Numri i popullatës – matematikat spekulative parazgjedhore!

 

Aneta Dodevska

 

Nëse Maqedonia ka 2,5 milionë shtetas, atëherë bien në ujë të gjitha parametrat e tjera ekonomike me të cilat lavdërohet qeveria, e që kanë të bëjnë me përqindjen e papunësisë, varfërinë – vlerësojnë analistët. Pas deklaratës së zëvendës-ministrit për punë të brendshme se vendi ka 2.464.266 banorë, një pjesë e ekspertëve vlerësuan se këto numërime parazgjedhore, në mungesë të regjistrimit zyrtar të popullatës, janë vetëm matematikë spekulative, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Janë vënë në pikëpyetje treguesit ekonomikë?

Në mungesë të regjistrimit, i cili nuk është realizuar që nga viti 2002, dhe për këtë arsye Maqedonia, së bashku me Somalinë janë vendet e vetme që nuk e ka kryer këtë operacion më shumë se një dekadë, çdo licitim për numrin e banorëve të vendit paraqet spekulim dhe ndikon mbi të gjitha parametrat tjerë, thonë analistët. Dilemat u paraqitën pasi zëvendës-ministri për punë të brendshme, Mitko Çavkov, tha se vendi ka 2.464.266 banorë.

“Pyetja që duhet të parashtrohet është se sa këto numra duhet të merren seriozisht, duke pasur parasysh se vijnë nga MPB-ja, e jo nga Ministria për Drejtësi, e cila në bazë të ligjit e udhëheq librin amë dhe e cila është kompetente për dhënien e shtetësisë. Ministria për Punë të Brendshme informatat e veta i bazon mbi numrin e letërnjoftimeve dhe pasaportave të lëshuara, edhe pse të dyja ministritë bashkëpunojnë ndërmjet vete dhe MPB-ja ka qasje edhe në librat amë. Manipulimi me numrin e vërtetë të qytetarëve të Maqedonisë, së bashku me ata që janë shënuar në listën zgjedhore është shumë i lehtë për shkak të zbrazëtirave të shumta në gjithë sistemin shtetëror”, thotë analistaja politike, Sonja Stojadinoviq, shkruan Portalb.

Sipas saj, fillimisht duhet të parashtrohet pyetja për përfaqësitë diplomatike-konsullare të Maqedonisë jashtë vendit, sa ato kanë informata të vlefshme dhe të sakta për qytetarët e Maqedonisë në vendet ku gjenden ato. Pastaj, Stojadinoviq konsideron se Enti shtetëror për statistikë nuk ka numra të qarta për atë se sa njerëz janë shpërngulur prej regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2002, që është një faktor i rëndësishëm për ta përcaktuar numrin e saktë të qytetarëve dhe të votuesve.

“Pa regjistrim nuk mund të përcaktojmë asnjë numër të saktë në asnjë sferë të shoqërisë, e aq më pak të organizojmë zgjedhje demokratike”, thotë Stojadinoviq.

Licitimi me numrin e qytetarëve shkaktoi reagime edhe te ekonomistët. Një pjesë e tyre konsideron se me publikimin e informatës se vendi ka pothuajse 2,5 milionë banorë vihen në pikëpyetje parametrat ekonomike.

“I lutem dikujt që të më sqarojë se llogaritjet e PBB-së për kryebanori a bëhen për 2 milionë apo për 2,5 milionë banorë. Dallimi është shumë i madh. Ekonomi shumë më të suksesshme do të kishim poqese e përdorim numrin e vërtetë të banorëve – 1,7 milionë” – shkroi në rrjetet sociale profesori universitar Miroljub Shukarov, njofton Portalb.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe politikologia Stojadinoviq.

