ANALIZË: Viti 2018 – humbjet dhe fitoret ekonomike!

Скопје Foto: portalb.mk

 

2018 ishte një vit i kthesës politike, por jo edhe ekonomike.  Zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë e vendosi ekonominë në “plan të dytë”, por disa ekonomistë shpresojnë se ky veprim do të sjellë përfitime për ekonominë – stabilitet të qëndrueshëm politik dhe të sigurisë si kusht edhe për stabilitet ekonomik. “Portalb”-i anketoi disa analistë, të cilët, përmes qëndrimeve të tyre, e vlerësojnë vitin ekonomik 2018.

 

Shkruan: Aneta Dodevska 

 

 BIZNES I TËRHEQUR, INVESTIME PUBLIKE TË PAREALIZUAR

Përqindje të ulëta të rritjes ekonomike, nivel i ulët i realizimit të investimeve kapitale, rritja e borxheve. Këto janë referencat negative të ekonomisë që, sipas disa ekonomistëve, e karakterizuan vitin 2018.  Analistët janë unanimë për një gjë, e ajo është se në vitin që po  kalon nuk kishte ndryshime drastike në politikat ekonomike, por kishte përpjekje për të promovuar politika të reja që duhet të sjellin ndryshime në të ardhmen.

Viti 2018 është vit që për asgjë nuk dallon nga vitet e mëparshme. Këtë vit e përmbyllim me përqindje të ulët të rritjes ekonomike, shumë më poshtë se sa niveli i paraparë, me përqindje të ulët të realizimit të investimeve kapitale, pa investime për rritjen e tregut të kapitalit dhe fuqisë punëtore, që nga pikëpamja ekonomike këtë vit e bëjnë të konsiderohet si i humbur. Ndryshimet e caktuara në strukturën e rritjes ekonomike janë rezultat i gjendjeve të caktuara në veprimtarinë e ekonomisë, e jo rezultat i forcimit të kapacitetit prodhues të ekonomisë së vendit – thotë profesori Sami Bislimi.

Një nga premtimet kryesore të qeverisë ishte relaksimi i klimës afariste, çlirimi i firmave nga “presioni” dhe “shantazhimi”, sqaron profesori, Miroljub Shukarov. Sipas tij, në vitin që kaloi ishte e dukshme përmbajtja nga investimet.

Qeveria premtoi një klimë të relaksuar afariste dhe ndërprerje të presionit që bëhej vazhdimisht mbi firmat gjatë periudhës së kaluar. Shumë firma u goditën për shkak të interesit për t’u arkëtuar tatime ligjore dhe të paligjshme, dogana, taksa ose shantazhe, dënime, ose për të zhvatur kontribute, dhurata. Megjithatë, rezultate nga ky lloj i premtimeve ende nuk ka, e nëse edhe ka, ato janë sporadike. Shumica e kompanive të shantazhuara gjatë periudhës së regjimit të mëparshëm mbetën të likuiduara ose të bllokuara në labirintet e gjata gjyqësore ose të ngarkuara me dënime dhe shpenzime të mëdha, nganjëherë edhe me efekt retroaktiv (dogana, DHP-ja, ministri dhe agjenci të ndryshme). Zgjidhje për ta ende nuk është duke u parë. Përkundrazi, duket se mbizotëroi inercia dhe frika e punonjësve të administratës publike për të ndërmarrë çfarëdo qoftë masash për zgjidhjen e problemeve të shtresuara me vite. Ata kanë frikë se dikush mund të ndërmarrë masa ndëshkimore kundër tyre në të ardhmen, kështu që ata mbrohen me prolongim të problemeve dhe me mospunë. Nuk jam shumë optimist se do të gjendet ndonjë zgjidhje e përgjithshme për këto lloj problemesh. Duhet të theksoj se shumë investitorë të mundshëm përmbahen nga investimet duke e shikuar çdo administratë si pengesë apo rrezik potencial – komenton profesori Shukarov për “Portalb”-in.

Sipas majtistit Zdravko Saveski, viti 2018 është viti në të cilin pushteti e ka harruar ekonominë.

Pushteti, në mes të defokusimit që e bëri me çështjet kombëtare, mori guximin madje edhe t’i reduktojë të drejtat e punëtorëve në ndryshimet e shumëpritura të Ligjit për marrëdhënie pune. E zvogëloi kohëzgjatjen e shpalljes për punësim nga pesë në tre ditë, gjë që do të ndikojë veçanërisht në punësimet në sektorin publik, ku është e nevojshme të mblidhen shumë dokumente për aplikim për vend pune, e kjo do të çojë në partizim të mëtejshëm të sektorit publik. Dikush do të thotë se e kanë rritur rrogën minimale në 12.000 denarë, por me këtë rast duhet marrë parasysh faktin se e futën edhe kontributin e normuar, me çka hapën një portë të gjerë për shkelje masive të rrogës minimale në realitet. Është mirë që Gjykata Kushtetuese, pas iniciativave të së “Majtës” dhe Lidhjes së Sindikatave, e shfuqizoi kontributin e normuar kontestues, kështu që rreziku për shkelje masive të rrogës minimale në realitet së paku u kufizua deri diku, thotë Zdravko Saveski nga “E Majta”, duke shtuar:

Në përgjithësi, njerëzit e zakonshëm edhe në vitin 2018 vazhduan me vështirësi ta lidhin fillimin dhe fundin e muajit. Dhe, të zhgënjyer nga veprimi i njëjtë i qeverisë së tanishme me atë të mëparshmen, edhe më shumë shpëtimin e vetëm e shohin në emigracion.

 

 

NGJARJE POZITIVE: RRITJE E PAGËS MINIMALE DHE PËRKRAHJE BUXHETORE PËR KOMPANITË VENDASE

Si impulse pozitive që mund të dallohen në ekonomi gjatë vitit 2018, ekonomistët i theksojnë:  politikat për mbështetjen e biznesit të vendit, mbështetja më e madhe për kategorinë e qytetarëve më të rrezikuar – ata me status të rrezikuar social, masat për zvogëlimin e papunësisë, rritja e rrogës minimale.

Do ta theksoj rritjen e rrogës minimale si një frymëzues i rëndësishëm potencial për rritjen e konsumit të brendshëm dhe si faktor që mund të ndikojë, prej poshtë lartë, mbi rritjen e PBB-së. Ideja është e mirë dhe mund të japë rezultate pozitive edhe në drejtim të rritjes mesatare të rrogave, por edhe në stimulimin e trendit afatgjatë të rritjes së investimeve të induktuara dhe barazisë së të ardhurave si faktor i rritjes, i pranuar në gjithë botën – thotë profesori Shukarov.

Sipas Saveskit, një nga problemet që do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2019 do të jetë huamarrja.

Pasi që edhe qeveria aktuale vazhdon të prodhojë deficit në buxhet, vazhdon të marrë hua që do t’i paguajnë brezat e ardhshëm – ndryshime nuk ka. E kishin mundësi, për shkak se projektuan të ardhura për vitin e ardhshëm aq sa shpenzimet për këtë vit, të hartojnë një buxhet, i cili, për herë të parë pas një kohe të gjatë, nuk do të përmbante deficit. Mirëpo, jo! Meqenëse qenkemi një vend me nivel mesatar të ngarkesës me borxhe, këtë e konsiderojnë si dritë jeshile për të na shndërruar në vend me nivel të lartë të borxheve! Edhe shpenzimi i mjeteve buxhetore nuk tregon se është bërë ndonjë hap i rëndësishëm përpara. Ndotja është njëri nga problemet më të nxehta? Rritja e mjeteve buxhetore është në nivel tepër të ulët prej 0.6% në krahasim me vitin 2017. Për dallim nga mjetet buxhetore për integrim në NATO, të cila u rritën për një përqindje të pabesueshme prej 956% në krahasim me vitin 2017 – thotë Saveski për” Portalb”-in.

Nga ana tjetër, profesori Bislimi vëren sinjal pozitiv në ndryshimet e paralajmëruara në segmentin social, gjegjësisht në përpjekjen e pushtetit për ta zvogëluar dallimin e thellë ekonomik dhe social të shoqërisë.

Disa ndryshime në sferën sociale, konkretisht Ligji për rrogë minimale dhe projekti i tatimin progresiv të të ardhurave mund të konsiderohen si hapa pozitivë, por kjo nuk mjafton për të dhënë vlerësim pozitiv në aspekt të realizimit të qëllimeve kryesore të politikës ekonomike. Borxhet po rriten, e nuk ka realizim të ndonjë projekti të rëndësishëm në sferën ekonomike, që do të ishte në funksion të nxitjes së rritjes dhe zhvillimit ekonomik – thotë profesor Bislimi.

Në vitin në të cilin qeveria promovoi politika për mbështetje të shtuar të kompanive vendase, si veprim që pasoi kritikave të shumta për qëndrimin diskriminues ndaj biznesit vendas në krahasim me atë të huaj.

Ndoshta duhet të theksohet përpjekja për të dhënë mbështetje buxhetore për aktivitetin ekonomik vendas përmes masave të marra për rritjen e punësimit afatgjatë, novacionit, eksportit, zgjerimit të bashkëpunimit me kompanitë në ZZHTI, si dhe krijimin e qendrave hulumtuese të biznesit. Efektet e këtyre masave do t’i matim vitin e ardhshëm, si dhe aktivitetin e fuqishëm për kontrollimin e investimeve të mëparshme kapitale dhe rritjen e kapacitetit administrativ për këtë qëllim – thotë profesori Shukarov.

Qeveria paralajmëroi se viti 2019 do të jetë vit që do të karakterizohet me ekonominë, gjegjësisht se pas zgjidhjes së çështjeve të jashtme dhe të brendshme politike, vitin e ardhshëm fokusi do të jetë në çështjet ekonomike.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.