Cilat projekte shkurtohen dhe cilat ngelen të paprekura nga rebalanci i Buxhetit?!

 

Programet dhe projektet e ministrive dhe agjencive shtetërore të cilave do të ju shkurtohen mjete ose do t`ju shtohen më rebalancin e buxhetit të propozuar nga Qeveria e re

 

Rritja ekonomike do të ngadalësohet – qeveria ua dërgoi deputetëve propozim-rebalancin e buxhetit të këtij viti. Janë zvogëluar projektimet për të ardhurat buxhetore, mirëpo janë zvogëluar edhe shpenzimet. U shkurtuan shpenzimet për mallra, shërbime, furnizime të parealizuara, vetura, celularë. Shkak për këto korrigjime, së bashku me optimizmin e zvogëluar për rritjen ekonomike, sipas krijuesit të politikave, është kriza politike

Projektimi për rritjen ekonomike në vitin 2017 është zvogëluar në 2,2% në krahasim me projektimin inicial prej 3,0%, që kryesisht është pasqyrim i efekteve nga kriza e zgjatur politike në vend mbi ekonominë, në pjesën më të madhe si rezultat i përmbajtjes së sektorit privat nga investimet më të mëdha në muajt e fundit – thuhet në buxhetin e rebalancuar.

Një pjesë e projekteve që tashmë kanë filluar do të vazhdojnë, mirëpo sipas analizës që e bëri “Portalb”-i, megjithatë te një pjesë e tyre ka shkurtime. Ja se nga cilat programe të ministrive dhe të agjencive do të shkurtohen ose do të shtohen para.

 

DO TË KETË PARA PËR SKËNDERBEUN, SPITALET, GAZIFIKIMIN…

Nëpërmjet Agjencisë për Punësim, e me qëllim që të zbatohen masat aktive për punësim me të cilat do të përfshihen kategori të caktuara të personave të papunësuar, me rebalancin rritet shuma e këtij nënprogrami në nivel prej 14,4 milionë eurosh.

Për reforma në Agjencinë për Kadastër, shuma e planifikuar prej 841.000 еurosh mbetet në nivelin e njëjtë, ndërsa te mjetet për sistemin informatikë të gjeodezisë dhe të kadastrës ka rritje në 1,5 milionë euro. Në nivelin e njëjtë prej 2,1 milionë eurosh mbeten edhe mjetet për zhvillim të barabartë rajonal nëpërmjet Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, ndërsa nuk ka ndryshim as në shumën e parave të cilat nëpërmjet kësaj ministrie janë dedikuar për bashkëpunim ndërkufitar, në lartësi prej 1 milionë eurosh. Nëpërmjet Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, nën kompetencat e të cilës është sheshi Skënderbeu, me rebalancin, shuma e parave për aktivitete investuese për rregullimin e sipërfaqeve publike, e me qëllim të ndërtimit të sheshit Skënderbeu, mbetet në nivelin prej 3,4 milionë eurosh, me çka konsiderohet se ky projekt do të përfundohet këtë vit, për shkak se nuk janë paraparë mjete për buxhetet e viteve 2018 dhe 2019.

Rritje ka te mjetet e planifikuara për ndërtimin e qendrës së re klinike në Shkup dhe në Shtip, për të cilat deri në fund të vitit duhet të harxhohen 11 milionë euro.

Programi do të përfshijë ndërtim të Qendrës së re klinike “Nënë Tereza” në Shkup, ku do të vendosen së paku 25 klinika dhe disa institute, si dhe ndërtimi i Spitalit të ri klinik në Shtip. Ky projekt i rëndësishëm kapital në sektorin shëndetësor do ta mbështesë reformën e vazhdueshme të sistemit shëndetësor, me qëllim të përparimit, përmirësimit dhe ruajtjes së shëndetit të popullatës, thuhet në rebalancin e propozuar të buxhetit.

Nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, për shumë pak zvogëlohen mjetet për pesë qendra, ndërsa në nivelin e njëjtë prej pothuajse 1,2 milionë eurosh mbeten mjetet për Spitalin klinik të Tetovës, Spitalin e përgjithshëm të Kërçovës dhe kulmin e spitalit në Gostivar. Dukshëm zvogëlohen paratë për projektin “Kartela shëndetësore”, për të cilin qeveria e re planifikon vetëm dy mijë euro, në vend të dhjetëra mijëra eurove iniciale. Nëpërmjet Agjencisë për të Rinj dhe Sport, për objekte sportive është paraparë buxhet prej pothuajse 5 milionë eurosh, në vend të 5,4 milionë eurove fillestare.

Në Ministrinë së Arsimit, për nënprogramin për rekonstruimin e konvikteve studentore shuma mbetet e njëjtë, në nivel prej 81.300 еurosh, ndërsa për ndërtimin dhe rikonstruimin e konvikteve studentore është zvogëluar në 2,7 milionë euro, me atë që në vitin e ardhshëm kjo shumë do të rritet në 4 milionë euro. Në këtë ministri zvogëlim do të ketë edhe te nënprogrami zhvillues për ndërtimin e sallave sportive shkollore në shkollat e mesme dhe për rikonstruimin dhe ndërtimin e shkollave të mesme. Zvogëlohen edhe mjetet e parapara për këto qëllime për shkollat fillore. Për projektin “Përkthimi i librave të autorëve me renome”, shpenzimet janë zvogëluar në 1,3 milionë euro, ndërsa zvogëlim ka edhe te nënprogrami me të cilin janë paraparë aktivitete për përkthimin dhe shtypjen e 50 librave universitarë, të cilat përdoren në 10 universitetet e para të ranguara sipas Listës së Shangajit.

Nëpërmjet Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale për nxitjen e punësimit janë paraparë 226.000 еuro, që paraqet rritje në krahasim me projektimet paraprake.

Qëllimi kryesor i këtij nënprogrami është rritja e punësimit si prioritet kulmor i Qeverisë së RM-së dhe mënyrë më e mirë për t’u ballafaquar me varfërinë dhe përjashtimin social. Në kuadër të këtij programi janë planifikuar mjete për punësimin e fëmijëve pa prindër dhe pa kujdes prindëror, thuhet në propozim-rebalancin e buxhetit.

Nëpërmjet Ministrisë për Transport, plotësisht eliminohen mjetet për zhvillimin e zonave zhvillimore turistike, si dhe për ndërtimin e ujësjellësit dhe të kanalizimit në Vizbeg. Për investime në infrastrukturën hekurudhore buxheti është zvogëluar në 16,1 milionë euro. Për nënprogramin për ndërtimin e plazheve mjetet janë përgjysmuar në 650.000 еuro. Për projektin kyç “Gazifikimi”, shuma mbetet e njëjtë, për të cilin këtë vit janë planifikuar 31,5 milionë euro.

Me këtë nënprogram janë përfshirë aktivitete për ndërtimin e Sistemit nacional të gazsjellësit në Republikën e Maqedonisë, pasi paraprakisht është përgatitur studimi i fizibilitetit për sistemin gazsjellës në Republikën e Maqedonisë me projekt ideor dhe dokumentacion të përgatitur të projektit. Sistemi nacional i gazsjellësit financohet me mjete nga obligimet e Federatës Ruse ndaj Republikës së Maqedonisë, si dhe me hua nga Dojçe Banka dhe Erste Grup Banka” – thekson propozuesi i buxhetit.

Nëpërmjet Ministrisë për Punë të Brendshme më pak para janë paraparë për reformat e policisë, dhe për këtë qëllim janë dedikuar 7,8 milionë euro, ndërsa rritje, në mes tjerash, ka edhe te nënprojekti për rikonstruim dhe pajisje të ndërtesave, me çka duhet të përmirësohen kushtet për punë të të punësuarve në MPB, sigurimi i infrastrukturës përkatëse në përputhje me standardet evropiane dhe pajisja e tyre me materiale-teknike. Në Ministrinë e Mbrojtjes rriten mjetet për modernizim të MM-së në shumë prej 300.000 eurosh.


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *