ANALIZË: Punëtorët presin rrogë më të lartë minimale, biznesmenët dhe qeveria në pozicione të ndryshme!

Фото: pexels.com

Biznesi nuk është gati për një rritje të re të rrogës minimale, qeveria bën llogaritje, kurse biznesmenët paralajmërojnë rritje të mëtejshme të shpenzimeve që do të ndikojë në likuiditetin e sektorit privat. Veçanërisht reagojnë nga industria e tekstilit dhe e lëkurës – sektorë që janë më të prekur nga rritja e rrogës minimale, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Rroga më e lartë minimale – shpenzime më të larta…

Qeveria hyri në një proces të llogaritjeve dhe të konsultimeve me sektorin privat për rritje të re të rrogës minimale, e cila tani është 12,000 denarë. Sipas informatave fillestare, rritja do të jetë 1,000 denarë në bazë neto, por në bazë bruto, shpenzimet mund të rriten, reagojnë një pjesë e biznesmenëve.

Aktualisht nuk ka kushte për rritjen e rrogës minimale. As rritja paraprake e pagës minimale nuk është absorbuar dhe vështirë se do të bëhet. Vetëm u rritën rrogat minimale për shkak të presioneve ligjore, mirëpo nuk lëvizi spiralja, por u bë “nivelizimi pa kriter“.  Kjo është  rezultat i asaj se rritja e rrogave nuk është rezultat i rritjes së produktivitetit apo i mundësive reale të përmirësuara të kompanive në baza të ndryshme.  Kompanitë nga degët e industrisë me intensitet të lartë të punës u përballën me probleme të mëdha, ndërsa disa prej tyre kanë pushuar së punuari. Sidomos në industrinë e lëkurës, të këpucëve dhe të tekstilit, thotë MarijanaPerkovska nga Klasteri i tekstilit për “Portalb”-in, duke shtuar:

Gjithmonë në publik manipulohet me rritjen neto të rrogës, edhe pse ajo llogaritet në shumën bruto është në kurriz të kompanive, kështu që çdo rritje, në parim është 30% më e lartë se ajo që shpallet. Shpenzimet e kompanive rriten në çdo aspekt, edhe atë jo vetëm në pjesën e rrogave, ndërsa kursi i denarit mbetet i njëjtë.  Si është e mundur që me të hyra të njëjta të mbulohen shpenzime gjithnjë e më të mëdha? Nevojiten subvencione të përhershme ose kurs real i denarit që të absorbohet ky çekuilibër. Ndërhyrjet e rastësishme dhe të kohëpaskohshme nuk japin asnjë rezultat në afat të gjatë.

Një anketë e paradokohshme që e realizoi Delegacioni i ekonomisë gjermane tregoi se 40 për qind e firmave gjermane që kishin biznes në vend ishin të mendimit se këtë vit rroga minimale nuk duhet të rritet fare, ndërsa 40 për qind pranojnë vetëm rritje prej 3 deri 5 për qind. Madje 65 për qind e firmave thanë se rritja e rrogës minimale nuk është marrë parasysh në buxhetin e kompanisë së tyre, ndërsa 35 për qind e kanë paraparë këtë. Të dhënat nga ky hulumtim treguan se 90% e kompanive mendojnë se produktiviteti në vend është në nivel më të ulët se sa në vendet që janë konkurrenca e Maqedonisë në tërheqjen e kapitalit të huaj. Edhe ekonomistët paralajmërojnë për rritjen e shpenzimeve të kompanive në kushte të një ekonomie që ende është e brishtë për shkak të turbullirave dhe pasigurisë politike.

