ANALIZË: Viti i Ri 2019 – një vit “i nxehtë” politik dhe i pasigurt ekonomikisht!

Foto pixabay.com

 

Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, zgjedhjet presidenciale, përgatitjet për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian  – zhvillime të rëndësishme politike e presin vendin në vitin 2019, ndërsa nga realizimi i tyre do të varet edhe kursi ekonomik – si dhe ku do të shkojmë në planin ekonomik, komentojnë analistët për “Portalb“-in, duke dhënë parashikime dhe vlerësime për atë se cilat do të jenësfidat dhe rreziqet në vitin e ri.

 

Shkruan: Aneta Dodevska 

 

ANËTARËSIMI NË NATO, ZGJEDHJET PRESIDENCIALE, PROTESTAT E OPOZITËS…

Edhe në vitin e ri 2019, ekonomia do të jetë në hije të politikës. Pritjet për anëtarësim në NATO, zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe mobilizimi i pritur  i opozitës për të organizuar protesta të intensifikuara do të ndikojnë dukshëm në ambientin ekonomik në vend, thotë profesori Miroljub Shukarov.

Në vitin e ardhshëm 2019, mund të pritet të përshkallëzohen presionet politike dhe armiqësitë, mu për shkak të zgjedhjeve të ardhshme të rregullta presidenciale, si dhe përmbylljes së Marrëveshjes së Prеspës, konkretisht ratifikimit të Marrëveshjes së Prepsës nga Parlamenti grek, pranimi i Maqedonisë në NATO,  marrja zyrtare e datës për fillimine negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mu për këtë arsye kundërshtarët më të mëdhenj politikë do ta forcojnë agjendën e tyre politike duke organizuar protesta, duke demonstruar fuqi, duke i ngritur të gjitha format e tensioneve, e bile edhe duke e rritur prezencën e informacioneve të frikshme në media, veçanërisht në rrjetet sociale. Afërsinë e zgjedhjeve presidenciale, kundërshtarët politikë e shohin si një test të madh për pozitën e tyre dhe mundësinë për të siguruar pozitë më të mirë duke mos i zgjedhur mjetet për këtë, shpeshherëduke i vënë interesat e vendit në plan të dytë. Armiqësia politike do të përshkallëzohet dhe do të ketë ndikim të madh negativ edhe mbi ekonominë. Personalisht, pres që viti 2019 të jetë një vit i vështirë në rrafshin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik – thotë profesor Shukarov për “Portalb”-in.

Se politika do të mposhtë ekonominë edhe këtë vit, konsideron edhe profesori Sami Bislimi.

“As viti 2019 nuk do të ndryshojë dukshëm nga viti 2018. Për të pasur ndonjë ndryshim thelbësor, është e nevojshme të ndryshohen bazat, gjegjësisht të dihet në cilin kapacitet bazohemi gjatë parashikimit të shpresës për përmirësimin e situatës, për rritje dhe zhvillim më dinamik ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies ekonomike në një ambient kur pothuajse asgjë nuk është investuar për rritjen, gjegjësisht zgjerimin e kapacitetit prodhues  të ekonomisë së vendit. Premtimet do të mbeten vetëm dëshira nëse ato nuk bazohen në ndonjë bazë reale  – thotë profesori Bislimi.

QEVERIA PRET SUKSES EKONOMIK – A DO TË REALIZOHET KJO?

Zvogëlim i papunësisë, rritje e rrogave, klima më e mirë afariste për kompanitë vendase dhe ato të huaja paralajmërojnë krijuesit e politikave ekonomike në vitin 2019. Viti i ri është tashmë filloi me ndryshim të sistemit tatimor – u fut në përdorim tatimi progresiv. Gjatë vitit 2019 do të shpenzohet buxheti më i madh prej 3.9 miliardë eurosh, me të cilin është paraparë rritje e rrogave të punonjësve që marrin rrogë nga buxheti i shtetit.

Nëse viti 2018 ishte vit i reformave të mëdha dhe i hedhjes së themeleve për një sistem më të mirë ekonomik, viti 2019 duhet të jetë vit në të cilin efektet e këtyre reformave duhet të ndjehen më seriozisht. Presim që rrogat të vazhdojnë të rriten edhe në vitin e ardhshëm, të hapen vende të reja pune, të intensifikohen investimet dhe të vazhdojmë me agjendën për integrimet euroatlantike – deklaroi ministri i financave, Dragan Tevdovski, në fund të vitit 2018.

Sipas Zdravko Saveskit nga “E Majta” (“Levica”) në vitin e ri 2019, nuk mund të priten rezultate të rëndësishme pozitive ekonomike, përkundrazi – ai paralajmëron rreziqe.

E para, pasi që edhe qeveria aktuale vazhdon të prodhojë deficit në buxhet, vazhdon të marrë hua që do t’i paguajnë brezat e ardhshëm – ndryshime nuk ka. E kishin mundësi, për shkak se projektuan të ardhura për vitin e ardhshëm aq sa shpenzimet për këtë vit, të hartojnë një buxhet, i cili, për herë të parë pas një kohe të gjatë, nuk do të përmbante deficit. Mirëpo, jo! Meqenëse qenkemi një vend me nivel mesatar të ngarkesës me borxhe, këtë e konsiderojnë si dritë jeshile për të na shndërruar në vend me nivel të lartë të borxheve! Edhe shpenzimi i mjeteve buxhetore nuk tregon se është bërë ndonjë hap i rëndësishëm përpara. Ndotja është njëri nga problemet më të nxehta? Rritja e mjeteve buxhetore është në nivel tepër të ulët prej 0.6% në krahasim me vitin 2017. Për dallim nga mjetet buxhetore për integrim në NATO, të cilat u rritën për një përqindje të pabesueshme prej 956% në krahasim me vitin 2017. Kjo flet shumë për prioritetet e pushtetit aktual – thotë Saveski, duke shtuar:

 

Marrë në përgjithësi, dukshëm u rrit buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa buxhetet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Ministrisë së Kulturës janë zvogëluar. Janë zvogëluar edhe mjetet për financimin e aktiviteteve në fushën e kulturës dhe mjetet për shkencë. Ndoshta e vetmja gjë për t’u përshëndetur është rritja e mjeteve buxhetore për kompensimet në fushën sociale në buxhetin e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale. Por, duke pasur parasysh se paralelisht planifikojnë t’i godasin më të varfërit, duke i penguar pensionistët, shfrytëzuesit e ndihmave sociale dhe punonjësit me honorar që duke shitur në pazar të mund të dalin në fund të muajit, seriozisht parashtrohet pyetja nëse ndryshimet në politikën tatimore synojnë ta përmirësojnë standardin jetësor të shtresës më të varfër apo mbledhjen e mjeteve buxhetore shtesë, të cilat, po, do të përdoren për të hedhur thërrima dhe për ta përmirësuar imazhin, por do të përfundojnë edhe në xhepa privatë.

Përderisa analistët paralajmërojnë rreziqe, qeveria me optimizëm paralajmëron vit të suksesshëm ekonomik 2019. Disa ekonomistë janë të bindur se edhe viti 2019 do të jetë i kushtëzuar nga çështjet politike.

Rreziqe do të ketë edhe në vitin 2019. Nëse dështon realizimi i ndryshimeve kushtetuese, atëherë sipas të gjitha gjasave do të hyjmë në një gjendje të padëshiruar të izolimit të mundshëm, pa ndihmën e botës perëndimore nga njëra anë dhe pa kapacitete të mjaftueshme ekonomik vendor dhe mjete financiare për ta inkurajuar rritjen ekonomike dhe zhvillimin, nga ana tjetër. Nuk do të doja që ky opsion të jetë realiteti ynë – thotë profesori Bismili.

Maqedonia pret që në vitin 2019 ta përmbushë kriterin kyç politik që do t’i zhbllokojë integrimet euroatlantike – zbatimin e Marrëveshjes së Prespës duke e ndryshuar emrin kushtetues të vendit.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.