ANALIZË: (Jo) qëndrueshmëri: në 1 euro kredi e huaj –  vetëm 0,8 euro vlerë e re e krijuar!

Foto: pixabay.com

 

Vazhdon trendi i rritjes së borxhit të Maqedonisë, aktualisht borxhi publik është 5 miliardë euro, ndërsa borxhi i jashtëm bruto kap vlerën rekorde prej 8 miliardë eurosh. Me këtë rritje, shtrohet pyetja kryesore: për çfarë përdoren, ku përfundojnë paratë e borxhit, si dhe sa ndikon ritmi i huamarrjes në mënyrë adekuate në rritjen ekonomike? Nga viti 2010 deri në mars të këtij viti (2018), borxhi i jashtëm bruto është rritur për një shumë marramendëse prej 3,3 miliardë eurosh, njofton analiza ekonomike javore e Portalb.mk

 

BORXHI PUBLIK NË RRITJE – EKSPERTËT PARALAJMËROJNË PËR KUJDES

 

Fondet pensionale, bankat dhe kompanitë e sigurimeve janë kredituesit më të mëdhenj të Qeverisë, të cilët kanë blerë më shumë se 80 përqind të letrave shtetërore me vlerë. Gjegjësisht, kreditori më i madh në tregun vendor janë shoqatat pensionale me pjesëmarrje prej 37,10%, të cilave shteti ju ka borxh 558,5 milionë euro.
Më pas janë bankat me pjesëmarrje prej 36,07 % si dhe me letra në vlerë të blera që kushtojnë 543 milionë euro. Ndërsa borxhi ndaj kompanive të sigurimit është 109,5 milion euro.
Kështu që, në kuartalin e parë të vitit borxhi publik është 5,08 miliardë euro apo 47,2%. Si sasi absolute ai është në rritje, ndërsa si përqindje nga Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) është zvogëluar duke e pasur parasysh si ka qenë në fund të vitit 2017.

 Struktura e borxhit publik

 Borxhi publik i përgjithshëm        5,084 miliard euro

Borxhi i jashtëm                          3,479 miliard euro

Borxhi i brendshëm                    1,605 miliard euro

Në raportin e ri të Bankës Popullore është shënuar rritja e borxhit të jashtëm publik, i cili është pjesë e borxhit publik.

Në fund të tremujorit të parë të vitit 2018, borxhi i përgjithshëm publik ka qenë 48,2 % e PBB-së, që paraqet rritje prej 0,7 përqind në krahasim me tremujorin e kaluar. Në pjesën më të madhe, ndryshimi vjen nga rritja e borxhit të jashtëm (nga 31,7 % në 33,7%) dhe rënia e vogël e borxhit të brendshëm (nga 15,9 % në 15,2 % të PBB-së). Borxhi i përgjithshëm shtetëror në tremujorin e parë është rritur për 1,2% të PBB-së, ndërsa ulje prej 0,5 nga PBB-ja është vërejtur te ndërmarrjet publike – thuhet në raportin e fundit të Bankës Popullore.

Përderisa me borxhe të brendshme dhe të jashtme nxitet rritja e ekonomisë ndërsa në të njëjtën kohë nuk rrezikohet qëndrueshmëria financiare – marrja e borxheve është e arsyetuar, komentojnë ekonomistët për Portalb.mk.

Me fuqizimin e kapacitetit prodhues të ekonomisë vendore, jo vetëm që rritet oferta vendore e produkteve dhe shërbimeve me prejardhje vendore, por edhe ulet nevoja për rritje të importit. Me këtë, mbulohet jo vetëm nevoja e konsumit të brendshëm, por dhe krijohet një vlerë e re me të cilën mund të kthehen mjetet e huazuara dhe të mbulohen harxhimet nga huazimi i tyre, duke mos e rritur kështu trysninë fiskale si dhe duke mos marrë borxh të ri.
Gjithë këto vite ne e bëjmë të kundërtën, nuk investohet mjaftueshëm në rritjen e kapacitetit prodhues të ekonomisë vendore, nuk kemi zhvillim më dinamik ekonomik sepse pak investohet në përforcimin e kapitalit fizik dhe kapacitetit njerëzor, jo mjaftueshëm investohet në ndërtimin e objekteve infrastrukturore posaçërisht ato të komunikacionit rrugor, hekurudhor, ajror si dhe në telekomunikacion dhe sfera të tjera. Si pasojë, e kemi gjendjen aktuale, shkallë të ulët të rritjes ekonomike, nivel i ulët i konkurrencës në ekonominë vendore, deficit të rritur në këmbimin tregtar të jashtëm, deficit kronik në arkën e shtetit, ne vazhdimisht rrisim borxhin – komenton për Portalb.mk, profesori universitar, Sami Bislimi.

