ANALIZË: Tatimi progresiv – thikë me dy tehe!

Foto: pixabay.com

 

Qeveria bën llogaritje, ndërsa një pjesë e ekonomistëve paralajmërojnë për efektet negative të tatimit progresiv për ata që kanë të ardhura mujore më të larta se 1.000 euro. A do të mbrohet klasa e mesme me reformën për rritjen e tatimit personal dhe a do të zvogëlohet dallimi ndërmjet të pasurve dhe të varfërve apo do të shkaktohet ndonjë efekt krejtësisht i kundërt? Këtë muaj duhet të fillojë debati për tatimin progresiv. Në këtë fazë është e qartë se zgjidhja e re do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm dhe se përqindja e tatimit personal do të rritet në 18% për ata që kanë të ardhura më të mëdha – mirëpo pyetja kyçe është se cili do të jetë pragu për tatim më të madh personal, transmeton Portalb.mk.

 

Shkruan: Aneta Dodevska

Tatimi më i madh personal do ta rrisë “ekonominë e zezë”!?

Të punësuarit në veprimtaritë konkurrente, gjegjësisht në profesionet që janë të paguara mirë jashtë vendit, do të jenë të prekur nga tatimi më i lartë personal, ndërsa efekti i fundit do të jetë – shpërngulja e tyre nga Maqedonia. Efekti i dytë negativ do të reflektohet drejtpërdrejtë në buxhet, duke e stimuluar “ekonominë e zezë”, gjegjësisht do të ketë zvogëlim të të hyrave që tani derdhen në buxhet si rezultat i tatimit personal nga kontratat autoriale dhe punësimet e përkohshme. Këto dy pasoja, sipas ekonomistëve, janë reale në qoftë se implementohet propozimi për rritjen e tatimit personal në 18% për njerëzit që kanë të ardhura më të larta se 1.000 euro. Praktikisht, sipas ekspertëve, kontestuese është lartësia e të ardhurave që duhet të tatimohen me përqindje më të lartë.

“Kjo që propozohet dhe flitet tani, për futjen e tatimit personal prej 18% për ata që kanë të ardhura më të larta se 1.000 еuro, praktikisht është operacion që një pjesë e qytetarëve të obligohen të paguajnë TVSH. Nuk futet tatim me përqindje progresive të tatimit personal, por TVSH për personat fizikë. Me këtë veprim mendoj se cak i qeverisë janë qytetarët që “luajnë” në bursë dhe ata që japin shtëpi dhe banësa me qira, e ky numër i qytetarëve nuk është i vogël. Bëhet fjalë për një shumë të madhe të parave që janë në qarkullim. Mirëpo, nga ana tjetër, me këtë zgjidhje do të goditen edhe një kategori tjetër e të punësuarve – ata me kontrata të përkohshme për punësim dhe ata që fitojnë nëpërmjet kontratave autoriale. Këtu do të paraqitet një kurth, gjegjësisht një rrezik, që qytetarët, për t’i ikur pagesës së tatimit më të madh, do të kalojnë në “ekonominë e zezë”. Në këtë rast, humbës do të jetë buxheti, i cili do t’i humbë paratë që tani derdhen në të si rezultat i tatimit personal” – thotë për “Portalb”-in, konsulenti dhe analisti ekonomik, Visar Ademi, transmeton Portalb.mk.

Një pjesë e afaristëve tashmë reaguan ndaj modelit të paralajmëruar për tatim progresiv, me qëndrimin se me këtë veprim do të goditen profesionet deficitare, si informatikanët, të punësuarit në veprimtaritë financiare, konsulentët. Kështu për shembull, në sektorin e informacionit dhe të komunikimeve, furnizimit me energji elektrike, veprimtarive financiare, sigurimeve, niveli mesatar i rrogave sillet ndërmjet 40.000 dhe 60.000 denarësh. Informatikanët tashmë dërguan kërkesë deri te qeveria që profesioni i tyre të përjashtohet nga zgjidhja e paralajmëruar ligjore.

“Të bisedojmë që të dëgjohet qëndrimi ynë dhe të gjejmë zgjidhje adekuate, e cila mund të krahasohet me vendet përreth nesh dhe vendet e botës, të cilat vazhdimisht e ndihmojnë këtë industri” – deklaroi para do kohësh Goran Popovski, kryetar i Këshillit drejtues të MASIT-it.

