Taravari: Premtimet për Gostivarin do të realizohen edhe përkundër borxhit 10 milion euro (Intervistë-VIDEO)

Në një intervistë të Portalb.mk me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ai ka folur gjërë për tentimet e tij për depolitizimin në arsim, një nga premtimet e tij më të zëshme gjatë fushatës për kryetar të Gostivarit. Ai tregon sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet për t’i përmbushur premtimet e dhëna siç janë: ndërtimi i çerdheve, uji i pijshëm në Gostivar, qentë endacak, ulja e borxhit që arrin 10 milion euro, tregu i gjelbër, etj…

 

Në një intervistë të Portalb.mk me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ai ka folur gjërë për tentimet e tij për depolitizimin në arsim, një nga premtimet e tij më të zëshme gjatë fushatës për kryetar të Gostivarit. Ai tregon sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet për t’i përmbushur premtimet e dhëna siç janë: ndërtimi i çerdheve, uji i pijshëm në Gostivar, qentë endacak, ulja e borxhit që arrin 10 milion euro, tregu i gjelbër, etj…

Portalb.mk dhe Vërtetëmatës.mk kanë kontrolluar si shkon realizimi i premtimeve të dhëna në debatin #Debatpernime dhe #Jeta në Maqedoni por edhe ato të dhëna gjatë fushatës.

Intervista e plotë:

Çështja më aktuale dhe premtimi juaj i parë: Depolitizimi i arsimit: Pse jua mori kompetencat për shkarkim të drejtorëve të shkollave të mesme dhe fillore Ministria e Arsimit dhe Shkencës?

Pas një muaj që mora mandatin dërguam revizion nëpër shkolla në Gostivar, gjithandej dihej se shumica e punonjësve kanë qenë aktivist partiak. Drejtorët e shkollave kanë ndenjur në shtabe partiake dhe e kanë humbur kredibilitetin. Un isha në disa shkolla, bisedova me punonjësit, prej çdo shkollë mora nga dy/tre emra nga to si dhe në bazë të vlerësimeve tona, i kemi emëruar drejtorët vetëm në disa shkolla. Mbi gjysmën që i emëruam unë nuk i njoh por në bazë të propozimeve të punësuarve në shkolla kemi vendosur të zgjedhim personin më të preferuar për udhëheqje në atë shkollë.
Goditjen e parë e mora nga vet anëtaret e partisë që isha kandidat, Aleanca për Shqiptare që thanë se ata më kanë siguruar vota, por ju thash që kur bëhet fjalë për arsimin duhet të zgjidhen njerëz me kredibilitet që sadopak janë të depolitizuar, të pastër, që i përkrah dhe kolektivi. Më pas u mbaruan kontratat e mësimdhënësve dhe nga 154 mësimdhënës vetëm 35 nga to i ndryshuam në fund të gjysmë-vjetorit sepse mendonim se nuk janë adekuat për atë lëndë ose në konkurs janë paraqitur persona më kompetent se ato. Me këtë kishte edhe të pakënaqur dhe prej atyre që reaguan, por në përgjithësi ky ndryshim u pranua mirë.
Në fund të janarit ndodhi skandali më i madh kur Ministrja e Arsimit, na mori ingerencat dhe zgjodhi për ne “drejtorëve të dhunshëm” sepse në bazë të ligjeve kryetari së bashku me këshillat shkollor i zgjedh drejtorët. Ministria emëroi drejtorë që në 2012-tën janë zgjedhur pa asnjë konkurs dhe kriter veç me urdhër të ish kryetarit. Madje e kishte ai një status për drejtorët “Ku jeni o drejtora”.

Mendimi që mbisundon është se ju në fakt keni vazhduar me logjikën e njëjtë keni kopjuar metodën e mëhershme të ish kryetarit, duke ndërruar një kuadër partiak me tjetër?

Ka drejtorë që unë asnjëherë nuk i kam takuar, shembull i shkollës së Debreshit apo të shkollës Vëllazërim Bashkimi.

Nuk ka rëndësi a i takoni ju apo jo, me rëndësi është a janë apo jo kuadro partiake?

Të ishin kuadro partiake unë do i njihja. Të jemi realist, kemi drejtorë që kanë qenë aktivist të partisë tonë, por ata janë tre ose katër nga 12 drejtorët e ri. Ju asnjëherë nuk mund të depolitizoni arsimim 100%.

Pra, kur kërkuar votën u dashtë të thoni që do ta depolitizoni 70 % jo 100%…

Po nëse nëpër shkolla të propozojnë personin që është anëtar i partisë tonë, a duhet me çdo kusht që këtë anëtarë ta persekutojmë ti themi jo sepse ke qenë në parti?

Po atëherë cili është qëllimi i depolitizimit?

Qëllimi është që nga 16, 12 janë drejtorë të ri apolitik dhe 4 janë anëtarë të Aleancës për Shqiptarët.

Në bazë të vendimit të Inspektoratit, gjatë shkarkimit janë shkelur nenet 132, 133, 134…A nuk duhet të konsultohet këshilli i shkollave dhe jo gjysma siç keni bërë ju si dhe të pyetet inspektorati dhe më pas ju të shkarkoni drejtorët?

Inspektorati është i partizuar ndërsa edhe në këshillat e shkollave 80 – 90 % janë anëtarë të BDI-së, në komunë, në ministri si dhe në çdo institucion tjetër. Kjo është luftë të cilën ne e bëjmë çdo ditë për fat të keq. Është e pamundur të depolitizojmë të tërat por të nisim së paku gjysmën e tyre.

Cilët dispozita ligjore i kanë shkelur personat që ju i keni shkarkuar dhe më pas keni vendosur tjerë?

Asnjë dispozitë ligjore, ky është vendim politik. Edhe në komuna tjera ka ndodhur e njëjta, në Strugë, Ramiz Merko.

Flasim për këtë komunë, prandaj ekziston perceptimi se keni ndjekur logjikën e vjetër të ndërrimit të kuadrove

Nuk është logjikë e vjetër.

Por ju vetë thatë që z.Bejta ka bërë të njëjtën..

Të ishte ashtu unë të gjithë drejtorët do t’i vendosja anëtarë partiak. Unë vetëm katër të tillë kam vendosur. Nëse kjo s’është diçka pozitive atëherë nuk e di. Nëse krahasojmë me vendet tjera në Maqedoni, Gostivar ka më pak drejtorë partiak.

Në shtator ju kthehen ingerencat, çfarë mund të presim, do të ketë ndryshime sërish?

Drejtori i gjimnazit ka qenë gjashtë herë ka qenë ushtrues detyre ndërsa sipas ligjit mund të jetë vetëm dy herë. Duhet të respektohen ligjet dhe kjo më nuk mund të ndodhë. Gostivari është fenomen, kemi drejtor për Facebook. Ne të gjitha keqpërdorimet e drejtorëve i kemi dërguar te ministresha dhe ajo për fat të keq ka pranuar se është e detyruar që politikisht t’ia merr ingerencat vetëm komunës së Gostivarit dhe atyre opozitare.

Sa padi dhe kundër kujt keni ngritur deri më tani për keqpërdorimet në Komunën e Gostivarit si pjesë e fushatës: E vërteta për BDI-në?

Paditë penale janë duke u përgatit dhe kur do të dërgohen do t’ju lajmërojmë.

Na tregoni saktë me sa borxh e gjetët komunën e Gostivarit?

Vetëm komuna ka më shumë se 3 milion euro borxh ndërsa Ndërmarrja Publike Komunale ka 6 milion e gjysmë. Gjithsejtë ka borxh rreth 10 milion euro.

A keni strategji si do ta ulni borxhin?

Absolutisht. Ne kemi paguar një të pestën e borxhit që është në komunë afër 500 mijë euro. Kemi bllokime nga ndërmarrje të cilat fatkeqësisht janë të BDI-së…

Cilat janë ndërmarrjet e BDI-së?

Nuk dua të përmendi emra, janë ndërmarrje që komuna u ka pas borxh dhe me tendencë mundohen ta bllokojnë punën tonë përmes përmbaruesve, ata para 6 muajve nuk kërkonin borxhin.

Na tregoni me emra dhe mbiemra cilët janë ta dijë dhe opinioni atë që e dini ju, është më transparente të përmenden në këtë intervistë?

Informatat janë transparente dhe çdokush nëse e çel ueb faqen e komunës ose profilet në rrjetet sociale do të mund ti sheh, nuk fshehim asgjë….
Strategjia për ta ulur borxhin për 5-6 vjet: Zhvillojmë fushatë dhe më tej projekt me UNDP për ta bërë Gostivarin vend turistik për çiklizëm dhe ecje, ka ide për termocentrale për prodhim të energjisë, ato të jepen me koncesion për të marrë komuna një pjesë të parave jo si tash që nuk ka marrë asgjë. Planifikojmë edhe resurse tjera: të hapet bazen i hapur, të bëhen terrene sportive-rekreative, nga kjo komuna të fitoje para si dhe qendra sportive të ul borxhet sepse për t’u ndihmuar ua japim klubeve sportive pa para dhe kjo krijon borxhe vazhdimisht.

Thatë që do të ndërtohen katër çerdhe të reja, dy në qytet dhe dy në periferi për të qene gati në tetor 2018? Mos ishte premtim ambicioz?

Çerdhja në Çegran do të hapet në maj dhe do të jetë funksionale në shtator ndërsa tjetra është në qytet në çerdhen ekzistuese do të mbindërtohet.
Do të hapim qendrën për autizëm dhe një qendër për fëmijë me nevoja të posaçme në vjeshtë. Dy çerdhe do të nisin me punë në shtator.

Ju thatë katër çerdhe nisin me punë në tetor 2018, në emisionin Jeta në Maqedoni?

Atëherë, dy do ti realizojmë sivjet, dhe dy në vitin e ardhshëm.

Një nga prioritetet e juaja ishte rregullimi i deponisë së Rusinës?

Më shkurtë të përgjigjem: kryeministri i mori ingerencat për menaxhim të deponive regjionale dhe këtu më komuna nuk ka kompetenca.

Por u dëshmua se në fakt komunat nuk mund të menaxhojnë me mbeturinat prandaj u centralizua çështja, vet kryetarët e komunave kërkuan ndihmë nga qeveria..

Unë nuk kisha kërkuar nga Qeveria sepse e di që nuk do të zgjidhet. Asnjëherë problemet regjionale nuk mund ti zgjedhë Qeveria më mirë se vet regjioni. Shumë më mirë është që komunat e regjionit të Pollogut të zgjidhin problemin, të gjejmë investues.

Kishte iniciativa të tilla më herët, por kanë dështuar

Edhe tani ka të interesuar të investojnë në regjion, jo vetëm në Gostivar sepse nuk ju konvenon. Kishim biseda me disa kompani, kishim gati materialet për tenderim, në bisedim me komunat tjera, por erdhi urdhëri se më nuk kemi ingerenca.

Në emision si dhe premtimet e juaja thatë se top prioritet është Gostivari të ketë ujë të pijshëm ndërsa në 100 ditëshin thatë se në muajin prill do të fillojë me punë Stacioni për filtrimin e ujit. Pse s’ka filluar ende?

Thash që do ketë edhe matës së cilësisë së ajrit…

Po, dhe ajo u bë. Është një premtim i realizuar nga ju që në janar. Por, të kthehemi te uji.

Stacioni i filtrimit nuk është lëshuar sepse kishte dobësi të caktuara të trashëguara nga qeverisja e kaluar. Ajo është gati, shumë shpejtë do të lëshohet sa të konstatohen defektet, gjë që duhet të marrim leje nga Ministria e ambientit. Të mos thonë pastaj se e lëshova me kapacitet më të ulur. Është mëkat që të mbetet pa lëshuar në përdorim një gjë që është më e gatshme dhe janë investuar shumë para. Unë do ta lëshoj në përdorim.

Kur? Në maj, muajin tjetër?

Nuk shkon më shumë se 1 muaj apo 1 muaj e gjysmë, për tu lëshuar në përdorim.

Në emision thatë që top prioritet është të bëni ndërrimin e gypave të azbestit që janë helmues?

Kur do ta rregullojmë kanalizimin, sidomos në Banjicë të Epërme ku gjitha gypat janë të azbestit, do t’i ndryshojmë edhe gypat.

Na tregoni çfarë konkretisht mund të pritet për ujin përpos stacionit të filtrimit?

Nuk ka tjetër çfarë të punohet për ujin.

Do të ketë rezervuar të ri?

Tash për tash nuk kemi kapacitet sepse kushton. Më tutje po. Ky që është mbulon 80% të rrjetit. Është handikap i madh në Gostivar që pagesa e ujit dhe pastrimit bëhet në nivel shumë të vogël, vetëm 20%. Planifikojmë me fushatë të sensibilizojmë popullatën.

Mendoni se vetëm me fushatë do të keni sukses?

Do të mundohemi dhe kemi ide si ta bëjmë këtë fushatë që çdokush ta ndjejë se dhënia e parave për ujin dhe higjienën ju kthehet menjëherë qytetarëve.

Ndërrimi i gypave fillon prej në fshatra?

Prej në Bajnicë të Epërme. Në qytete ka gypa të azbestit, i dimë dhe vendet e sakta, nuk do ti ndryshojmë sivjet. Projekti i gazifikimit të Gostivarit duhet të bëhet vitin e ardhshëm, nëse gazi industrial mbërrin nga fillimi i vitit të ardhshëm, ne në pjesën e dytë të këtij viti duhet ta shpallim tenderin për krijimin e rrjetit brenda qytetit, mos bëjmë dy herë punë. Domethënë kur të vjen gazifikimi, për një ose të themi dy vjet, më pas do të ndryshojmë gypat që janë kancerogjen.

Në emisionin Jeta në Maqedoni thatë se do të gjejmë zgjidhje për problemin me qentë endacak dhe së është top prioritet: Pse nuk keni ndërtuar qendër menaxhimi ?

U tha se ka qendër por kjo qendër nuk ekziston. Jemi në komunikim me katër komuna të Pollogut: Zhelina, Bogovina, Vrapçishti dhe Gostivari për të ndërtuar një qendër të përbashkët. Ky do të jetë proces shumë i vështirtë sepse problemi qëndron në atë se qentë transportohen nga qytete të ndryshme..

Pse nuk merrni përgjegjësi apo detyrim të zbardhni këtë problem, kush ua sjell qentë?

Do ta zbardhim kur do kemi fakte. Kam angazhuar njerëz që do të fotografojnë kur i sjellin qentë dhe kur të kemi fakte do të kërkoj hetim.

Deri tani është folur pa fakte?

Nuk ka pasur asnjë fakt.

Atëherë është perceptim?!

Nuk është perceptim sepse numri i qenve… Ne i marrim i dërgojmë në Rusinë dhe sërish ato kthehen.
Kemi hapur tender së bashku me një OJQ që qentë të kastrohen dhe sterilizohet, ende nuk e dimë ku do të jetë vendi. Kur do e kemi qen të sterilizuar me shenja në vesh dhe të kastruar s’janë të rrezikshëm he mund të enden nëpër qytet. Do të testohen dhe do të bëhen analizat e gjakut nëse qentë kanë sëmundje virale dhe sëmundje të pashërueshme do ta përdorim edhe eutanazinë (vdekje).

Tregu i gjelbër: thatë se deri në tetor do të rregullohet, vlen ende ky premtim?

Jo sepse është pronë private e një njeriut.

Atëherë pse thatë se do të rregullohet?

Nuk e kam ditur se është pronë e njeriut. Por kemi bërë marrëveshje me të, nëse ai ndërton diçka aty, është i detyruar që kati i parë të jetë treg modern dhe nuk do të ketë leje nga komuna për ndërtim të ndonjë objekti nëse nuk e rregullon çështjen e tregut të gjelbër, të jetë si në qytetin e Tetovë.

