Qeveria e Gruevskit ka harxhuar së paku 19 milionë euro për libra të papërdorshëm (PJESA I)

 

Mijëra libra të përkthyera keq nga projekti pompoz i ish Qeverisë së Gruevskit “1.050 libra” janë duke u kalbur nëpër magazina me lagështi. 19 milion euro kanë përfunduar në bodrumet e errëta të Shkupit dhe Gostivarit. Portalb.mk ka hyrë në hapësirat e mykura, me pluhur të mbushura me libra të përkthyera keq për te cilat askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësi dhe nuk ka ide çfarë të bëjë.

 

770 tituj janë botuar në tirazh prej 1000 kopjeve (770.000 libra) dhe së paku 19 milionë euro janë harxhuar përmes projektit një-dekadësh “Përkthimi i 1050 librave dhe titujve shkencorë nga universitetet prestigjioze në SHBA dhe Angli” të realizuar nga Qeveria e Maqedonisë gjatë periudhës kohore 2008 – 2017, tregon hulumtimi i redaksisë së Portalb.mk.

Edhe pse qëllimi i projektit ishte studentët e Maqedonisë ta përdorin këtë literaturë, ai u huq me apo pa qëllim – shumica e librave janë të papërdorshëm shkaku i përkthimit të keq dhe gabimeve të shumta.

Dhjetëra mijëra libra qëndrojnë në magazinën e papastër me lagështi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Gostivar ndërsa mijëra të tjerë në kushte të njëjta në magazinat e Ministrisë së Kulturës në Shkup. Qindra titujve të tjerë nuk u dihet nami dhe nishani, nuk dihet çfarë është publikuar sepse nuk ka dokumentacion adekuat.

Gjithashtu, ekziston dyshimi se ka shkelje të shumta të ligjit për furnizime publike.
Tenderë kanë fituar edhe kompanitë që janë donatorë partiak. Portalb.mk zbuloi se fillimisht është planifikuar vetëm një fazë për përkthimin e 500 titujve, por si kanë kaluar vitet, ashtu edhe është rritur numri i titujve për përkthim.

Projekti, i cili dhe është emërtuar ndryshe përgjatë viteve, ka kaluar nëpër tre faza:

  • Faza e parë: kushton rreth 323.167.240 denarë (5.254.752 euro) , shuma mund të jetë më e madhe sepse mungon dokumentacioni tenderial për 280.000 libra
  • Faza e dytë: 678.411.405 denarë (10.984.656 euro)
  • Faza e tretë: 182.500.000 denarë (2.954.991 euro)
  • Gjithsejt tre faza: 1.184.078.640 denarë ose 19,172,284.89 euro 

FAZA E PARË – Shumë ministri, mungojnë dokumentet e tenderëve

Siç mëson Portalb.mk, projekti ka nisur në vitin 2008 dhe Sekretariati për Çështje Evropiane në krye me Ivica Bocevskin (tani ambasador në Brazil) e ka koordinuar të njëjtin. Sipas planit të Bocevskit, është dashur që 16 ministri të realizojnë procedura tenderuese. Por, edhe pse kërkuam nga të gjithë, dokumente tenderiale morëm vetëm nga 6 ministri.

Plani ka qenë të përkthehen dhe botohen 500 tituj në 1000 kopje, gjithsej 500.000 libra, por deri më tani, dokumente ekzistojnë vetëm për 220.000 libra të botuara nga kjo fazë. Askush nga Sekretariati, Qeveria dhe ministritë, edhe pse i kemi kontaktuar disa herë, nuk ka informatë çfarë ka ndodhur me 280 titujt që kanë qenë të planifikuara të botohen.

Në pyetjet tona pse janë botuar 220 dhe jo 500 tituj, a është realizuar procedurë tenderiale, a janë harxhuar para, na janë përgjigjur vetëm se “nuk kanë dokumente” dhe se “nuk mbajnë evidencë”. Nga Biroja për Furnizime Publike gjithashtu na thanë se nuk kanë informata në sistemin e tyre për tenderë të tillë në atë kohë.

