Koloneli i pensionuar i SHKZ spekulon që CIA punon kundër Serbisë nga një auto-sallon në Shkup

Disa media serbe këto ditë kanë promovuar teori konspiracioni sipas së cilës shërbime të zbulimit të vendeve ballkanike në një auto-sallon të Shkupit përgatisin atentate të opozitarëve serb, për të cilët “Perëndimi” pastaj do ta akuzojë qeverinë e Vuçiqit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk. 

Javorja serbe  ”Peçat“ në numrin e 19 korrikut 2019, ka publikuar tekst me titull: “Laku për varje për Sërbinë”(origj. “Омça za Srbiju”, për “luftën e pretenduar speciale të shteteve udhëheqëse të NATO-s kundër Serbisë”, duke e vendosure njëkohësisht fokusin në “operacionin e ri sekret – Laku për varje me të cilin është hartuar plan për shkatërrim të Serbisë”.

Tekstin pastaj e kanë transmetuar disa media tjera si “Novi standard“, si dhe “Veçernje novosti“, gazetë që është në pronësi të shtetit, kryeredaktori i së cilës është Millan Vuçeliq njëkohësisht pronar i “Peçat”.

Teoria e konspiracionit parasheh atentate të liderëve të opozitës në Serbi.

Nënshkrues i tekstit është Ljuban Karan, përndryshe kolonel 66 vjeç i pensionuar i SHKZ-së (Shërbimi për kundërzbulim i Armatës Popullore të ish Jugosllavisë), i cili thotë që i ka analizuar skenarët e mundshëm për rrënimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq nga pushteti. Në analizën e metodave të luftës speciale kundër Serbisë, Karan paralajmëron që janë të mundshme vrasje me ç’rast cak do të ishin figura të opozitës, ndërsa për ato sulme pastaj do të akuzohet pushteti.

“Nëse e shtrojmë pyetjen kush mund të jetë cak, është e logjikshme që të jetë ndonjë nga liderët opozitar, madje ndoshta ndonjë nga ata që janë nën kontroll të Perëndimit. Nga pikëpamja e luftës speciale, me efektin më të madh do të ishte të eliminohet ndonjë i cili momentalisht më së shumti e sulmon pushtetin aktual. Ndonjë që do të ishte më i dobishëm i vdekur, si “viktimë politike e regjimit”, sesa si opozitar i pasuksesshëm pa përkrahjen e popullit. Ata që janë futur në lojëra të ndyra me shërbimet e zbulimit të perëndimit nuk janë fare të vetëdijshëm sa i madh është rreziku të pësojnë nga makineria e ndyrë për të cilën punojnë dhe besojnë se është e favorshme për ta…”, shkruan Karan në tekstin kontrovers.

Liderët e “Lidhjes për Serbinë” opozitare në konferencë të veçantë për media kanë shprehur shqetësim që bëhet fjalë për kërcënim ndaj tyre dhe kanë kërkuar hetim nga prokuroria për këto të dhëna. Ata veçanërisht e kanë theksuar faktin që shteti është pronar i “Вечерње новости” dhe kanë njoftuar që kanë informata se, nga shtatori i vitit 2018, po ndiqen dhe po përgjohen në mënyrë aktive nëpërmjet një seksioni të veçantë të MPB-së së Serbisë,.

Auto-sallon si qendër për konspiracion botëror kundër Serbisë

Është interesant se në këtë “konspiracion të sinkronizuar të forcave të perëndimit” kundër Serbisë, Karan thotë që bashkë me Kroacinë, Bullgarinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, është e përfshirë edhe Maqedonia  e Veriut. Ai pohon që nën ndikim të CIA-s është formuar grup që vepron si sallon për automjete në Shkup?!

“Para dy muajsh, shërbimi për zbulim bullgar është kyçur në operacionin e përbashkët special kundër Serbisë, që është përafërsisht periudha kur ka filluar operacioni “Laku”. Operativët e tyre punojnë bashkë me agjentët e zbulimit nga Maqedonia, Shqipëria dhe Gjermania nga një Qendër në Shkup, të cilën mbase e ka formuar CIA, ndërsa e cila është e formuar si përfaqësi për shitje të automjeteve”, shkruan Karan.

Megjithatë, ky skenar konspiracioni së paku duket i çuditshëm. Vetë Karani nuk përmend burime konkrete, qofshin edhe jozyrtare. As së paku, përafërsisht t’i tregojë poseduesit e “informatave të fshehta”. Duke u përgjigjur në pyetjen e drejtpërdrejtë nga javorja “Vreme“ (nr.1491), ai thirret në “informata të publikuara në media” të cilat ai i ka interpretuar “me ekspertizë”. Mirëpo, nuk aludon në çfarë informata konkretisht mendon dhe në cilat media bazohet.

Për hir të vërtetës, publiku  i Maqedonisë nuk ka njohuri që në Shkup ekziston auto-sallon ku, gjoja, krijohet luftë speciale kundër Serbisë. Informatë e tillë deri më tani (06.08.2019) nuk është publikuar në asnjë media në Maqedoni, as si spekulim.

Po të ekzistonte në Shkup “sallon i tillë i kamufluar”, ka shumë pak gjasa që i njëjti të mbetet i pazbuluar dhe që në opinion nuk do të “rridhte” ndonjë informatë. Në veçanti, kjo s’do të kishte mbetur pa u vërejtur nga mediat të cilat janë kritike ndaj strukturës aktuale qeveritare.

Deri tani s’ka asnjë dëshmi, madje as nga burime anonime, që do t’i kishin konfirmuar të dhënat e paraqitura në tekstin e publikuar në javoren serbe “Peçat”, që i bën ato shumë të pabesueshme. Ndërsa, sa i përket kolonelit të pensionuar të SHKZ, Karan, qëndrimet e tij anti-NATO publiku serb i ka mirë të njohura. Për “Vreme” ai deklaron që nuk ka dashur të dërgon kërcënim me vdekje për opozitën, por vetëm “të paralajmërojë” që kundër Serbisë po bëhet luftë speciale qëllimi i të cilës është të imponohet përafrim drejt NATO-s dhe ndarje nga Federata Ruse.

Sipas gazetarit të “Vreme” Sllobodan Georgijev, autori i intervistës me Karan, pikërisht tekstet e këtilla janë tregues që “Serbia është në një farë lufte speciale, mirëpo të cilën regjimi e bën kundër të gjithë atyre të cilët mendojnë, flasin dhe punojnë ndryshe nga presidenti Serb Aleksander Vuçiq dhe ekipi i tij”. Sipas tij, mediat ndoshta kanë rolin më të rëndësishëm në atë luftë. “Lajme të rreme, media të rreme, gazetarë të rremë, analistë të rremë – e kanë vërshuar hapësirën mediatike serbe”, konkludon Georgijev.

Në periudhën e kaluar, nocionin “lak” e kanë shfrytëzuar një serë tablo idesh nga Beogradi të njohura për publikimin e dezinformatave për konspiracione botërore kundër Serbisë, si “Informer” apo “Srpski telegraf”. Në shkrimet e tilla, edhe para publikimit të tekstit të Karanit, ata shpesh kanë shkruar që “laku rreth qafës së Vuçiqit po shtrëngohet”.

Paraprakisht deklarata të këtilla në televizionin nacional RTS ka shprehur edhe deputeti i parlamentit serb nga Partia progresive Serbe, Millovan Drecun duke e komentuar rastin kur mashtrues rus publikuan incizime nga bisedat telefonike me kryeministrin e Maqedoniosë Zoran Zaev.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.