Janë asfaltuar rrugët në fshatin Simnicë

Me rastin e asfaltimit të rrugëve në Simnicë Foto: ueb-faqja e Komunës së Gostivarit

Projekt:  Asfaltimi i rrugëve të brendshme në f. Simnicë

Do të asfaltohen dy rrugët kryesore në fshatin Simnicë (Afati: 2015)

ARSYETIM:

Premtimi për “Asfaltimin e rrugëve të brendshme në fshatin Simnicë” është premtim i realizuar i kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta. Projekti është pjesë e programit zgjedhor të BDI-së për zgjedhjet lokale në vitin 2013, të titulluar: “Bashkë Ndërtojmë”, në pjesën “Infrastrukturë moderne dhe mjedis të pastër” (faqe 112). Premtimi për asfaltimin e rrugës në brendi të fshatit Simnicë, përpos në programin parazgjedhor të kryetarit të Komunës së Gostivarit, u dha edhe më vonë me 13 Maj të vitit 2015, gjatë vizitës së Nevzat Bejtës në këtë fshat:

Për sa i përket rrugës për në Lagjen e Epërme të fshatit, kryetari Bejta banorëve u premtoi se pasi të kryhen të gjitha përgatitjet, gjatë muajit qershor do të fillojnë punët për asfaltimin e rrugës me gjatësi prej mbi 1 mijë e 400 metra. 

Më vonë, me 7 qershore të vitit 2015, fillimi i punimeve u paralajmërua edhe në faqen zyrtare në “Facebook”, ku thuhet:

Pas rrafshimit, nivelizimit, tamponimit dhe punëve të tjera përgatitore, sot ka filluar asfaltimi i rrugës nga qendra e fshatit Simnicë deri në Lagjen e Epërme në vendin e quajtur Kodra. Bëhet fjalë për një investim të komunës së Gostivarit, të cilën kryetari Nevzat Bejta e premtoi gjatë takimit me banorët e Simnicës në vizitën e realizua gjatë muajit maj. Rruga që asfaltohet është me gjatësi mbi 1700 metra. 

Në faqen zyrtare të Komunës së Gostivarit, me 5 gusht të vitit 2015, është publikuar lajmi për asfaltimin e rrugëve në brendi të fshatit Simnicë:

Kryetari Nevzat Bejta theksoi se brenda fshatit Simnicë u asfaltuan gjithsej 3.5 kilometra rrugë me gjerësi prej 3.5 metra dhe bankina 0.75 metra nga të dyja anët, pra gjithsej 5 meta gjerësi me shtresë të asfaltit prej 7 centimetra. Është ky investim i përbashkët i Komunës së Gostivarit dhe Agjencisë për Rrugë me fonde nga Bashkimi Evropian për zhvillim dhe rindërtim. 

Gjatë përurimit të këtij projekti, për mediumet u shpreh edhe kryetari i komunës Bejta:

Kemi ardhur bashkë me deputetët e zonës, përfaqësuesit e Muftinisë së Gostivarit edhe herë të tjera, por këtë gëzim të banorëve të fshatit Simnicë, fshatit të veprimtarit të madh kombëtar, Xhemë Hasa, nuk e kemi parë asnjëherë. Atë që e premtuam në këtë fshat, sot u bë realitet. Fshati Simnicë u ngjanë më fshatrave nga shtetet e Bashkimit Evropian. Thuajse të gjitha rrugët e fshatit u asfaltuan. Me fonde nga Komuna e Gostivarit u asfaltuan rrugët prej te kthesa e fshatit Cerovë drejt Mëhallës së epërme, rruga për te Xhamia e vjetër dhe varri i Xhemës, si dhe dy rrugica të fshatit. Me fonde nga Agjencia e Rrugëve u asfaltuan rruga nga qendra e fshatit drejt fshatit Cerovë. Po ashtu, në fazë tenderimi nga Qendra e Pollogut është hapja e trasës së mbetur të rrugës për në fshatin Cerovë dhe do të financohet Byroja për Zhvillim Rajona

Bejta, më tej ai shtoi që:

Me këtë investim, fshati lidhet me rrugën kryesore që lidh Gostivarin me Mavrovën dhe Kërçovën. Rruga do të shfrytëzohet edhe nga banorët e vendbanimeve të tjera përreth, dhe fshatit i janë krijuar kushte që të zhvillohet ekonomia lokale, duke e ditur se Simnica ka pozitë të mirë gjeografike dhe kushte shumë të mira natyrore për kultivimin e shumë produkteve të qumështit dhe blegtorale. 

Gjatë përurimit u prononcua dhe deputeti i asaj zone, tani kryetar i parlamentit, Talat Xheferi:

Ky investim ka qenë premtim shumëvjeçar i shumë politikanëve, por vetëm tani u arrit të bëhet realitet.

Sipas verifikimit tonë, premtimi i kryetarit të Komunës së Gostivarit për “Asfaltimin e rrugëve të brendshme të fshatit Simnicë”, është realizuar. Vlen të theksohet që, në raste të ndryshme janë dhënë shifra të ndryshme për gjatësinë e rrugës së asfaltuar, gjegjësisht, në paralajmërimet e para mbi 1400 metër, më pas diku afërisht 1700, ndërsa pas realizimit, kryetari Bejta pohon që janë asfaltuar diku 3,5 kilometra.

BURIME:

Vlerësoi: Drilon Saliu

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.