhjetë punësime në sektorin privat mbështeten nga shteti.

Suksesi i deritanishëm qeveritar në fushën e punësimit, mirëpo edhe planet për zvogëlimin e papunësisë në të ardhmen, kryesisht mbështeten në politikën për stimulimin e punësimit në sektorin privat. Bëhet fjalë për vazhdimin e masës për lirim nga pagimi i tatimit personal për të hyrat dhe/ose i kontributeve nga rroga për punësimet e reja në përputhje me dispozitat e Ligjit për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë. Këto lirime, e zvogëlojnë çmimin e fuqisë punëtore për pothuajse gjysmën e vlerës së çmimit të tregut, duke krijuar kushte në këtë mënyrë që kompanitë të vazhdojnë të jenë profitabile edhe në kushte kur ka rritje të numrit të të punësuarve. Konstatimi i paradokohshëm i zyrës rezidente të Bankës Botërore se pothuajse 9 prej 10 punësimeve të reja bazohen në stimulime fiskale, e devalvon suksesin e politikave qeveritare në këtë sferë, duke e dëshmuar në të njëjtën kohë pamundësinë e sektorit privat që ta absorbojë tepricën e ofertës së fuqisë punëtore – vlerëson për Portalb.mk ekonomisti Pavle Gacov.

Në lidhje me Planin e ri operativ reagoi edhe LSDM-ja, e cila thotë se qytetarët deri tani mjaft i kanë parë “efektet” e politikave të pushtetit aktual.

Me këto “plane operative”, pushteti kriminal arriti që në llogaritë e tyre jashtë vendit të nxjerrë mbi 5 miliardë euro para të qytetarëve. Ndërsa i lanë mbi 500.000 qytetarë nën pragun e varfërisë. Dhe i shpërngulën mbi 626.312 qytetarë jashtë Maqedonisë. Një “masë operative” tjetër e padëshiruar është edhe operacioni masiv i fshirjes së të papunësuarve nga Agjencia për punësim. Koha e Gruevskit dhe e bashkëpunëtorëve të tij, sikurse Peshevski përfundoi, thekson LSDM-ja.

Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja nga viti 2007 miraton dhe realizon një plan të veçantë operativ për punësim. Nëpërmjet tij ofrohen masa, kryesisht në formë të lehtësimeve tatimore, mirëpo edhe si grante të drejtpërdrejta, për hapjen e vendeve të reja të punës. Caku kryesor janë të rinjtë e papunësuar të cilët janë të regjistruar si kërkues aktivë të punës. Sipas ekonomistëve, intervenimi i këtillë i drejtpërdrejtë shtetëror e shtrembëron fotografinë e vërtetë për gjendjen në të cilën gjendet sektori privat.

Pa këto politika qeveritare, rritja e punësimit në sektorin privat do të përjetojë kolaps, e nëse merret parasysh se edhe punësimet në zonat e lira ekonomike bazohen në njëfarë forme të stimulimit fiskal, në pah del kondicioni shterp i sektorit privat, i cili mezi mund ta absorbojë 1/10 e punëtorëve të rinj, pa shfrytëzuar infuzion fiskal. Megjithatë, në këtë moment masat e punësimit të mbështetur nga shteti duhet të vazhdojnë, duke e rritur kontrollin për plotësimin e kushteve ligjore. Të eliminohen të gjitha dukuritë e çlajmërimit nga puna me qëllim të lajmërimit për gjoja punësim të ri të subvencionuar – thotë për Portalb.mk  ekonomisti Gacov.

Ai shton se ka dëme edhe mbi sektorin privat i cili në mënyrën e vet  bëhet më pasiv

Dëmi nga keqpërdorimet e këtilla është i dyfishtë. Politikat aktive për stimulimin e punësimit e pasivizojnë sektorin privat dhe japin një pasqyrë të rrejshme për sukseset e mëdha qeveritare në politikën e punësimit, e cila do të qartësohet pas kalimit të të gjitha afateve për shfrytëzimin e injeksioneve fiskale dhe mbajtjes së detyrueshme në punë të të punësuarve të rinj me çdo kusht sipas kësaj baze. Këto politika janë të pranueshme në afat të shkurtë dhe të mesëm, mirëpo në afat të gjatë e pasivizojnë ekonominë dhe krijojnë deficite.

Me Planin operativ, janë paraparë 22 programe dhe masa për punësim, ndërsa është planifikuar të vazhdojë realizimi i Programit për vetëpunësim në rreth 1.000 mikrokompani të reja.

Sipas disa vlerësimeve të institucioneve kompetente, vdekshmëria e bizneseve të reja të vogla të hapura me para shtetërore rreth 10 për qind.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.