 

 

Përmes kërkesës tonë duke përdorur Ligjin për Qasje të Lirë ndaj Informatave, në të cilën u përgjigjën pozitivisht 6 institucione, Portalb.mk mëson se vetëm për 220 tituj (nga gjithsej 500) janë harxhuar 323.167.240 denarë ose 5.254.752 euro.

Titulli më i shtrenjtë është financuar nga MASH me 2.625.165 denarë ndërsa ai më i liri nga Ministria e Ekologjisë (e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor) me 495.705 denarë.

FAZA E DYTË DHE E TRETË: Qeveria porositëse, MASH zbatuese

Sipas dokumenteve të siguruara nga Portalb.mk, faza e dytë e projektit qeveritar “Përkthimi i 1050 librave dhe titujve shkencorë nga universitetet prestigjioze në SHBA dhe Angli” ka nisur në vitin 2009 dhe është realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kjo fazë ka përfshirë dy procedura tenderuese njëra në vitin 2009 dhe tjetra në vitin 2010. Janë përkthyer dhe botuar 500 tituj në 1.000 kopje, gjithsejtë 500.000 libra.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka harxhuar rreth 700 milionë denarë për dy tenderët, konkretisht 673.905.398 denarë.

Edhe pse me numër më të vogël titujsh, krahasuar me fazat paraprake, faza e tretë ka kushtuar 182.500.000 denarë apo rreth 3 milion euro (2.977.161 euro). Qeveria e Maqedonisë solli vendim për botimin edhe të 50 titujve të rinj në 1000 kopje, gjithsej 50.000 libra.

Në këtë fazë  ka ndryshuar edhe qasja ndaj librave. Nëse në fazat e para librat u morën nga Franca dhe Anglia, tenderët e 50 titujve të fundit u përshkruan: “Përkthim, me të drejta autoriale të blera, redakturë shkencore, lekturë, përpunim kompjuteristik, botim dhe shpërndarje të 50 librave të cilat përdoren në 10 universitetet më të mira botëror sipas Listës së Shangait për vitin 2015”.

Nga numri i përgjithshëm i titujve në të gjitha fazat, 205 janë në gjuhën shqipe.

Магацинот во Гостивар: илјадници книги се чуваат во нечист и влажен простор

Magazina në Gostivar: mijëra libra ruhen në hapësirë të papastër dhe me lagështi

Portalb.mk më 9 mars këtë vit e vizitoi magazinën në Gostivar ku ruhen kopjet e librave në gjuhën shqipe. Magazina është në gjendje të keqe, ka myk, pluhur dhe lagështi. Është i stërmbushur me libra nga viti 2009 deri më 2017 për të cilat nuk ka asnjë evidencë. Librat janë pothuajse në tokë dhe nuk janë të renditura në asnjë bazë: as alfabetike e as në bazë të asaj se cilës fazë i takojnë. Popullata nuk mund ta dijë se në këtë magazinë ruhet një “projekt kapital” dhe se i takon një institucioni shtetëror që i harxhon paratë e popullit – nuk ka as tabelë emërtuese.Në të ka rreth 25.000 kopje të librave që nuk janë shpërndarë në asnjë institucion. Nga MASH që na hapën dyert e magazinës, nuk kanë përgjigje pse këto libra janë të papërdorshme dhe të lëna në këtë mënyrë, dhe për përgjegjësinë që duhet të merret për këtë dëm. Ata na treguan se edhe dhjetëra mijëra libra tjerë gjenden në magazinat e Ministrisë së Kulturës së Shkup.

Dhjetëra tituj në shqip janë dërguar në Universitetin e Tetovës, konfirmoi zëdhënësi Selam Sulejmani por nuk tregoi sa janë saktë. Libra nga ky projekt nuk ka as në Universitetin “Nënë Tereza” e as në Universitetin e Evropës Juglindore si dhe në atë Ballkanik, konfirmojnë nga këto universitete.

Revizori: MASH ka vazhduar të shkelë Ligjin për Furnizime Publike

Për një projekt që zgjati 10 vite janë bërë vetëm dy revizione, edhe atë të koncentruar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në përgjithësi, njëri në vitin 2010 dhe tjetri në vitin 2016. Revizioni thotë se MASH ka shkelur dispozitat ligjore si: sigurim i konkurrencës, trajtim i barabartë i konkurruesve, jo-diskriminim, transparencë, shfrytëzim racional dhe efikas i mjeteve si dhe shpërndarjen e mjeteve në bazë të marrëveshjes për furnizime publike.

Gjatë revizionit janë vërejtur shkelje të dispozitave tenderuese nga shtëpitë botuese, veçanërisht në pjesën e realizimit të dërgesave të librave të botuar. Shtëpitë botuese nuk janë trajtuar njëjtë, për dikë kanë ofruar afat kohor më të gjatë, për dikë më të shkurtër. Gjithashtu është parë se kanë tejkaluar edhe afatin dymujor për blerjen e të drejtave autoriale edhe pse MASH për të njëjtat ka paguar paraprakisht. Në bazë të Nenit 27 të ligjit për furnizime publike shihet se MASH ka bërë shkelje të ligjit pasi që ka nënshkruar marrëveshje për furnizime publike në vlerë më të ulët. Furnizimet janë bërë edhe kontaktimin e shtëpive botuese pa konkurs të hapur paraprakisht në vlerë prej 2.368.000 denarë, u tha mes tjerash në raportin e revizionit shtetëror për punën e Ministrisë së Arsimit gjatë periudhës kohore 2008 – 2009.

Në Revizionin e vitit 2016 kur në krye të ministrisë ishte Abdylaqim Ademi (2014 – 2016) dhe Pishtar Lutfiu (2016 – 2017) thuhet se rekomandimet nuk janë marrë parasysh dhe se MASH ka vazhduar të shkelë ligjin për furnizime publike.

Nuk mbahet evidencë për librat e botuara dhe të pranuara nga projekti i 500 librave shkencorë dhe profesional, nuk kanë nënshkruar marrëveshje për dorëzim – pranim me institucionet dhe drejtoritë të cilave u janë dorëzuar të njëjtat, nuk është siguruar dokumentacion i besueshëm në bazë të së cilave do të evidentoheshin shpenzimet e projektit, nuk është respektuar në tërësi ligji për furnizime publike gjatë blerjes së librave dhe shërbimeve dhe për vitin 2009 nuk është dhënë pasqyrë e qartë për raportin financiarthuhet në raportin e Revizionit.

Исто така, проблемот со неуредниот магацин во Гостивар е наведен и во извештајот на Државната ревизија за 2016-та година. Po ashtu, problemi me magazinën e parregulluar në Gostivar është përfshirë edhe në raportin e Revizion Shtetëror për vitin 2016.

Në magazinën ku janë të vendosura librat nuk bëhet evidencë e plotë për librat e botuara dhe të pranuara në institucione shtetërore, me çka ministria nuk ka të dhëna për numrin e tërësishëm të librave të botuara dhe të pranuara. Personat përgjegjës në MASH të ndërmarrin masa për realizimin e evidencës së librave të botuara dhe të pranuara të organeve shtetërore

Megjithatë, edhe pas dy vjetëve nga MASH ende nuk ka një listë se cilat institucione kanë marrë libra dhe nga cila shtëpi botuese.

Portalb.mk kërkoi qëndrim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për të gjeturat e Revizionit. Tani më ish ministrja Renata Deskovska shkurtë na tha se:

Është duke u zhvilluar revizion i brendshëm. Por si i tillë është i brendshën. Nëse zbulpjmë diçka do ta lajmërojmë publikun” (10.04.2018)

Ky tekst hulumtues gazetaresk është mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Përgjegjësinë për përmbajtjen në të e mban vetëm autori dhe në asnjë mënyrë nuk mund të vlerësohet se i pasqyron pikëpamjet dhe qëndrimet e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.
FOSM


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *