Nuk u unifikuan gjitha vitrinat në Çarshinë e Vjetër, Shkup

Projekti: Unifikimi i vitrinave në Çarshinë e Vjetër, Shkup
Unifikimi i vitrinave dhe reklamave në Çarshi të Vjetër, Shkup, duke i shndërruar ata në pamjen e dikurshme autentike. Kjo nismë synon mënjanimin e vitrinave dhe reklamave të llojllojshme. Laramania dhe dallimet në mes dyqaneve do të unifikohen sipas madhësisë së tyre, duke filluar prej te zejet e vjetra, restorantet, por edhe dyqanet e artarëve etj. Krahas kësaj, do të shfrytëzohet një model i vetëm i madhësisë së shkronjave dhe simboleve për reklamat në Çarshi. (Afati i realizimit: 2015) 

ARSYETIM:

Në Konventën promovuese të Bashkimit Demokratik për Integrim, Zgjedhjet 2014 u premtua që do të bëhet unifikimi i vitrinave dhe reklamave në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Projekti u premtua që do të përfundojë në vitin 2015. Deri më tani (24.10.2016) projekti “Unifikimi i vitrinave në Çarshinë e Vjetër, Shkup”, është i parealizuar. 

Në mars të vitit 2015 u shpall thirrja publike  të Ministrisë së Ekonomisë për subjektet juridike, të cilët kryejnë veprimtari për dizajn dhe projektim të reklamave. Zgjedhja ideore për unifikimin e vitrinave dhe reklamave në Çarshinë e Vjetër të Shkupit ishte faza e parë e projektit, ndërsa subvencionimi i ndërmarrjeve që dëshirojnë ta implementojnë këtë ide, do të përfshijë fazën e dytë.

Më 23.06.2015, Ministria e Ekonomisë njoftoi se ka pranuar vetëm dy oferta në thirrjen publike për zgjedhje ideore të pamjes së dritareve dhe reklamimeve të dyqaneve në Çarshi të Vjetër të Shkupit. (burimi: Aktuale.mk, 23.06.2015)

Me këtë, u përfundua faza e parë e realizimit të projektit. Në vazhdim pritej faza përfundimtare, procesi për regjistrimin e Shoqatës së Zejtarëve në Odë të Zejtarëve në nivel të Komunës së Çairit dhe pastaj të kryhet subvencionimi i tyre.

Varësisht prej aplikacioneve që do të dorëzohen, ne do i shqyrtojmë ato dhe do t’i ndajmë në mënyre transparente subvencionet. Shembull nëse ka 10 dyqane që kanë aplikuar, do të marrin nga 50 mijë denarë, nëse janë 20 atëherë ka 25 mijë denarë, e kështu me radhë”. (burimi: Koha.mk, 25/03/2015)

Më 17.09.2015, ish Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, në takimin me Shoqatën e zejtarëve dhe të pazarxhinjve premtoi se nga 1 tetori do të fillojë procesi i unifikimit të vitrinave të dyqaneve në Çarshinë e Vjetër. Shoqata e zejtarëve dhe pazarxhinjëve duhet të kalonte në nivel të Komunës së Çairit si Odë e Zejtarëve.

Ministria e Ekonomisë ka siguruar rreth 400 mijë euro dhe nga tetori në mënyrë aktive do të fillojë unifikimi i vitrinave në Çarshinë e Vjetër. Aplikacionet ende nuk janë dorëzuar për shkak se projekti së pari duhet të miratohet nga Qendra Konservatore dhe nga Ministria e Kulturës”. (burimi: TetovaSot, 17.09.2015)

Mirëpo në tetor nuk pati asnjë zhvillim. Më 07.12.2015, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, u takuan me përfaqësuesit e Shoqatës së Zejtarëve në Shkup, për të njoftuar se procesi për regjistrimin e Shoqatës së Zejtarëve në Odë të Zejtarëve në nivel të Komunës së Çairit është në fazën përfundimtare.

“Bazament ligjor veç më ekziston, ligji ka kaluar para dy javësh dhe me vetë transferimin e shoqatës në Odë të Zejtarëve hapet mundësia që Oda e Zejtarëve të thith projekte të ndryshme qoftë nga pushteti ekzekutiv po qoftë edhe më gjerë”.(burimi: RadioVala, 07.12.2015)

Projekti për ‘’Unifikimin e vitrinave në Çarshi të Vjetër’ i Komunës së Çairit, i financuar nga projekti IPA, në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës ndau 20 grante për pronarët e dyqaneve në çarshinë e vjetër të Shkupit, të cilat kishin aplikuar në konkurs. Me këto mjete të fituara ata duhet të përmirësoheshin vitrinat e objekteve të tyre.

