АNALIZË: Episod i ri i krizës politike – kah shkon ekonomia?

Foto: Nick Youngson

Ruajtja e stabilitetit politik, e për pasojë edhe e stabilitetit ekonomik, do të jetë sfidë kryesore në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh se analistët parashikojnë një episod të ri të krizës politike. Komentet e tyre në drejtim të asaj se zgjedhjet e shpeshta dhe kriza politike dukshëm ndikon mbi ekonominë lexoni në analizën javore ekonomike të Portalb.mk.

 

Shkruan Aneta Dodevska

Kriza e re politike do të fundosë ekonominë e cila përpiqet të këndellet pas ciklit zgjedhor të vitit të kaluar dhe pasigurisë së thellë politike – komentojnë ekonomistët për “Portalb”-in pasi nuk u arrit pragu i pjesëmarrjes së votuesve në referendum dhe u paralajmëruan zgjedhje të mundshme të reja të parakohshme parlamentare.

Njëkohësisht, Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 2.5% këtë vit, por paralajmëron se pritjet e tilla mund të rrezikohen nga prolongimi i procesit të reformave, nën ndikimin e një cikli të ri zgjedhor

 

PROGNOZAT NËN HIJE TË PAQARTËSISË POLITIKE 

Зачувување на политичката стабилност, а со тоа и на економската, ќе биде клучен предизвик во периодот што следува, со оглед на тоа што аналитичарите прогнозираат  нова епизода на политичка криза.

„Kriza e zgjatur politike, në veçanti zhvillimet e fundit pas referendumit (i cili e përfshin integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE si një variabël shtesë) dhe paralajmërimi për zgjedhje të reja e vë ekonominë e Maqedonisë midis çekiçit dhe kudhrës – aktiviteti i prolonguar i investimeve dhe rimëkëmbja modeste e sektorit të biznesit, i cili e priste zgjidhjen e krizës politike dhe të ardhmen evropiane, përsëri gjendet në paqartësi dhe pritje. Në këtë rast, situata është edhe më e komplikuar duke pasur parasysh se në këto kushte, do të ketë përmbajtje nga të gjithë agjentët ekonomikë, ndërsa nga ana tjetër efikasiteti i institucioneve, si dhe politikat/masat ekonomike që u ndërmorën dhe ndërmerren nga hartuesit e politikave do ta zvogëlojë efikasitetin e tij” – thotë profesori universitar Borçe Trenovski.

 

Qëndrim të ngjashëm ka edhe komuniteti afarist.

“Duke e pasur parasysh faktin se në prag të zgjedhjeve gjithmonë krijohet ambient që ndikon në klimën e biznesit dhe ekonominë në përgjithësi, ne si përfaqësues të komunitetit afarist shpresojmë se nuk do të krijohet ambient i trazirave politike ose i krizës politike. Kriza eventuale do të ishte katastrofale për ekonominë e brishtë të Maqedonisë. E dimë nga përvojat e kaluara se kur ka krizë politike, ajo detyrimisht reflektohet edhe mbi ekonominë në kontekst negativ” – thotë Milaim Ameti nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.

Inkurajon parashikimi i Bankës Botërore, e cila në Raportin e ri të rregullt për përparimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor thotë se pret rritje ekonomike prej 2.5%, me tendencë që këto përqindje të rriten edhe në vitet në vijim. Megjithatë, këto pritshmëri mund të rrezikohen nga zgjedhjet e mundshme të parakohshme dhe nga paqartësia që e sjellin.

“Nëse i shohim projektimet për ditët e ardhshme, ato ende janë pozitive dhe projektojmë rritje graduale deri në vitin 2020 deri në mbi tre për qind, por ka rreziqe të caktuara. Supozimet për vlerësimet tona bazohen në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE dhe momentin e reformave. Tani shtrohen pyetje  për shkak të zgjedhjeve të mundshme dhe kjo mund ta ngadalësojë procesin e reformave”, tha Marko Mantovaneli, drejtori i zyrës së Bankës Botërore në Maqedoni.

Një cikël i ri zgjedhor, zakonisht, nënkupton përmbajtje të sektorit privat dhe rritje të shpenzimeve në sektorin publik, komentojnë biznesmenët. Ata e pranojnë se zgjedhjet e reja të mundshme të parakohshme do të ndikojnë në rritjen e përgjithshme ekonomike.

“Kriza politike që ishte e pranishme në Republikën e Maqedonisë kishte një ndikim të konsiderueshëm në rritjen ekonomike të vendit, gjegjësisht në vitin 2017 Republika e Maqedonisë shënoi rritje prej vetëm 0.1%. Ne si Odë Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, kemi theksuar se arritja e rritjes së projektuar ekonomike prej 3.2% varet nga realizimi i investimeve kapitale, të cilat deri tani kanë qenë shumë të ulëta, dhe për këtë arsye besojmë se një krizë eventuale e re politike vetëm do ta vështirësojë ose do ta pamundësojë arritjen e rritjes së paraparë ekonomike prej 3.2%” – thotë Ahmeti nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

 

ZGJEDHJET DUKSHËM NDIKOJNË MBI EKONOMINË

Ciklet e shpeshta zgjedhore, dhe ambienti i përgjithshëm para dhe pas mbajtjes së tyre ndikojnë dukshëm në ekonominë e përgjithshme, dhe janë arsye për përmbajtje nga investimet nga njëra anë, por dhe për shpenzime të shtuara buxhetore nga ana tjetër, thonë ekonomistët. Profesori Trenevski nga Fakulteti Ekonomik ka marrë pjesë në analizën e ciklit politik të biznesit në Maqedoni, gjegjësisht a kanë ndikuar politikanët në ciklin parazgjedhor me ndihmën e gjimnastikës fiskale në buxhet në perceptimin e votuesve.

“Periudha që e analizuam ishte 8 vjet, gjegjësisht prej viti 2007 deri në vitin 2015, kur u mbajtën 5 cikle zgjedhore (3 zgjedhje parlamentare 3 dhe 2 zgjedhje lokale në dy rrethe). Rezultatet e konfirmuan tezën se në Maqedoni ka elemente të fuqishme të cikleve politike të biznesit – gjegjësisht u konfirmua ndikimi i konsiderueshëm i cikleve zgjedhore (efekti para zgjedhjeve) në: rritjen e PBB-së, rritjen e shpenzimeve, deficitin, konsumin publik, transferet e tjera/subvencionet, transferet sociale dhe shpenzimet kapitale, si dhe në zvogëlimin e të ardhurave publike (më pak dënime, kompensime, tatime). Kjo është me rëndësi të veçantë kur merret parasysh ndikimi i madh i shtetit në jetën ekonomike në Maqedoni nëpërmjet një sërë politikash dhe masash, gjë që në mënyrë plotësuese e shtrëngon trekëndëshin ndërmjet shtetit, politikës dhe subjekteve ekonomike, duke e ngushtuar me këtë rast hapësirën për sektorin privat dhe iniciativën e pavarur private” – shpjegon profesori Trenevski.

Pas rezultatit të referendumit më 30 shtator, disa analistë politikë vlerësuan se periudha e ardhshme sjell paqartësi të re politike. VMRO-DPMNE-ja opozitare ka deklaruar se nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese, me çka në skenë doli skenari i dytë – zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Përndryshe, vitin e ardhshëm duhet të mbahen edhe zgjedhjet e rregullta presidenciale, kur edhe mbaron mandati i dytë i kryetarit aktual, Gjorge Ivanov.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.