Domethënë, qytetarët nuk do të kenë treg të rregulluar por kjo varet nga ajo çfarë do të vendosë pronari…

Pronari është i interesuar të ndërtojë, veç kemi biseduar por nuk mund t’ju them afat kohor kur do të ndodhë kjo.

Pse?

Sepse varet nga pronari që e posedon tokën.

Por ai apo ju ka treguar deri kur planifikon të ndërtojë…

Ai ka thënë se është i interesuar që aty në përdhese të ndërtohet tregu i gjelbër dhe mbi të, të ndërtohet objekti sipas planit urbanistik. Nuk mund të ndërtojë mbi pa mos e ndërtuar tregun e gjelbër siç duhet. Afat nuk do t’ju them por shpresoj do të realizohet në mandatin tim.

Konvikti është në gjendje të keqe, thatë se deri në tetor do të bëni sanimin e tij: deri më tani është ndërhyrë vetëm në një hapësire në tavan, pse?

Për pesë muaj kaq.

Vetëm një hapësirë?

Nuk është vetëm një por nuk është keq të jeni aty të shihni nuk është vetëm një hapësirë.

Ishim, vetëm një është, këtë e thonë edhe lajmet e juaja në uebfaqe…

S’është keq të jeni aty. Ta keni parasysh se do të ndërtohet në Bajnicë të Poshtme një internat i ri nga investues privat.

Kur?

Varet prej investuesit, nuk e di, për një ose dy vjet.

Po ky i vjetri?

Do të riparohet, do të investohet vazhdimisht. Kapacitetet financuese të Komunës me borxhin 10 milion euro janë aq.

Kur do të rregullohet përgjithmonë çatia e shkollës fillore “Goce Dellçev” sepse është rregulluar me një najlon si zgjidhje e përkohshme?

Atë e kanë bërë donatorë të ndryshëm, shumë më mirë është me najlon se sa të rrjedhë uji.
Ne e kemi bërë projektin dhe të gjitha që mund ti bëjë komuna kemi insistuar por ballafaqohemi me probleme si në krejt shtetin. Na kthejnë projektin, mungon pika dhe presja na thonë, ai projekt është përgatitur 10 herë. Në fund shkuan inxhinierët tonë dhe kërkuan të dimë ku është problemi, por s’kemi përgjigje ende.

A do të vazhdoni tu hapni telefonin gazetarëve dhe shoqërisë civile?

Absolutisht. Kemi një projekt që quhet “GV Raporto” dhe qytetarët përmes aplikacionit në telefon do të mund të raportojnë probleme, shembull kur ka gropa në rrugë, qytetari ka për detyrë të fotografojë.

Pse nuk i publikoni projektet dhe harxhimet për to, jo buxhetin si të tillë që e keni në ueb faqe por projektet veç e veç sa kushtojnë?

Çdo projekt e keni të qasshëm për qytetarët, nuk e di cilët nuk janë. Nëse e dini një, ma thoni.

Nuk i gjeta në uebsajt, nuk janë lehtë të gjenden, projektet e veçanta, p.sh çerdhja, rrugët, sa kushtojnë, kush i bën?

Kur hapni procedurë tenderiale nuk mundeni mos i bëni këto.

Po patjetër i keni procedurat tenderiale sepse shkojnë sipas sistemit elektronik, por e kam fjalën për publikim të përshkimit detal të projektit.

Si mendoni? Po ne projektet i kemi përditshmëri dhe i themi.

Në formë digjitale ti keni në uebfaqe

E bëjmë dhe këtë, nuk ka problem.

Thatë që do të bisedoni me banorët për rregullimin e bulevardit “Braqa Gjinovski”?

Jemi në takime dhe bisedime me qytetarët. Kemi dy shtëpi që mund të kemi problem real dhe do të mundohemi ta zgjidhim, kemi ide dhe si të bëhet, por vështirë për këtë mandat.

Kjo intervistë është realizuar dhe publikuar në Portalb.mk