“Fituesit e këtyre granteve me vlerë të përgjithshme prej 40 mijë eurove janë 20 pjesëmarrës nga çarshia e  vjetër e Shkupit; përparësi gjatë sjelljes së vendimit për atë se kush do të fitojë grantin patën femrat dhe ndërmarrësit e rinj deri në moshën 29 vjeçare”. (burimi: TV 21, 18.12.2015)

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë Bekim Neziri dhe kryetari i shoqatës së ‘’Esnafëve’’, Bejtulla Morina, nënshkruan memorandum për bashkëpunim.

“Ministria e Ekonomisë ka angazhuar edhe një shtëpi projektuese, e cila përpiloi dokumentacionin teknik për konservimin, restaurimin dhe përshtatjen e 60 dyqaneve në Bllokun 3.2 në Çarshinë e Vjetër. Për çdo dyqan është përpiluar projekt i veçantë në tri faza: pamja e mëparshme e dyqanit, gjendja faktike dhe pamja e planifikuar pas intervenimit për rregullimin e vitrinës”. (burimi: RTVM2, 18.12.2015)

Afati për përfundimit të projektit për rivitalizimin e Çarshisë së Vjetër skadoi. Përpjekjet për realizim e punimeve vazhduan edhe në vitin 2016. Ministri i tanishëm i Ekonomisë, Driton Kuçi, bashkë me zyrtarët e Komunës së Çairit, më 18.04.2016, vizituan Çarshinë e Shkupit për të parë nga afër vendosjen e vitrinave të disa dyqaneve në Çarshi. Ministri Kuçi, njoftoi se deri më (18.04.2016) janë rinovuar 9 dyqane, ndërsa me këtë projekt pritet të përfshihen 60 dyqane.

“Jemi këtu me qëllim që të shohim se si po shkon projekti në fjalë për vitrinat dhe mbishkrimet. Ky projekt bëhet me të vetmin qëllim që të ruhet kultura , tradita, fryma e Çarshisë, me qëllim që të bëhet unifikimi i vitrinave”. (burimi: Alsat-M, 18.04.2016)

Së fundmi, më 03.11.2016, nga shoqata e ‘’Esnafëve’’, Shkup deklaruan se janë unifikuar vetëm 12 vitrina me tenda dhe mbishkrime.

Faza e parë e projektit siç jeni të informuar, janë ndërruar 12 vitrina me tenda e mbishkrime. Kurse faza e dytë duhet të fillon, atëherë kur do të lëshohen mjetet që janë premtuar. Derisa nuk i  lëshojnë mjetet nga Ministria, nuk mundemi të premtojmë asgjë. Pra, atë moment kur ne i marrim mjetet mund të bisedohet për afatin e realizimit. (burimi: Metamorfozis, 03.11.2016)

Edhe nga Komuna e Çairit thonë gati se të njëjtën. Pjesa që është në kompetenca të tyre ka mbaruar, për fazën e radhës priten mjete nga ana e Ministrisë së Ekonomisë.

Për vitrinat ne Çarshinë e Vjetër të Shkupit, Ju informoj se projekti që  përfshinte renovimin e 20 dyqaneve në kuadër te fondeve IPA bashkëpunimi ndërkufitar – ka mbaruar. Pjesa tjetër duhet të financohet nga Ministria e Ekonomisë. (burimi: Metamorfozis, 07.11.2016)

Si afat i fundit për ndërrimin e vitrinave në Çarshi të Vjetër, Shkup u premtua viti 2015. Deri më këtë vit nuk arriti të përfundohej ndonjë punë konkrete. Pasi skadoi afati i realizimit të projektit, premtimet për fillim e punëve kishin vazhduar për vitin 2016, ku në fillim të këtij viti u ndërruan vetëm 12 vitrina nga 60 dhe më pas nuk pati ndonjë angazhim lidhur me këtë. Sipas asaj që mundë të vërtetojmë sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, mundë të përfundojmë që premtimi  “Unifikimi i vitrinave në Çarshinë e Vjetër, Shkup”, është i parealizuar.

BURIME:

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.