Tatimi progresiv u paralajmërua në Programin zgjedhor të LSDM-së, si masë e cila duhet t’i zvogëlojë dallimet e thella sociale dhe ekonomike në shoqëri.

“Reforma e tatimit në të ardhurat personal është program i qeverisë, dhe nëse është program i qeverisë, ajo do të realizohet. Ne nuk jemi implementues të verbër të gjërave që i kemi premtuar apo që janë shënuar në ndonjë dokument. Qëllimi është që me këtë të arrijmë efekte dhe mirëqenie për të gjithë. Esenca është se duam shoqëri të drejtë. Nuk mundet ai që merr 10.000 denarë rrogë dhe ai që merr 10.000 euro rrogë të paguajnë tatim të njëjtë” – konsideron kryeministri Zoran Zaev.

Të dhënat zyrtare nga institucionet kompetente e konfirmojnë këtë gjendje të dallimeve të mëdha në rroga. Vetëm 1,2 për qind e të punësuarve kanë marrë rrogë më të lartë se 40.000 denarë.

“Sipas lartësisë së neto rrogës mesatare, rreth 60 për qind e të punësuarve marrin rrogë ndërmjet 8.000 dhe 20.000 denarë, që është nën neto rrogën mesatare për vitin 2015. Përkundër kësaj, vetëm 16,2 për qind e të punësuarve kanë rrogë të barabartë ose më të madhe se sa neto rroga mesatare mujore. Nga ana tjetër, në kategorinë e të ardhurave më të larta mujore (mbi 40.000 denarë) bëjnë pjesë vetëm 1,2 për qind e numrit të përgjithshëm të të punësuarve” – thuhet në njërin nga raportet e BPM-së.

Këtë muaj duhet të fillojë debati publik rreth modelit për tatim progresiv. Fillimisht, ministri për financa, Dragan Tevdovski paralajmëroi se mendon që pragu për tatim më të lartë të jetë pak më shumë se 1.000 еuro. Këto ditë, zëvendës-kryeministri për çështje ekonomike, deklaroi se akoma janë duke u bërë analiza.

“Mendoj se duhet të bëhet një analizë dhe model matematikor që të shihet se cilat do të jenë dobitë nga tatimi personal, që gjithsesi do të vendoset në 18 për qind, mirëpo duhet të analizohet pragu. Kjo duhet të jetë një analizë e qëndrueshme dhe në këtë moment nuk mund të them se cili do të jetë pragu. Kur do të përfundojë analiza do të tregohet edhe vlera e pragut. Unë vetëm e hapa një dilemë se mos ndoshta 1.000 еuro është prag i ulët dhe mos ndoshta do t’i destimulojë të rinjtë që kanë arritur deri te ajo rrogë. Mendoj se duhet të kujdesemi për të kuadrot e reja me arsim të lartë dhe t’i stimulojmë të mbeten në vend. Duhet të kujdesemi edhe për klasën profesionale dhe të mos e ngarkojmë atë, si dhe të përforcohet klasa e mesme” – thotë Angjushevi.

Ekonomistët thonë se në esencë, tatimi progresiv ka për qëllim zvogëlimin e dallimeve ekonomike që duhet të çojë drejt një shoqërie më të drejtë, mirëpo theksojnë se ekziston mundësia që të rrezikohen edhe ata që tani në njëfarë mënyre janë klasë e mesme.

“Të ardhurat prej 1.000 eurosh nuk mendoj se janë tregues se dikush është i pasur. Veçanërisht nëse e dimë se vlera mujore e shportës konsumatore është 500 euro. Mund të na ndodhë që paratë e fituara të dalin jashtë vendit, në llogari jorezidente, për shembull, në Kosovë. Largimi i kapitalit nënkupton edhe atë që paratë e fituara në Maqedoni të investohen në vendet e huaja, që të evitohet pagesa e tatimeve më të larta”, thotë Ademi.

Sipas vlerësimeve të qeverisë, me tatimin progresiv do të jenë të prekur vetëm 2% e popullatës, të cilët, sipas vlerësimeve, kanë të ardhura mujore më të larta se 1.000 euro.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.