Në Strategjinë Fiskale 2019-2010 të posa botuar nga Qeveria, parashikohet rritje e mëtutjeshme e borxhit deri në 60% e PBB-së. Por kjo, sipas Qeverisë, do të zhvillohet në kushte rreptësishtë të kontrolluara, konkretisht, planifikohet që niveli i borxhit publik të mbahet në korniza të qëndrueshme, duke mos e prishur kështu qëndrueshmërinë fiskale.

Në afat të mesëm, pritet rritje e vogël e borxhit të përgjithshëm publik deri më 54,8% të PBB-së në vitin 2020 dhe më pas ulje në 53,8% të PBB-së në vitin 20121, gjë që është dukshëm ndër limitin e caktuar nivelin e borxhit publik në afat të mesëm dhe afat të gjatë. Në vitin 2018 dhe 2019 pritet intensifikim i investimeve në sferën e infrastrukturës rrugore, të cilat implementohen me hua me garanci nga shteti  shkruhet mes tjerash në dokumentin e Ministrisë së financave.

Borxhi i garantuar i ndërmarrjeve publike, gjegjësisht huaja pas të cilës qëndron si garantues Qeveria, arrin shumën prej 814 milion eurove.

 

TEMPOJA E HUAMARRJES DHE KU SHPENZOHEN HUATË

Sipas ekonomistëve, dy çështje janë me rëndësi: rritmi i borxh-marrjes dhe përgjigjja në pyetje ku shkojnë paratë.

Nga gjithë ai borxh i marrë në tregun financiar, ose nuk investohet sa duhet, ose nuk ka rezultate nga investimet, ose ekziston nivel i lartë i keqpërdorimit të mjeteve publike. Sipas të dhënave të tilla, borxhi i jashtëm bruto (publik dhe privat) në periudhën 2006 – 2017 është rritur për më shumë se tre herë, përderisa në mënyrë plotësuese edhe vlera e shtuar në periudhën e njëjtë është rritur për më shumë se dy herë. Vlera e përgjithshme margjinale – e shtuar në periudhën 2006 – 2017 është më e vogël nga sasia e borxhit të jashtëm, që domethënë se gjithsejtë për një hua prej 1 eurove jashtë, kemi rritje të vlerës së porsakrijuar për 0,88 euro. E gjithë kjo tregon se, vlera e shtuar e porsakrijuar është e pamjaftueshme për të mbuluar në kohë harxhimet nga mjetet e huazuara si dhe vet huan – shprehet profesor Bislimi.

Edhe të dhënat për huamarrje të jashtme, që i siguroi Portalb.mk, tregojnë një trend të rritjes. Borxhi i jashtëm bruto, në fund të tremujorit të parë të këtij viti arriti në shumën prej 8,3 miliardë euro ose 78,8% nga PBB-ja. Analiza krahasimtare e të dhënave që e bëri Portalb.mk tregon se nga viti 2010 deri në fund të marsit 2018, borxhi i jashtëm publik (duke i përfshirë të gjitha sektorë) është rritur për 3,3 miliardë euro.

      Lëvizja Bruto e borxhit të jashtëm  

 viti 2017        7,403 miliard euro

viti 2016        7,216 miliard euro

viti 2015        6,290 miliard euro

viti 2014        5,992 miliard euro

viti 2013        5,219 miliard euro

viti 2012       5,171 miliard euro

viti 2011        4,846 miliard euro

viti 2010        4,105 miliard euro

Nga borxhi i përgjithshëm i jashtëm, 2,88 miliardë euro i takojnë shtetit dhe atë, pjesa më e madhe 2,86 miliardë euro janë për detyrime afatgjate. Borxhi i jashtëm i Bankës Popullore është 369,5 milion euro, ndërsa e sektorit privat 2,23 miliardë euro. Rritje prej 300 milionë eurove ka edhe në borxhin privat edhe në borxhin e jashtëm publik.

 

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.