2 Prilli – Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve shënohet përmes përpjekjeve për të hedhur dritë mbi luftën në Ukrainë

Për herë të parë në historinë e luftërave njerëzore, lufta në Ukrainë po zhvillohet nën syrin vigjilent të një komuniteti ndërkombëtar të organizuar të verifikuesve të fakteve, misioni kryesor i të cilit këtë herë është që e vërteta të mos jetë viktima e parë në momentin që plumbat fillojnë të fluturojnë.

Edhe këtë vit, komuniteti global për verifikimin e fakteve, i mbledhur në kuadër të Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve (IFCN), i cili tashmë përfshinë organizata nga mbi 100 vende të botës, feston 2 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve.

Por ndryshe nga të gjitha vitet e mëparshme, këtë herë manifestimi zhvillohet nën hijen e luftës në Ukrainë, konflikti më i madh ushtarak në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore, i cili në kohëzgjatjen e tij gjashtë javore mori mijëra jetë nga të dyja palët dhe shpërnguli 4 milionë njerëz nga Ukraina.

Kjo luftë thuhet të jetë më e pasqyruara në media deri tani, në të cilën sigurisht rol të madh luan përfshirja e rrjeteve sociale, por nga ana tjetër po zhvillohet edhe nën syrin vigjilent të një rrjeti të zgjeruar të kontrolluesve të fakteve nga Ukraina, nga kontinenti evropian dhe nga e gjithë bota.

Në krijimin e #UkraineFacts, kontrolluesit e fakteve përdorën përvojën e fituar në fillim të pandemisë Kovid, kur filloi iniciativa #CoronaVirusFactsAlliance, nëpërmjet të cilës informuan komunitetin ndërkombëtar për një sërë dezinformatash, me të vetmin qëllim për të mbrojtur shëndetin publik në vendet e tyre, por edhe globalisht, sidomos në javët dhe muajt e parë të pandemisë, kur dezinformatat përhapën frikë, panik, pasiguri, zemërim, por edhe gënjeshtra të rrezikshme, të cilat nganjëherë kushtuan edhe jetë njerëzish.

Vërtetmatësi si anëtar i IFCN-së, së bashku me mediumet simotra në kuadër të Fondacionit Metamorphosis – Agjencinë Meta dhe Portalb (që së fundmi festoi 10 vjetorin e krijimit), marrin pjesë plotësisht në të gjitha këto nisma ndërkombëtare, duke punuar me këmbëngulje për të promovuar faktet , për të zbuluar dezinformatat, ekspozuar teoritë  konspirative dhe mashtrimet, si në mediume ashtu edhe në rrjetet sociale. Vetëm në gjashtë javët e para që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Vërtetmatësi ka publikuar tashmë pothuajse 50 zbulime të dezinformatave të ndryshme në lidhje me konfliktin e armatosur.

Gjatë javës së ardhshme, verifikuesit e fakteve të Fondacionit Metamorfozis në mediat sociale, përmes videove të tyre personale, do të shënojnë 2 Prillin, por globalisht ju mund t’i bashkoheni internet paneleve të IFCN-së duke u regjistruar këtu, të cilat do të mbahen gjithashtu javën e ardhshme dhe do të diskutojnë tema të ndryshme me interes për kontrolluesit e fakteve.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.