Përderisa flasim për rrogën minimale, siç qëndrojnë punët, mund të ndodhë që mos të kemi kujt t’ia japim atë. Përballemi me një problem të madh të mungesës së fuqisë punëtore në tregun e punës, njerëzit po largohen, kështu që me kalimin e kohës, diskutimi për rrogën minimale, madje edhe për rrogën mesatare prej 500 euroshdo të bëhet i neveritshëm. Kjo rrogë prej tridhjetë mijë denarësh, në këto rrethana, madje edhe pa marrjen e “masave shtesë” do të vijë vetvetiu për një periudhë prej dy-tre vitesh, ndërsa faktor kyç për këtë do të jetë pikërisht fuqisë punëtore, kuadrit profesional dhe të trajnuar. Sipas llogaritjes aktuale, rroga minimale është përcaktuar në shumën bruto dhe ajo është  17.170 denarë bruto ose 12.000 neto, dhe duhet të merret parasysh se me ndryshimin e taksave sociale, rroga minimale zvogëlohet me shumën bruto dhe për këtë arsye mendoj se është e gabuar qasja që paga minimale të vendoset në këtë mënyrë. Është çështje tjetër se çka do të thonë rroga minimale nga aspekti i shpenzimeve për kompanitë, unë nuk jam kundër rrogës minimale, por duhet të merret parasysh gjendja e ekonomisë, thotë ekonomisti Pavle Gacov nga Shoqata e këshilltarëve tatimorë, transmeton Portalb.mk.

Paratë nga buxheti për t’i mbështetur firmat…

Para se të merret vendimi për rritjen e re ligjore të rrogës minimale, qeveria njoftoi se do të bëhej një analizë e situatës, me ç’rast Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do t’i konsultojë punëdhënësit, por edhe përfaqësuesit e industrisë së tekstilit dhe të lëkurës – sektorë me intensitet të lartë të punës që absorbojnë një numër të madh punëtorësh.  Kryeministri Zaev njoftoi se qeveria do të marrë pjesë në mbulimin e një pjese të shpenzimeve të kompanive që lidhen me pagesën e rrogës minimale.

Ne kemi njoftuar synimin tonë, të gjithë ta dinë atë, sepse ne jemi qeveri me orientim të majtë, dhe mundohemi të ketë një shpërndarje të barabartë të produktivitetit dhe të ardhurave midis faktorit kapital dhe punëtorëve, me atë që shteti synon përmes rritjes së vazhdueshme të rrogës, të arrihet një efekt i përgjithshëm i rritjes së rrogave në vend, duke e hapur spiralin e rrogave, por jo duke i dëmtuar bizneset, gjegjësisht qëndrueshmërinë e tyre – deklaroi kryeministri Zoran Zaev duke njoftuar vendimin për rritjen e rrogës minimale edhe në këtë vit kalendarik.

Një vit e gjysmë më parë, qeveria, me ndryshime ligjore, e rriti rrogën minimale prej 10.080 denarë në 12.000denarë. Në pako me vendimin për rritjen e rrogës minimale, vitin e kaluar qeveria ndau 6 milionë euro para buxhetore për t’i mbështetur kompanitë për shkak të shpenzimeve të rritura për pagesën e rrogës minimale, por një pjesë e madhe e këtyre parave në fund të vitit nuk u shfrytëzuan. Vlerësimet e qeverisë ishin se rritja e pagave prej maksimum 2.000 denarëve për çdo punëtorë ose 16 për qind nuk do të ishte një barrë e madhe për biznesin, ndërsa nga ana tjetër do të ishte një përfitim i madh për rreth 130.000 punëtorë.  Masa për mbështetjen e shpenzimeve të rrogës minimale është pjesë e pakos për ndihmë ekonomike për kompanitë vendase, por disa biznesmenë thonë se ende nuk mund të flitet për efekte konkrete.

Për atë se cilat janë rezultatet dhe efektet e masave të qeverisë end është herët për të folur. Qëllimet janë pozitive, por nevojitet një periudhë prej së paku dy deri në tre vjet për t’i vlerësuar efektet e vërteta. Nëse këto masa nuk e lëvizin ekonominë e tërë, por vetëm disa subjekte juridike, qëllimi nuk është arritur – thotë Perkovska.

Maqedonia ishte njëra nga vendet e fundit në Evropë që e futi rrogën minimale – e përcaktuar si shuma më e ulët mujore e rrogës bazë që punëdhënësi është i detyruar t’ia paguajë punëtorit për punën e kryer për orar të plotë të punës dhe për normën e realizuar të punës.  Të drejtë për rrogë minimale, sipas dispozitave të Ligjit për rrogën minimale, kanë të gjithë punëtorët.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.