Shkolla e mesme në Saraj ndërtohet dy vite pas tejkalimit të afatit

ARSYETIM:
Ndërtimin e një shkolle të mesme në Komunën e Sarajit, kandidati për kryetar të Komunës, Bekim Murati e kishte garantuar qysh në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Ai në fushatën e tij në Saraj, kishte premtuar që menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, do të vendoset gur-themeli i shkollës së mesme në Saraj. Deri më tani (04.04.2017) ky premtim është i plotësuar.

“Ëndrra e kamotshme e banorëve të Sarajit për të pasur një shkollë të mesme përfundimisht po bëhet realitet. Menjëherë pas përfundimit të këtij procesi zgjedhorë, do të vendohet edhe gur-themeli i shkollës së mesme në Saraj”. (burimi: Konventa zgjedhore e BDI-së- Saraj, 16.03.2013)

Bekim Murati fitoi besimin e qytetarëve të Sarajit, ndërsa gur-themeli nuk u vendos siç u premtua. Ashtu siç u njoftua nga mediat, pas shumë paralajmërimeve gur-themeli për ndërtimin e Shkollës së mesme në Saraj u vu më 13.07.2013. I pranishëm në përurimin e punimeve ishte zv/kryeministri Musa Xhaferi, Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati si dhe Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. Në këtë rast, zv/kryeministri Musa Xhaferi tha:

“Shpresoj dhe do të punojmë bashkë që vitin e ardhshëm mundësisht ky objekt të jetë funksional, që të mund nxënësit të gravitojnë nëpër shkolla të mesme”. (burimi: Alsat-M, 13.07.2013)
Shuma e përgjithshme investuese kap vlerën prej 40 milion denarëve, investim  i përbashkët i Ministrisë së Arsimit, Komunës së Sarajit dhe Qytetit të Shkupit, kishte theksuar Kryetari i Komunës  së Sarajit, Bekim Murati. (burimi: Alsat-M, 13.07.2013)

Përkundër deklaratës së këtillë të zv/kryeministrit Musa Xhaferi me 1 shtator 2014, në Saraj nuk kishte solemnitet- sepse shkolla nuk ishte ndërtuar. Më 04.04.2015, kryetarët e Komunës së Shkupit dhe asaj të Sarajit, Koce Trajanovski dhe Bekim Murati, si dhe ministri i atëhershëm i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, i mbikëqyrën punimet ndërtimore të shkollës së re në këtë komunë. Ademi deklaroi që “kompania e re realizuese ka afat prej 6 muajsh t’u mbaroj të gjithë aktivitetet ndërtimore, ai ndër të tjera tha:

Unë duhet të theksoj se marrëveshja me ndërmarrjen e mëparshme të ndërtimit është ndërprerë për shkak të mosrespektimit të afatit të ndërtimit, me ç’rast Ministria e Arsimit dhe Shkencës, shpalli thirrje të re publike dhe nënshkroi marrëveshje për realizimin e punëve ndërtimore”. (burimi: Alsat-M, 04.04.2015)
Në fund të vitit 2015, objekti i shkollës së mesme në Saraj iu afrua fazës përfundimtare, por jo edhe të jetë në gjendje për fillimin e procesit arsimorë.

“Kështu duket për momentin objekti i shkollës së mesme në Saraj – Shkup. Shumë shpejt do të mbushet me nxënës në drejtime profesionale dhe gjimnazist. Investim i përbashkët i MASH, komunës Sarajit dhe Qytetit të Shkupit”. (burimi: Aktuale.mk, 25.10.2015)
Ndërkaq, të gjitha punimet ndërtimore për shkollën e mesme të parë në Saraj arritën të përfundohen deri në fund të muajit qershor 2016. Ndërsa, hapja solemne e shkollës u bë më 1 shtator 2016, ku të pranishëm ishin kabineti qeveritarë i BDI-së, deputet, drejtor etj.

“Për momentin shkolla e mesme e ka emrin Shkolla e mesme Saraj. Pastaj kuptohet që përmes procedurave ligjore, nëse ka iniciativë nga Këshilli i shkollës apo i prindërve, emri mund edhe të ndryshohet”. (burimi: Alsat-M, 01.09.2016)
Gur-themeli për ndërtimin e shkollës së mesme në Saraj ishte hedhur qysh në muajin korrik të vitit 2013. Edhe pse ishte paralajmëruar se godina do të përmbyll punimet në vitin 2014, kjo nuk ndodhi për shkak të problemeve me firmën ndërtuese. Objekti pati një vonesë të madhe në realizim, megjithatë sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, këtë premtim të Kryetarit të Komunës së Sarajit, Bekim Muratit, deri më tani (04.04.2017) e vlerësojmë si i plotësuar. 

BURIME:

Vlerësoi: Rabie Abazi

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.