Është ndërtuar kanalizimi në Debresh, Gostivar

Projekti: Ndërtimi i kanalizimit fekal në Debresh, Gostivar.

ARSYETIM: Ndërtimi i kanalizimit në Debresh të Gostivarit u premtua gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve në vitin 2014, në Platformën promovuese të Bashkimit Demokratik për Integrim, fq.261/148. Si afat për përfundimin e punimeve lidhur me këtë projekt u dha viti 2017. Deri më tani (25.12.2016), ky premtim është i realizuar.

“Do ndërtohet kanalizimi për ujërat e zeza në Debresh me bashkëfinancim komunë – ministria e Ekologjisë”. 

Kështu kishin njoftuar nga Komuna e Gostivarit pas nënshkrimit të marrëveshjes  me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, për ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza në fshatin Debresh në gjatësi prej 1500 metra. (burimi: Shërbimi për Informim- Komuna e Gostivarit, 25.05.2015)

Punimet për ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza kanë filluar më 11.06.2015 në prani të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, Ministrit të Ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Nurhan Izairi dhe ministrit të drejtësisë Adnan Jashar. Projekt ishte i bashkëfinancuar nga Ministria e ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor dhe Komuna e  Gostivarit. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta në prononcimin për mediat kishte deklaruar se me ndërtimin e kanalizimit fekal të fshatit Debresh, ky fshat merr pamjen e një vendbanimi urban.

Ne punojmë që të gjitha vendbanimet e Komunës së Gostivarit të kemi rrjetin e kanalizimit për ujërat e zeza“. (burimi: TV2 Gostivar, 11.06.2015)

Ndërsa, Ministri i ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Nurhan Izairi  kishte deklaruar se ky projekt që po realizohet në suaza të programit investues për vitin 2015, në fazën e parë do të kushtojë mbi 10 milion denarë, ndërsa institucioni që ai drejton do të financon 5 milion denarë apo rreth 48 % të mjeteve të përgjithshme financiare. Ministri Izairi potencoi se projekti për menaxhim me ujërat e zeza ngelet prioritet i veçantë për ministrinë që drejton.

Me ndërtimin e kanalizimit në gjatësi prej 1500 metra, do të mbrohet shëndeti publik i popullatës që jeton në fshatin Debresh. Do të sigurohet mbrojtje e mjedisit jetësor, ndërsa do të parandalohet edhe shfaqja e sëmundjeve ngjitëse“. (burimi: TV2 Gostivar, 11.06.2015)

Më 25.12.2o16 pas kërkesës së parashtruar nga Vërtetmatësi deri te Komuna e Gostivarit, njoftojnë se punimet për ndërtimin e kanalizimit fekal në fsh. Debresh, janë përfunduar në tërësi.

“Punët për ndërtimin e kanalizimit të ujërave fekale në fshatin Debresh, të parapara me kontratën nr. 22-623/22, për realizimin e punëve ndërtimore- ndërtimi i kanalizimit fekal në fsh. Debresh, në tërësi janë përfunduar”. (burimi: Vërtetmatësi, 16.12.2016)

Sipas asaj që kemi arritur të vlerësojmë, ne bazë të Metodologjisë së Vërtetmatesit përfundojmë që premtimi për ndërtimin e kanalizimit në fsh. Debresh, është i plotësuar.

BURIME:

Vlerësoi: Rabie Abazi

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.