ANALIZË: Revizioni në komunën e Sarajit!

 

Janë rregulluar vetura, mirëpo nuk ka dëshmi se ato kanë qenë zyrtare – të komunës. Nuk është përdorur evidenca elektronike e orarit të punës, kryetari i komunës nuk ka shpallur jostabilitet financiar, edhe pse ka pasur kushte për ta bërë këtë, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Këto janë një pjesë e konstatimeve në raportin e revizionit për komunën e Sarajit, i cili është një nga të parët që i publikoi Enti shtetëror për statistikë në fillim të vitit 2018. Është përfshirë revizioni i raporteve financiare së bashku me revizionin e harmonizimit të llogarive të buxhetit themelor për vitin 2016. Revizioni e përfshin periudhën kur kryetar i komunës ka qenë Bekim Murati.

Revizioni dha mendim të pafavorshëm për realitetin dhe objektivitetin e raporteve financiare për vitin 2016, si dhe mendim të pafavorshëm për harmonizimin e aktiviteteve, transaksioneve financiare dhe informatave me rregullativën relevante ligjore – thuhet në hyrjen e raportit të revizionit.

SI ËSHTË BËRË EVIDENTIMI I ORARIT TË PUNËS? 

Lëshime serioze, e madje edhe mosharmonizim me rregullativën pozitive ligjore është regjistruar në pjesën e sistemit për kontroll të brendshëm.

Në komunën e Sarajit nuk është vendosur sistem i kontrolleve të brendshme dhe nuk janë miratuar procedura për lëvizjen e dokumentacionit dhe sistem i ndjekjes dhe i kontrollit të dokumentacionit të kontabilitetit. Nuk është emëruar kontabilist përgjegjës dhe nuk ka të punësuar revizor të brendshëm” – thuhet në raportin e revizionit.

Revizori ka konstatuar edhe se dokumentacioni nuk ruhet në mënyrë adekuate, dhe thekson:

Konstatuam ruajtje joadekuate të dokumentacionit, me çka ato mund të shkatërrohen nga zjarri, vërshimet, e të ngjashme.

Nuk është mbajtur evidencë elektronike e orarit të punës.

Komuna ka sistem elektronik për evidencë të orarit të punës, mirëpo ai nuk ka qenë në funksion gjatë vitit 2016 e deri në momentin e revizionit, dhe për këto arsye është mbajtur evidencë me shkrim. Ajo nuk mbahet në mënyrë kronologjike gjatë ardhjes dhe shkuarjes së të punësuarve, por mbahet në nivel mujor, sipas ditëve dhe personave, ndërsa listat nuk janë të autorizuara nga ana e personit përgjegjës, që nuk jep besim në saktësinë e orëve të evidentuara të punës – theksojnë revizorët dhe potencojnë se të gjitha gjendjet e lartpërmendura nuk janë në përputhje me Ligjin për kontroll të brendshëm publik financiar.

JOSTABILITET FINANCIAR …

Te puna financiare, konkretisht në pjesën e shpalljes së jostabilitetit financiar, janë konstatuar lëshime të shumta dhe veprime që paraqesin shkelje të ligjit. Në fakt, edhe pse ligjërisht kanë qenë të plotësuara kushtet për shpallje të jostabilitetit financiar të komunës, kjo nuk është bërë.

Obligimet e evidentuara për vitin 2016 janë më të mëdha për 122% në krahasim me obligimet e njëjta të vitit 2015. Obligimet që janë marrë përsipër janë për 52% më të mëdha se sa të ardhurat e realizuara. Me revizionin është konstatuar se komuna e Sarajit në periudhën prej muajit korrik e deri në fund të muajit dhjetor ka obligime të papërmbushura prej mbi 60 ditësh që tejkalojnë 80% të të ardhurave të realizuara. Këto gjendje tregojnë se kryetari i komunës është dashur të sjellë Vendim për shpalljen e jostabilitetit financiar. Puna e këtillë e komunës krijon kushte për futjen e saj edhe më të thellë në borxhe – thuhet në raportin e publikuar të revizionit, me rekomandim se kryetari i komunës duhet të sjellë vendim të këtillë dhe në afat prej tre ditësh t’i njoftojë institucionet kompetente.

Pas kontrollimit të evidencës së kontabilitetit, janë konstatuar një sërë lëshimesh gjatë pagesave dhe gjatë evidentimit të tyre.

Rregullim i veturave në vlerë të përgjithshme prej 6.000 eurosh për të cilat nuk ka urdhëresë pune ose nuk është shënuar numri i regjistrimit të veturës që është rregulluar, me çka do të vërtetohej se shërbimi është kryer për veturë zyrtare të komunës – thuhet në raport dhe shtohet:

Mirëmbajtja e rregullt e harduerit dhe softuerit në vlerë të përgjithshme prej 2.800 eurosh për të cilën nuk është ofruar dokument nga i cili mund të konstatohet se ky shërbim është kryer. Mallra për organizimin e olimpiadës shkollore në vitin 2015 në vlerë prej 7.000 еurosh (ushqim, pije, materiale të shtypura propaganduese, pajisje sportive, angazhim i gjyqtarit…) për të cilat në faturat nuk ka nënshkrim për pranim dhe reprezentacion në vlerë prej 8.000 eurosh, për të cilën gjë komuna nuk ka sjellë akt dhe nuk mund të konstatohet se a është kryer shërbimi për nevojat e komunës.

Revizorëve nuk u janë prezantuar as dokumente me të cilat duhet të dëshmohet arsyeshmëria e shpenzimit të karburanteve të blera për veturat zyrtare në vlerë të përgjithshme prej 4.200 eurosh, duke theksuar se nuk janë përgatitur urdhëresa për shfrytëzimin e veturave për nevoja zyrtare.

Edhe pse revizori ka pasur vërejtje për punësimet në bazë të kontratës në vepër që në vitin 2009, me rekomandim që të respektohet ligji, megjithatë edhe me revizionin e ri vazhdon praktika e vjetër.

Në vitin 2015 dhe në vitin 2016 janë nënshkruar kontrata në vepër me tetë persona të cilët vazhdimisht kryejnë detyra pune të parapara me Rregulloren për sistematizim. Mënyra e angazhimit të këtyre personave nuk është në përputhje me dispozitat e Ligjit për marrëdhënie obliguese, i cili parasheh angazhim të personave në bazë të kontratës në vepër për kryerjen e punës njëherë – konstaton revizori.

Veprime serioze jokonsekuente janë konstatuar edhe në obligimin ligjor për realizimin e regjistrimit të inventarit, dhe me këtë rast është bërë regjistrimi i pajisjeve nëpër zyra, mirëpo në listat për regjistrim nuk është futur vlerat e kontabilitetit.

Nuk është bërë regjistrimi i mjeteve materiale, objekteve afariste dhe veturave në pronësi të komunës, parave dhe inventarit të imët, dhe për këtë arsye nuk mund të konstatohet se a ka dallime ndërmjet gjendjes faktike dhe asaj të kontabilitetit – thuhet në raportin e revizionit.

Në këto konstatime dhe rekomandime, nga komuna nuk janë dorëzuar vërejtje.

Nga ana e përfaqësuesit ligjor të komunës së Sarajit nuk janë pranuar vërejtje për Propozim-raportin e revizorit të autorizuar – shkruan në raport.


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *