ANALIZË: Shkupi dhe Tetova me numrin më të madh të të papunësuarve – tregu i punës në vitin 2018!

 

Statistikat zyrtare në fund të vitit 2018 tregojnë se papunësia në nivel shtetëror po zvogëlohet. Megjithatë, dhjetëra mijëra qytetarë vazhdojnë të figurojnë si të papunë – në listën e punëkërkuesve pasivë ose aktivë. Sipas Agjencisë për punësim, nga numri i përgjithshëm i të papunësuarve, 55.989 janë maqedonas etnikë, 23.054 janë shqiptarë etnikë, 3.851 të papunë janë me kombësi turke dhe 5.687 janë romë. Shkupi dhe Tetova kryesojnë sipas numrit të qytetarëve që kanë status të të papunëve

 

Shkruan Aneta Dodevska 

Në fund të vitit 2018, apo në fillim të nëntorit, sipas të dhënave nga Agjencia për punësim, në tregun e punës janë regjistruar gjithsej 182.036 persona të papunë, prej të cilëve 91.485 janë të regjistruar se “kërkojnë punë në mënyrë aktive” dhe 90.551 si “persona të tjerë që kërkojnë punë “.. 

“Personi i papunë është i detyruar personalisht të paraqitet në Agjenci çdo 30 ditë dhe ta dëshmojë se kërkon punë në mënyrë aktive në muajin e fundit, ndërsa ‘personi tjetër që kërkon punë’ këtë e bën çdo gjashtë muaj. Personi i papunë (punëkërkuesi aktiv) merr pjesë në të gjitha programet dhe masat për punësim dhe shërbimet në tregun e punës që i realizon APRM-ja. Personi tjetër që kërkon (punëkërkues pasiv), vetëm regjistrohet në APRM (nuk ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë ose për t’iu ofruar punësim, etj.) dhe APRM-ja vetëm mund t’i japë informacion për gjendjen e tregut të punës” – thonë nga Agjencia për punësim e Republikës së Maqedonisë (APRM).

Në krahasim me muajin e parë të këtij viti, në tetor numri i përgjithshëm i të papunëve është zvogëluar për 10.066. Nga fillimi i vitit deri në fund të muajit tetor, nga numri i përgjithshëm i personave që nuk ishin më në listën e të papunëve, 2.707 janë punësuar, gjegjësisht kanë krijuar marrëdhënie pune, 2.576 janë larguar administrativisht nga evidenca në bazë ligjore dhe 774 janë transferuar në punëkërkues pasivë.

Gjatë periudhës së njëjtë, në listën e të papunëve janë bashkangjitur 5.351 persona të rinj të cilët e kanë fituar statusin e “të papunit”, ndërsa 2.955 prej tyre këtë status e kanë fituar për shkak se e kanë humbur vendin e punës.

 

Shkupi dhe Tetova kryesojnë për nga numri absolut i të papunëve… 

Numri i të papunëve është i shpërndarë në mënyrë të ndryshme në qytetet e vendit dhe sipas numrit absolut të regjistruar, Shkupi kryeson me 14.699 të papunë të regjistruar e pastaj vjen Tetova me 11.134 të papunë. Në listën e qyteteve me numrin më të madh të të papunëve janë edhe Kumanova, Gostivari, Prilepi.

 

Numri i të papunëve sipas qyteteve:  

Shkup              14 699

Tetovë             11 134

Kumanovë      9 282

Prilep              6 626

Gostivar          5 524

Manastiri         4 780

Mirëpo, këto janë numra absolute të papunësisë. Një pasqyrë tjetër për gjendjen e papunësisë fitohet nëse bëhet krahasimi i numrit të të papunëve në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë në komunë, gjegjësisht qytet. Kështu për shembull, në Berovë janë regjistruar 1.224 të papunë dhe në raport me numrin e banorëve (persona më të vjetër se 10 vjet), rezulton se çdo i 11-të banor është i papunë. Në Tetovë, të dhënat krahasuese tregojnë se çdo i 8-ti person është i papunë, në Dibër çdo i 13-ti, në Kumanovë dhe në Prilep çdo i 11-ti.

 

Struktura etnike e të papunësuare 

Nga numri i përgjithshëm i të papunëve – punëkërkues aktivë (91.485), sipas të dhënave të Agjencisë për punësim, 55.989 janë maqedonas etnikë, 23.054 janë shqiptarë etnikë, 3.851 të papunë janë me kombësi turke dhe 5.667 janë romë. Kështu duket struktura e përqindjes së të papunëve sipas përkatësisë etnike:

Maqedonas     61,1%

Shqiptar        25,2%

Turq               4,2%

Rom                6,2% 

Proporcionalisht, në qytetet në të cilat ka shumicë të popullsisë shqiptare ka edhe numër më të madh të të papunëve nga ky grup etnik, kështu që në Tetovë janë regjistruar 8,002 punëkërkues aktivë me përkatësi etnike shqiptare, ndërsa numri i maqedonasve të papunë është 2.703. Në Gostivar numri i shqiptarëve të papunësuar është 2.713, në Kumanovë 3.715 dhe në Dibër 620.

Të dhënat më të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se përqindja e papunësisë në tremujorin e tretë të këtij viti ka rënë në 20.8 për qind në krahasim me tremujorin e dytë kur ishte 21.1 për qind. Në fund të muajit shtator, në vend ka pasur 958.770 persona të aftë për punë, nga të cilët 759.445 kanë qenë të punësuar, ndërsa 199,325 persona kërkojnë punë.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.