ANALIZË: Referendum pa ngjyrë etnike – vendoset për ardhmërinë e të gjithëve!

Foto: Portalb- Printscreen

Përderisa kundërshtarët e referendumit pohojnë se Maqedonia hyn në fazën e kapitulimit dhe të vetëshkatërrimit, ndërsa mbështetësit se na hapet rrugë drejt integrimit euro-atlantik, ekspertët janë unanimë se këto janë momente historike për të ardhmen e vendit, ndërsa ata që bëjnë thirrje për bojkot duhet të përgjigjen në pyetjen “Cila është alternativa tjetër për vendin, pa anëtarësimin në BE dhe NATO?”. Disa nga analistët për “Portalb”-in thonë se presin që mbi 90% e votuesve shqiptarë ta mbështesin referendumin.

 

Përderisa kundërshtarët e referendumit pohojnë se Maqedonia hyn në fazën e kapitulimit dhe të vetëshkatërrimit, ndërsa mbështetësit se na hapet rrugë drejt integrimit euro-atlantik, ekspertët janë unanimë se këto janë momente historike për të ardhmen e vendit, ndërsa ata që bëjnë thirrje për bojkot duhet të përgjigjen në pyetjen “Cila është alternativa tjetër për vendin, pa anëtarësimin në BE dhe NATO?”. Disa nga analistët për “Portalb”-in thonë se presin që mbi 90% e votuesve shqiptarë ta mbështesin referendumin.

 

 

Shkruan: Aneta Dodoevska

 

 

FUSHATË – A JANË QYTETARËT MJAFTUESHËM TË INFORMUAR PËR MARRËVESHJEN E PRESPËS?

Pjesa më e madhe e qytetarëve janë të informuar sa duhet për Marrëveshjen me Greqinë dhe janë të vetëdijshëm për udhëkryqin historik në të cilin gjendet Maqedonia, konsiderojnë një pjesë e ekspertëve.

Mendoj se pjesa më e madhe e qytetarëve janë “për” referendumin, gjegjësisht se janë të informuar mjaftueshëm për të gjitha rrethanat dhe janë të vetëdijshëm për kontekstin historik dhe për rëndësinë e këtij referendumi. Mendoj se qytetarët gjithnjë e më shumë janë të vetëdijshëm edhe për disa politikanë që konsiderojnë se është moment për përfitime të politikës ditore. Mendoj se politikanët e tillë e kanë gabim – thotë Sulejman Rushiti, ish-politikan.

Pas javës së parë të fushatës së referendumit, analistët që i konsultoi “Portalb”-i thonë se në terren, në mungesë të fushatës të kundërshtarëve të referendumit, siç edhe pritet, dominon fushata e mbështetësve.

Ky çekuilibër nënkupton se ana pasive, me vetëdije ose pa të, e humb mundësinë për ta shfrytëzuar efektin që mund ta ketë fushata e organizuar mbi qytetarët në aspekt të mobilizimit të votuesve. Çdo fushatë pretendon që në mënyrë të organizuar të plasojë një porosi të caktuar dhe të nxisë emocione dhe sjellje të caktuar të publikut. Nëse situata mbetet e këtillë, mund të pritet që fushata mbështetëse, në qoftë se udhëhiqet ashtu siç duhet, ta maksimizojë efektin e saj mbi qytetarët e përcaktuar, por edhe mbi të papërcaktuarit për mbështetjen e referendumit – konsideron Marko Troshanovski nga Instituti për demokraci “Societas civilis”.

Ajo që mungon është përgjigja në pyetjen “Cila është alternativa për BE-në dhe NATO-n?”, të cilën duhet ta japin kundërshtarët e referendumit, thotë Goce Paçemski, ekspert për PR.

Fushata për referendumin, nëse mund të quhet ashtu, sipas meje është në kuadër të asaj që edhe mund të pritet. Mbështetësit e referendumit dominojnë në diskursin publik, ndërsa ata që janë kundër nuk kanë fuqi reale t’i imponojnë qëndrimet e tyre, të cilat në disa raste bile janë edhe joracionale. Në pjesën më të madhe, fushata që e zhvillojnë partitë në pushtet, Qeveria dhe Kuvendi – si propozues i autorizuar i referendumit, në mënyrë të kuptueshme i komunikojnë përfitimet për vendin dhe qytetarët që do t’i mundësojë pranimi i Marrëveshjes me Greqinë, në aspekt të anëtarësisë sonë në NATO dhe BE. Porositë janë të orientuara edhe kah dispozitat e Marrëveshjes që e garantojnë identitetin tonë, e ajo është mbrojtja e gjuhës dhe e kombit maqedonas, që gjithsesi i japin një dozë pozitive gjithë komunikimit. Nga ana tjetër, kundërshtarët e referendumit nuk arrijnë të përgjigjen në pyetjen logjike që parashtrohet, e ajo është pyetja për alternativën e mundshme të BE-së dhe NATO-s, gjegjësisht për sfidat dhe pasojat e mundshme me të cilat do të përballet vendi nëse nuk e pranon Marrëveshjen me Greqinë. Në gjithë këtë diskutim, me rëndësi kyçe është sjellja dhe porositë që vijnë nga faktori ndërkombëtar, i cili është shumë i qartë në mbështetjen e tij për Marrëveshjen me Greqinë, që konsideroj se do të jetë faktor vendimtar për suksesin e referendumit – thotë Paçemski.

Analisti Xhenis Sulimani konsideron se në fushatë më tepër duhet të theksohen përfitimet, e më pak të dominojnë akuzat.

Nuk mbahet mend fushatë politike në të cilën qytetari është në plan të parë. Partitë gjithmonë fokusohen në reklamimin e tyre. Mendoj se tepër fokusohen në akuzat dhe nuk koncentrohen në informimin e qytetarëve për përfitimet nga Marrëveshja me Greqinë dhe rëndësinë e saj, nëse ka sukses referendumi – konsideron Sulimani.

 

MBËSHTETJE PREJ 90% TË TRUPIT VOTUES SHQIPTAR?

Kushtëzimet e referendumit me çështje etnike dhe nacionaliste do të jenë humbëse, deklarimi në referendum për ardhmërinë e vendit nuk duhet të ketë ngjyrim etnik, vlerësojnë analistët.

Pyetjet e parashtruara kështu, përsëri e riprodhojnë prizmin etnik të shikimit të politikës nga e cila si shoqëri duam dhe duhet të ikim. Një shoqëri për të gjithë e nënkupton mu këtë, dhe vota shqiptare nuk duhet të jetë më pak e vlefshme. Nga ana tjetër, shantazhet me revizionet kushtetuese, bëhen nga parti margjinale, të cilat përveç kartës nacionaliste nuk kanë diçka tjetër për të ofruar, dhe sipas meje, as që kanë vizion për një shoqëri multietnike. Nëse BDI-ja është e sinqertë të marrë pjesë në një koncept të ri qytetar do të duhej të distancohet nga këto keqpërdorime, ashtu siç në fakt ka bërë deri tani. Përveç kësaj, çdo hap i pamenduar mirë, veçanërisht në drejtim nxitës etnik, do të ishte rrënim i qëllimshëm i procesit në një situatë edhe ashtu delikate rreth ndryshimeve kushtetuese dhe çdokush duhet të mbajë përgjegjësi – thotë Troshanovski.

Një pjesë e partive shqiptare dolën me “kushtëzime” për ta mbështetur referendumin, dhe kjo sipas disa analistëve është e papranueshme në momente të këtilla historike.

Partitë e kampit shqiptar e mbështesin referendumin, mirëpo një pjesë e tyre me kusht – në pritje të ndryshimeve kushtetuese ku do të kërkojnë ndryshime edhe për etnitetin shqiptar. Sa është i rëndësishëm elektorati shqiptar në procesin e referendumit? Mendoj se edhe te kampi shqiptar është e qartë se ky nuk është momenti i vërtetë për këtë dialog, gjegjësisht partitë politike shqiptare nuk mund ta vënë në pikëpyetje hyrjen në NATO dhe BE, me kushtëzime, e kjo do të thotë largim i Maqedonisë nga rruga eurointegruese, dhe hipotetikisht ose jo, ajo t’i bashkëngjitet aleancave të reja lindore. Ky do të ishte një rrezik i madhe për çdo parti, veçanërisht për partitë shqiptare, duke e pasur parasysh vullnetin e shqiptarëve – thotë Rushiti.

Analisti Sulimani pret mbështetje për referendumin nga pjesa më e madhe e votuesve shqiptarë.

Shqiptarët ishin elementi vendimtar edhe në krijimin e qeverisë së re. E njëjta pritet të ndodhë edhe për referendumin. Mirëpo, për një gjë nuk ka dyshim, mbi 90% e shqiptarëve do të votojnë ‘Për’ – thotë Sulimani.

Po kalon edhe java e dytë e fushatës së referendumit ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare mbeti në gjendje të “letargjisë”, pa porosi të qartë për anëtarësinë e saj se a ta bojkotojë referendumin apo të votojë “kundër”.

 

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.