“Numri se Maqedonia ka rreth 2,5 milionë banorë, nga të cilët gjysma janë të mitur, dukshëm ndikon në të gjitha numrat, në të gjitha sferat e shoqërisë, me të cilat manipulohej, e poashtu edhe licitohej, deri tani. Nëse nisemi nga përqindja e papunësisë për të cilën qeveria thotë se është zvogëluar dhe se tani është 27%, me numrat e fundit ajo do të rritej në së paku 37%. Dhe përsëri ky nuk do të ishte numri real i të papunëve për shkak se ekonomia e hirit është duke lulëzuar. Manipulimi me këto numra ndikon edhe në përqindjen e varfërisë në vend. Ishte pak mbi 20%, tani me siguri do të jetë 30%, e ndoshta edhe më tepër”, shkruante Stojadinoviq.

Sipas të dhënave nga Ministria për Punë të Brendshme, Maqedonia ka 1.958.844 qytetarë të moshës madhore dhe 505.422 qytetarë të mitur ose gjithsej 2.464.266 qytetarë. Këtë numër nga MPB-ja, KSHZ-ja e ka kërkuar për herë të parë dhe ai tregon se numri i qytetarëve me të drejtë vote është rritur.

“Informata se Maqedonia ka mbi 2 milionë e 400 mijë banorë, nga të cilët rreth dy milionë kanë të drejtë vote, të cilën deri te KSHZ-ja e dorëzoi zëvendës-ministri i MPB-së, Çavkov, është një hap mjaft joserioz për t’u konsideruar i vërtetë”, vlerëson ish-drejtori i Entit shtetëror për statistikë, Donço Gerasimovski, i cili mbetet në qëndrimin se duhet të realizohet regjistrimi i popullsisë, mirëpo me të gjitha parametrat. Konsiderohet se ky operacion nuk është i rëndësishëm vetëm që të numërohet popullata në vend, por edhe që të fitohet paqyrë e plotë, numër dhe status për njerëzit që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit. Sipas ekspertëve nga fusha e statistikës, ne si vend tani nuk disponojmë me të dhëna kualitative për atë se sa njerëz largohen nga vendi dhe sa gjatë qëndrojnë atje, për shkak se kthimet e kohëpaskohshme nuk mund të konsiderohen si rikthim i tyre.

Mënyra tradicionale e regjistrimit në terren është më e shtrenjta, mirëpo për rrethanat tona është me e zbatueshme, konsideron Gerasimovski.

“Regjistrimi elektronik nuk është i mundur për shkak se për këtë, para së gjithash, nevojiten korniza ligjore, metodologji e përcaktuar në mënyrë të saktë dhe standarde. Mund të flitet për kombinim të “regjistrave” dhe regjistrimit “në terren”, mirëpo edhe për këtë duhet të plotësohen disa kushte, gjegjësisht fillimisht duhet të realizohet regjistrimi në terren, nëpërmjet të të cilit, në kornizë ligjore, do të përgatiten edhe regjistrat, të cilët pastaj do të jenë bazë për regjistrimin e ardhshëm. Mendoj se Maqedonia patjetër duhet ta realizojë këtë operacion, për shkak se Kombet e Bashkuara tashmë i vendosin standardet e reja për regjistrimin e popullsisë për periudhën 2016-2020. Ne duhet këtë ta bëjmë në bazë të standardeve ekzistuese, mirëpo pa marrë parasysh këtë, kjo patjetër duhet të bëhet”, deklaroi Gerasimovski për “Portalb”-in.

Numri i banorëve të Maqedonisë, të cilin zëvendës-ministri i MPB-së, Çavkov, ia dorëzoi KSHZ-së, nuk është kontestues vetëm për anëtarët e KSHZ-së që vijnë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, BDI-së dhe PDSH-së, për shkak se për ta ky numër prej 2,4 milionë qytetarëve mundëson që të ketë logjikë numri prej 1,8 milionë votuesve sa ka në listën zgjedhore. /Portalb

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit,projektit për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetarëve,i realizuar nga  Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci (BTD – The Balkan Trust for Democracy), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, NED-it dhe BTD-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *