Lëshohen në përdorim stacioni për grumbullimin e mbeturinave në Tetovë

Hapja e stacionit për grumbullimin e mbeturinave Foto: Profili zyrtar në Facebook i kryetares së komunës, Teuta Arifi.

Premtim: Do të organizohet model modern i grumbullimit të mbeturinave dhe pastrimit të qytetit duke avancuar statusin e ndërmarrjes komunale për higjienë me qëllim të rritjes së efikasitetit në punë. Do të aplikohen edhe metoda të bashkëpunimit rajonal dhe motivohen investime të reja të koncesionimit ose partneritetit privat publik. Qytetarët do të gëzojnë një qytet të pastër, ku mbeturinat do të grumbullohen dhe barten në deponinë rajonale Rusino në Gostivar. Në të gjitha zonat e qytetit, do të vendosen kontenierë të mëdhenj e të vegjël që do të mblidhen dhe zbrazen çdo ditë të javës ndërsa rrugët dhe sheshet do të pastrohen me makineri moderne. Afati: (2013-2017)

 

ARSYETIM:

Premtimi i BDI-së dhe kandidates së atëhershëm, ndërsa më pas edhe kryetare Komunës së Tetovës, Teuta Arifi për zgjidhjen e problemit me deponinë në Tetovë, të dhënë në programin parazgjedhor “Bashkë Ndërtojmë” (faqe 99) në zgjedhjet lokale të vitit 2013, deri tani është pjesërisht i realizuar.

Siç tashmë dihet për opinionin e gjerë, problemi i deponisë së egër ka qenë shumë aktual vitet e fundit. Organizatat ekologjike dhe banorët e lagjes “Dardania” ku është e vendosur deponia, në disa raste kanë reaguar publikisht nëpërmjet mediumeve dhe protestave të organizuara duke kërkuar zgjidhjen e problemit të deponisë së egër.

Sipas mediumeve, zgjedhja e çështjes së deponisë u premtua në shkurt të vitit 2017 me afat përfundimi në mars të po të njëjtit vit.

Gjatë muajit korrik (12 korrik 2017), mediumet informuan që është përuruar stacioni i grumbullimit të mbeturinave në Tetovë:

Zgjidhet përfundimisht problemi i deponisë së egër në qytetin e Tetovës. E para e kësaj komune Teuta Arifi sot ka përuruar stacionin e ri të ngarkim-shkarkimit të mbeturinave. Deponia e Tetovës ka qenë një problem i trashëguar më shumë se 20 vite me radhë.

Por asnjëherë autoritetet lokale paraprake nuk u morën seriozisht më këtë problem tejet shqetësues për banorët e Tetovës, nga e cila rrezikohej edhe përhapja e ndonjë epidemie.
Në fushatën e vitit 2013 e para e Tetovës Teuta Arifi atëherë kandidat për kreun e Komunës premtoi zhvendosjen e deponisë së egër në hyrje të qytetit.

Gjatë përurimit të stacionit të grumbullimit, për mediumet është shprehur edhe kryetarja e Komunës së Tetovës,Teuta Arifi:

Mbajtëm edhe një nga premtimet kruciale të fushatës zgjedhore të vitit 2013.

Premtuam dislokimin rrjedhimisht zhvendosjen e “Qendrës së ngarkim-shkarkimit” të mbeturinave të qytetit dhe jo vetëm që arritëm ta bëjmë këtë, por ndërtuam edhe një stacion modern i cili funksionon përmes kontejnerëve të mëdhenj në formë të mbyllur, nga ku do të bëhet shkarkimi dhe ngarkimi i mbeturinave për në deponitë rajonale.

Falënderoj Ndërmarrjen Publike Komunale “TETOVA” për gjithë angazhimin permanent në këtë proces mjaft të vështire që kaluam ndër vite. Kjo është vetëm faza e parë e zgjidhjes së problemit, sepse në qëllimet dhe punën tonë programore është edhe ndërtimi i qendrës për selektim të mbeturinave.

Dua ti falënderoj banorët e lagjes “Dardania” për mirëkuptimin dhe durimin që kanë treguar deri në zgjidhjen e problemit të trashëguar më shumë se 20 vite.

Tetova do të jetë e gjelbër ashtu siç u premtuam qytetarëve. Puna është mbi fjalët.

Me përfundimin e mandateve të kryetarëve të komunave me 16 maj të vitit 2017, është tejkaluar edhe afati për realizmin e këtij premtimi ( fundi i mandatit 2017) dhe i premtimit të fundit i dhënë në shkurt të vitit 2017, me afat deri në mars të të njëjtit vit. Po ashtu, për zgjidhje të përhershme të këtij problemi prezent me dekada, sipas kryetares së komunës, duhet që të ndërtohet stacioni i riciklimit të mbeturinave dhe të rregullohet deponia rajonale “Rusino”, projekt për të cilin Komunë e Tetovës do të punon në bashkëpunim me organizatat e huaja. Në zgjidhjen tërësore të problemit është i nevojshëm edhe pastrimi i tërësishëm dhe dezinfektimi i deponisë së vjetër në lagjen “Dardania”.

Bazuar në këto fakte, sipas metodologjisë së Vërtetamtësit, këtë premtim të kryetares së Komunës së Tetovës e vlerësojmë si pjesërisht të realizuar.

Vërejtje: Artikulli është verifikimi i dytë i këtij premtimi. “Vërtetmatësi” e ka vlerësuar këtë premtim pothuajse para dy muajsh me tekstin “As Teuta Arifi nuk arriti të menaxhoj problemin me deponinë në Tetovë”, vlerësimi për këtë premtim ka qenë i parealizuar. 

 

BURIME:

Vlerësoi: Drilon Saliu

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.