ANALIZË: Vetëm 21% e fidanëve të projektit “Dita e drurit” kanë mbijetuan!

Foto: Meta - printscreen

 

Mospërputhje të të dhënave për prerjen e paligjshme të drurëve ndërmjet institucioneve kompetente, shkatërrim i pyjeve me prerje ilegale, probleme me të punësuarit në NP “Pyjet e Maqedonisë”, mungesë e burimeve njerëzore për lokalizimin dhe parandalimin e zjarreve, shkruan analiza javore ePortalb.mk.

 

Këto janë vetëm një pjesë e gjetjeve të shënuara në raportin e ri të revizionit të titulluar “Efikasiteti i masave, politikave dhe projekteve për mbrojtjen e pyjeve në Maqedoni”, i cili e analizon situatën me mbrojtjen e pyjeve, por edhe problemet me të cilat u përballen institucionet kompetente nga viti 2015 deri në vitin 2017

“Edhe pse ka kaluar një periudhë prej tetë vjetësh që nga futja e detyrimit për miratimin e Planit të përgjithshëm për menaxhimin e pyjeve, si një nga dokumentet bazë të planifikimit, i njëjti ende nuk është miratuar “- thuhet në raportin e revizionit. 

Përndryshe, ky plan duhet të vlejë për 20 vjet dhe të miratohet nga Kuvendi.

 

SKANDALOZE – REGJISTRIMI I FUNDIT I PYJEVE NË 1978 E LARGËT…

Një seri mospërputhjesh dhe lëshimesh, gjetën revizorët në segmentin kyç – të dhënat për burimet pyjore.

Ministria e Bujqësisë nuk ka realizuar një inventar kombëtar të resurseve pyjore, një procedurë përmes së cilës do të sigurohen të dhëna për gjendjen e pyjeve. Këto janë të dhënat që ministria duhet t’i mbledhë, t’i regjistrojë dhe t’i udhëheqë në një bazë të vetme të të dhënave – thotë revizori duke shtuar se: Ministria e Bujqësisë dhe e Pylltarisë nuk ka themeluar dhe nuk ka mirëmbajtur një Kadastër të pyjeve dhe të tokave pyjore me qëllim të regjistrimin të pyjeve dhe të tokës pyjore.

Revizori konstaton se inventari i fundit i fondit pyjor në vend është realizuar në periudhën 1978 – 1982. Të gjitha këto lëshime në lidhje me “regjistrimin” dhe “përshkrimin” e tokës pyjore, sipas revizorit, ndikojnë në mënyrë të papërshtatshme në krijimin e politikave, strategjive dhe planifikimit të qëndrueshëm në këtë sektor.

Gjithashtu ka probleme me mungesën e stafit në policinë pyjore, e cila është  përgjegjëse për mbrojtjen e pyjeve.

Sektori i Policisë pyjore funksionon me 30 stacione të policisë pyjore, ku janë paraparë 439 vende pune, nga të cilat 375 vende ose 82% janë të plotësuara – thuhet në raportin e revizionit: Në sektorin e kontrollit të brendshëm janë paraparë tetë vende pune, por asnjë nuk është plotësuar .

 

BIZNESI ME DRUNJTË NËPËRMJET TREGTISË ILEGALE..

Një nga problemet kyçe në këtë sektor është prerja ilegale, thuhet në raportin e fundit të revizionit.

Në periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2016, në NP “Pyjet e Maqedonisë”, është regjistruar prerje e paligjshme e drurit prej 168.255 m3 – thuhet në raportin e fundit të revizionit, duke shtuar se në parqet kombëtare Galiçica dhe Mavrovë ka prerje ilegale minimale të regjistruar, kurse në NP “Pyjet e Maqedonisë” është evidentuar prerje më e madhe ilegale.

Është konstatuar se ka një konsum më të madh të druve për ngrohje nga familjet sesa masa e regjistruar e drurit”- thekson revizioni dhe shtron pyetjen se nga cilat burime plotësohet konsumi i drurit.

Me revizionin e kryer janë përfshirë disa institucione kompetente në këtë segment, si Qeveria, Ministria e Bujqësisë, Policia pyjore, NP “Pyjet e Maqedonisë”, Fakulteti i Pylltarisë, Inspektorati shtetëror i pyjeve dhe disa të tjera. Disa nga institucionet kanë dërguar vërejtje në lidhje me raportin e revizionit, me ç’rast disa nga këto vërejtje janë vlerësuar si informacion, kurse një pjesë janë refuzuar.

 

PREJ NJOFTIMEVE TË MËDHA, DERI NË FIJASKO – SI PËRFUNDOI PROJEKTI “DITA E DRURIT”…

Në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2016, projekti “Dita e drurit”, që mbante nënshkrimin e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, kushtoi 13.6 milionë euro. Në raportin e ri të revizionit, i cili e analizon gjendjen e pyjeve në vend, bëhet një analizë e veçantë i është bërë projektit që duhej të “gjelbëronte” Maqedoninë.

Në periudhën e analizuar, janë pyllëzuar 12,869 hektarë pyje me 39.189.860 fidanë. Nga shuma totale e shpenzuar në periudhën e synuar, nga buxheti janë siguruar 520.000 euro, 4.8 milionë janë fonde nga Programi për riprodhimin e zgjeruar të pyjeve, dhe 2.4 milionë euro është vlera e fidanëve të siguruar nga NP “Pyjet e Maqedonisë” dhe institucionet e tjera.

Ajo që është zbuluar në raportin e revizionit është se vetëm 21% e fidanëve të mbjella në fakt kanë mbijetuar.

Niveli mesatar i suksesit për sipërfaqen e përgjithshme të pyllëzuar prej 12.869 hektarësh është 21%, që është një përqindje e vogël, duke pasur parasysh se pyllëzimi konsiderohet i suksesshëm atëherë kur mbijetesa e fidanëve është ndërmjet 50% dhe 60%, në përputhje me standardet e vendosura në pylltari – theksojnë revizorët.

Projekti “Dita e drurit” u hoq në fund të vitit 2017 me vendim të qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja.

Në një mbledhje të qeverisë në vitin 2017, u përfundua se nuk është i dobishëm zbatimi i mëtejshëm i aksionit “Dita e drurit – mbjelle ardhmërinë tënde”, dhe për këtë arsye ndërpritet aksioni dhe Qeveria ka përfunduar se aktivitetet e ardhshme të pyllëzimit duhet të realizohen përmes Programit për riprodhim të zgjeruar të pyjeve të Ministrisë së Bujqësisë – thuhet në raportin e revizorëve.

Aksioni “Dita e drurit – mbjelle ardhmërinë e tënde”, filloi në gusht të vitit 2007, kur këngëtari i operës Boris Trajanov nxiti një projekt për mbjelljen masive të fidanëve në vendet e zhveshura dhe të shkretuara.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.