ANALIZË: Zvogëlohet numri i nxënësve në Maqedoni, nuk ka cilësi, duhet të nisin reformat

Në këtë vit shkollor 2017/2018, numrat e filloristëve të posa regjistruar nuk paralajmërojnë optimizëm. Këtë vit janë regjistruar numër më i vogël i nxënësve të klasës së parë në krahasim me pesë vitet e kaluara. Një pjesë e ekspertëve thonë se këto të dhëna janë shqetësuese dhe flasin për probleme serioze në lidhje me natalitetin, emigrimin dhe gjendjen e përgjithshme ekonomike-politike në vend, shkruan analiza javore e Portalb.mk. Në ndërkohë, analiza e re e publikuar nga “Finance think” i konstaton problemet dhe prioritetet në arsimin fillor, ku është duke u zvogëluar numri i nxënësve.

Shkruan: Aneta Dodevska

Zvogëlimi i numrit të nxënësve të regjistruar në klasën e parë, në afat të mesëm e ndryshon dukshëm edhe gjendjen dhe strukturën e gjithë arsimit fillor, vlerësojnë analistët, pasi institucionet kompetente publikuan se këtë vit në klasë të parë janë regjistruar rreth 20.500 fëmijë.

“Me vite dihet se numri i nxënësve në klasën e parë po zvogëlohet, dhe gjithsesi është e qartë se kjo ndikon edhe në numrin e përgjithshëm të nxënësve në arsimin fillor. Duke i analizuar të dhënat zyrtare për numrin e nxënësve në arsimin fillor, e veçanërisht numrin e nxënësve në klasën e parë, mund të konstatoj se numri i tyre shënon rënie të vazhdueshme në seri. Nëse flasim për atë se sa ka qenë numri i nxënësve në klasën e parë në vitin shkollor 2008/2009, duhet thënë se numri i tyre ka qenë 23.103 nxënës. Në fillim të këtij viti shkollor, 2017/2018, janë regjistruar rreth 20.437 nxënës që tregon se ka rënie të numrit të nxënësve gjatë kësaj periudhe për 2.666 nxënës. Në vitin shkollor 2016/2017, numri i nxënësve në klasën e parë ka qenë 23.266, që paraqet rritje prej 1.519 nxënësve në krahasim me vitin shkollor 2015/2016, mirëpo ky trend kërkon sqarim më të gjerë edhe për shkencën edhe për publikun. Megjithatë, edhe sa i përket kësaj informate gjendja është dëshpëruese, gjegjësisht në vitin 2017/2018 në krahasim me vitin 2016/2017, numri i nxënësve në klasën e parë është zvogëluar për madje 2.829 nxënës” – thotë për Portalb.mk statistikani Donço Gerasimovski.

Zvogëlimi i numrit të nxënësve të klasës së parë nuk është trend naiv, përkundrazi, ai nxjerr në pah një sërë problemesh të shoqërisë, veçanërisht sa i përket natalitetit, thonë ekspertët. Kështu, fëmijët që kanë lindur para gjashtë vitesh tani duhet të jenë nxënës të klasës së parë të shkollës fillore. Mirëpo, atë që e kemi si rezultat fillestar nuk përputhet – komentojnë ekspertët.

“Para gjashtë vitesh ose në vitin 2011 kanë lindur 22.770 fëmijë. Nëse këtë numër e krahasojmë me numrin e fëmijëve që janë regjistruar në klasë të parë në këtë vit shkollor do të fitojmë rezultat negativ. Dallimi është i madh edhe atë 2.333 fëmijë. Në fakt, aq fëmijë mungojnë sot në klasën e parë. Tani edhe një çështje më aktuale, ku janë këta fëmijë? Aq më tepër, të mos e potencoj faktin se arsimi fillor është i detyrueshëm me ligj. Shkaqet janë shumë të qarta, edhe atë nataliteti i zvogëluar, shtimi i zvogëluar natyror i popullsisë, të dhënat e pamjaftueshme zyrtare për shpërnguljen e popullatës nga vendi, e veçanërisht të të rinjve. Gjendja është me të vërtetë e këtillë dhe nuk duhet humbur shumë kohë për të diskutuar për to, mirëpo edhe përkundër strategjive të shumta, ligjeve, programeve, planeve, mjeteve të ndara dhe të shpenzuara financiare gjatë nëntë viteve të kaluara, rezultatet janë dëshpëruese, apo thënë ndryshe negative” – thotë për Portalb.mk Gerasimovski, njëri nga drejtorët e mëparshëm të Entit shtetëror të statistikës.

Cilësia e arsimit…

Dhe përderisa statistika shënon ndryshime negative në aspekt sasior, analitika nën thjerrëz e vendon cilësinë e arsimit fillor. Në analizën e publikuar të “Finance think”, u potencuan dobësitë dhe mangësitë e procesit arsimor, mirëpo edhe një sërë rekomandimesh deri te institucionet kompetente.

Kështu, analiza, “Prej numrave në praktikë – identifikimi dhe analiza e indikatorëve që ndikojnë në cilësinë e procesit mësimor në arsimin fillor në Maqedoni”, në mesh tjerash nxjerr në pah se mega-projekti “Kompjuter për çdo fëmijë” nuk i ka dhënë rezultatet e pritura.

“Nga përgjigjet e arsimtarëve fitohet përshtypja se pjesa më e madhe e tyre (80 për qind) e përdorin TIK-un së paku një herë në javë. Megjithatë, frekuenca e zbatimit të TIK-ut nuk është e lidhur me kënaqësinë nga pajisja teknike e shkollës. Sipas kësaj, duke e pasur parasysh se më shumë se gjysma e arsimtarëve (62,5 për qind) janë vetëm pjesërisht të kënaqur nga pajisja teknike e shkollave të tyre, ndërsa 15,7 për qind aspak nuk janë të kënaqur prej tyre, hapet dilema se si ata e realizojnë një të tretën e orëve të parapara duke e përdorur TIK-un” – thuhet në hulumtimin e ri të publikuar.

Njohuria kyçe nga anketat e realizuara në këtë hulumtim është ajo se nxënësit në arsimin fillor në Maqedoni kanë kompetenca dhe aftësi dukshëm më të vogla për të fituar njohuri në krahasim me mesataren evropiane.

“Analiza tregon se te nxënësit e Maqedonisë në përqindje shumë të vogël janë zhvilluar tre nivelet e kompetencës dhe të njohurive që i mat testimi i PISA-s, dhe ato janë dukshëm nën mesataren evropiane. Konkretisht, një në katër nxënës në Maqedoni ka kompetenca që janë të nevojshme për kuptimin, zbatimin dhe për vlerësimin e hulumtimit shkencor. Kjo informatë tregon se sistemi arsimor nuk i zhvillon sa duhet te nxënësit mendimin kritik dhe qasjen shkencore për shqyrtimin e informatave. Perceptimi i nxënësve për përmbajtjet arsimore është se ato nuk janë të lidhura në mënyrë adekuate me jetën e përditshme dhe nuk janë të zbatueshme “ – theksojnë hulumtuesit, njofton Portalb.mk.

Pikët e dobët e arsimit fillor mbetet edhe cilësia teksteve shkollore, nga të cilat mësojnë nxënësit. Ministria për Arsim paralajmëroi se do ta rishqyrtojë programin Kembrixh, ndërsa si shkarkim i rëndësishëm i procesit arsimor u përmend edhe heqja e testimit ekstern.


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *