Ka skaduar afati i rikonstruimit të Teatrit Kombëtar Shqiptar- Shkup

ARSYETIM: Në Platformën zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), zgjedhjet 2014, si investim kapital në fushën e kulturës u premtua ri-konstruimi i Teatrit Kombëtarë Shqiptar- Shkup. Afati i fundit për përfundimin e punimeve u dha viti 2015. Deri më tani (02.12.2016), premtimi për rikonstruim të teatrit është i parealizuar. 

Fillimi i ri-konstruimit të Teatrit Kombëtar Shqiptar nisi më 11.01.2014, në prani të kryetarit të Qeverisë, Nikolla Gruevski, zëvendëskryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi dhe ministres së Kulturës Elizabeta Kançeska-Milevska. Kryeministri Gruevski tha se edhe ky teatër gjatë viteve të kaluara ka punuar në kushte të dëmtuara të cilat nuk i përmbushin kriteret kryesore të veprimtarisë dhe për këtë shkak Qeveria i është përgjigjur kërkesave të tij me një projekt për rikonstruimin. 

“Për këtë qëllim Qeveria dhuroi rreth 500 milionë denarë ose rreth 8 milionë euro me të cilat me të cilat do të realizohet projekti më i madh që nga themelimi Teatrit shqiptar në Maqedoni. Do të intervenohet në arkitekturën, enterierin, akustikën, teknologjinë skenike, audio dhe video sistemet, instalimet termoteknike dhe elektrike, ose me një fjalë, ky institucion do të marrë një pamje krejtësisht të re e cila është e përafërt me ndërtimin e ri“. (burimi: Albeu.com, 11.01.2014)

Sanimi dhe adaptimi në themel i këtij institucioni ishte investim i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në vlerë prej rreth 8 milionë euro, ndërsa për ri-konstruimin e objektit të teatrit e kishte fituar kompania italiane ‘LAMONE MOREDA’.

Në fund të vitit 2014, gjegjësisht më 11.11.2014, drejtori i Teatrit shqiptar Adem Karaga, kishte deklaruar se rindërtimi po zhvillohet në pajtim me projektin por mjetet financiare që ndahen për institucionet kulturore, nuk janë të nevojshme për përmbushjen e vizioneve.

“Për momentin po punohet në çatinë dhe fasadën, ndërsa kjo punë është e lidhur me kushtet klimatike, më pas do  të vazhdojmë me intervenime në brendësi të objektit”. (burimi: Portalb, 11.11.2014)

Ashtu siç ishte premtuar në Platformën zgjedhore të BDI-së, punimet ndërtimore duhej të përfundonin më 2015. Përkundër kësaj, në fillim të vitit 2015 kjo gjë nuk u bë. Nga Teatri Kombëtar kishin bërë të ditur se prolongimi i përfundimit të rikonstruktimit është bëtë për shkak të kushteve atmosferike, të cilat nuk kanë lejuar që punimet të zhvillohen ashtu siç ishin paraparë.

“Ishte planifikuar për në shtator që të përfundojnë punimet, por për shkak të kushteve të motit pritet që ato të përfundojnë rreth Vitit te Ri…përderisa vazhdojnë punimet ne jemi duke punuar në Teatrin e Komedisë”. (burimi: Portalb, 05.05.2015)

Disa muaj më  vonë, edhe drejtori i Teatrit, Adem Karaga arsyetohet se vonesat gjatë punimeve kanë ndodhur për sipas tij, çështje objektive.

“Punimet për fat të keq edhe filluan pak me vonesë për hir të hapësirës ku ne jemi, punimet sigurisht që u vonuan pak për hir të kushteve klimatike, temperaturat ranë shumë poshtë, kështu që edhe punimet u prolonguan. Këto janë gjëra që edhe ne nuk mund t’i parandalojmë sigurisht”. (burime: TV21 Maqedoni, 15.10.2015)

Objekti nuk arriti të rinovohej as edhe ne fillim të vitit 2016. Punët ndërtimore ishin ndërprerë për disa muaj, pas falimentimit të kompanisë italiane “Lamone Moreda” e cila kishte fituar tenderin për rikonstruksionin e tetarit shqiptare në Shkup është blerë nga kompania ‘Shencija’.

Përkundër kësaj, drejtori i Teatrit, Adem Karaga vazhdon me premtimet se punimet së shpejti do të fillojnë.

“Firma e cila ka falimentuar, obligimet i paska blerë një firmë tjetër e cila është ‘Shencija’. Ata po rishqyrtojnë dinamikën e planit dhe afatin kohorë kur do të përfundojnë të gjitha punimet”.

Të njëjtin premtim e dhanë edhe nga Ministria e Kulturës duke përcaktuar fundin e vitit 2016, si afat të fundit për përfundimin e punimeve ndërtimore.

“Shumë shpejtë do të fillojnë aktivitetet në rindërtimin e Teatrit Shqiptar në Shkup dhe shpresoj që nga fundi i vitit apo në periudhën verore do të rrumbullakohet ky projekt kapital për shqiptarët”.  (burimi: Alsat-M, 03.02.2016)

Edhe pse punët e Teatrit u duhej të përfundonin në shtatorë të vitit të kaluar (2015), së fundi renovimi i të njëjtës është duke u shtyrë në një afat të pacaktuar për vitin 2017.  Sipas zëdhënëses së teatrit Shqiptar në Shkup, Anita Latifi, deklaroi për Alsat-M se punimet do të përfundojnë brenda vitit të ardhshëm dhe se do të duhen edhe 5 milion euro deri në mbarimin këtij projekti.

“Do të përfundoj brenda vitit të ardhshëm. Nuk mund të saktësoj në këto moment se kur do të jetë muaj apo data se kur do të përmbyllën punimet. Nëse pagesat rrjedhin siç duhet në mënyrë të dhe brenda vitit 2017 në do të kemi premier në këtë teatër”. (burimiAlsat-M12.10.2016)

Ndërsa sa i përket asaj se edhe sa mjete duhen deri në përfundim të punimeve, ajo deklaroi se duhen rreth 5 milion euro (burimi: Alsat-M, 12.10.2016)

Punimet nisën që në fillim të vitit 2014 dhe afat i përfundimit të punimeve fillimisht u dha viti 2015. Meqenëse brenda këtij viti nuk arritën në ndonjë rezultat konkret, edhe pas skadimit të afatit për ri-kostruimin e Teatrit, premtimet vazhduan për vitin 2016. Ndërsa ajo që u deklarua së fundi, premtimet vazhduan edhe për vitin 2017. Sipas metodologjisë së Vërtetmatesit, kemi arritur të përfundojmë që edhe përkundër që vazhdojnë punimet për rikonstruimin e Teatrit, afati i premtuar ka skaduar dhe këtë premtim  e llogarisim si i paplotësuar. 

BURIME:

 

Vlerësoi: Rabie Abazi


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *