Nuk është konfirmuar që koronavirusi është më i rrezikshëm për burrat tullacë
[Recension: Burrat tullacë janë të ekspozuar ndaj RREZIKUT MË TË MADH NGA KORONAVIRUSI]
Një artikull senzacionalist që pretendon se burrat që i humbasin flokët janë në rrezik më të madh nga koronavirusi. Që në titull, i cili është shkruar qëllimisht me shkronja të mëdha në pjesën e dytë, për të tërhequr vëmendjen, pretendohet kategorikisht se virusi korona është i rrezikshëm për burrat tullacë. Mirëpo, teksti nuk jep asnjë provë për ta mbështetur këtë.
Linku deri te artikulli origjinal: Burrat tullacë janë të ekspozuar ndaj RREZIKUT MË TË MADH NGA KORONAVIRUSI
Data dhe koha e publikimit: 9.6.2020
Data e recensionit: 14.6.2020
Recenzues: Simona Atanasova
Me shprehje të tilla si “thonë shkencëtarët”, “ekspertë besojnë”, “grup shkencëtarësh”, “sipas mjekëve”, artikulli përpiqet të tingëllojë i besueshëm, por nuk ka të dhëna se kush janë ata shkencëtarë, ekspertë dhe mjekë dhe ku e thonë atë që është shkruar.
Nuk janë theksuar dhe nuk janë dhënë linke nga hulumtimet që janë bërë në këtë temë, e as nuk ka ndonjë të dhëna nëse këto hulumtime janë zyrtare apo paraprake, të cilat ende nuk janë dëshmuar.
Si burim i vetëm anonim është theksuar Karlos Vembiner, profesor në Universitetin “Brown” në Shtetet e Bashkuara, por asgjë më shumë nuk është thënë në lidhje me hulumtimet e tij. Nuk është ofruar asnjë informacion shtesë që do të ndihmojë për t’i kuptuar gjetjet e fituara, e as që ka ndonjë informacion në lidhje me këtë profesor, në kuptim të asaj se a është i autorizuar dhe a i ka kualifikimet e nevojshme për të pohuar një gjë të tillë.
Në postimet e mediave botërore në këtë temë, theksohet qartë se hulumtimi është paraprak dhe se hulumtimi nuk e ka marrë parasysh moshën, e cila është një faktor rreziku për humbjen e flokëve, por është gjithashtu një faktor rreziku për formën e rëndë të Kovid-19.
Kur transmetohet një informacion nga disa hulumtime fillestare, kjo duhet të theksohet qartë dhe në mënyrë të padyshimtë në tekst, e jo të manipulohet publiku dhe ky informacion të ofrohet si përfundimtar, i saktë dhe i konfirmuar. Kjo shkakton panik të panevojshëm te njerëzit që përballen me këtë problem, gjegjësisht me humbjen e flokëve dhe relaksim të mundshëm tek ata që nuk kanë një problem të tillë.
Ky artikull është pjesë e raportimit special të “Krithink”-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari