ANALIZË: Buxhet i madh, ambicie të mëdha – detaje për të hyrat kapitale!

Foto: pxhere.com

 

Për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore vitin e ardhshëm, është planifikuar të shpenzohen 84.5 milion euro. Për zonat teknologjike – industriale nga buxheti i ri janë rezervuar pak më shumë se 10 milionë euro. Në projektin strategjik të gazifikimit, në vitin 2019 duhet të investohen 25.4 milionë euro. “Portalb”-i shpalos detaje nga pjesa zhvillimore e buxhetit për vitin 2019, për çka dhe sa para do të shpenzohen nga mjetet e dedikuara për shpenzime kapitale.

 

Shkruan: Aneta Dodevska

 

GAZIFIKIMI, BANESA SOCIALE, INFRASTRUKTURË…

Ndërtimi shtesë dhe rikonstruksioni i ndërtesës së re të Ministrisë për Transport dhe Lidhje nuk gjendet në pjesën zhvillimore të buxhetit për vitin 2019. Sipas të dhënave nga dokumenti i propozim-buxhetit, vitin e ardhshëm përsëri janë planifikuar para për ndërtimin e banesave sociale në vlerë prej 5 milionë eurosh. Me buxhetin e rebalancuar për vitin 2018 kjo shumë tani është 4.2 milion euro.

Për ndërtimin e sistemeve të ujësjellësit dhe të kanalizimeve në komunat e vendit, vitin e ardhshëm do të shpenzohen 5.4 milion euro, për projektin për furnizim me ujë dhe largimin e ujërave të zeza, janë planifikuar 9.8 milion euro. Në buxhetin e ri përsëri gjendet zona industriale në Vizbeg, ku për ndërtimin e ujësjellësit dhe të kanalizimit qeveria planifikon fonde në vlerë prej 900 mijë euro.

Gazifikimi përsëri me shuma “milionëshe” është përfshirë në projektimet e reja të buxhetit ose për këtë projekt kapital janë planifikuar 24.5 milion euro.

Në kuadër të këtij projekti, është përfshirë ndërtimi i seksionit Kleçovc – Shtip, si dhe i pjesëve të tjera të projektit “Gazifikimi i Republikës së Maqedonisë – Faza 1 – Seksioni Shtip – Negotinë – Manastir dhe Seksioni Shkup-Tetovë-Gostivar” – thuhet në dokumentin e buxhetit.

Edhe vitin e ardhshëm, “infrastruktura hekurudhore” është prioritet në programet investuese të qeverisë.

Përmirësimi i vijës hekurudhore të Korridorit 10, Rehabilitimi i vijës hekurudhore të Korridorit 8 – seksioni Kumanovë – Beljakovc, Rehabilitimi dhe ndërtimi i hekurudhës së re të Korridorit 8 – seksioni Beljakovc – Kriva Pallankë, si dhe kompensimi i shërbimeve me interes publik në transportin hekurudhor të udhëtarëve”- shkruan në propozim-buxhetin për vitin 2019.

Këtë vit, shpenzimet kapitale për këtë qëllim, në lartësi prej 29.6 milionë eurosh “e mbijetuan” rebalancin e buxhetit, dhe në vitin 2019 shuma për investime në infrastrukturën hekurudhore arrin në 61.3 milionë euro.

 

SPITALE DHE KLINIKA NË SHKUP, SHTIP, KËRÇOVË…

Spitali i përgjithshëm në Kërçovë përsëri u gjet në buxhetin e ri për vitin 2019.

Qëllimi i këtij programi është rikonstruktimi i Spitalit të përgjithshëm në Kërçovë – faza 1 dhe faza 2, që do t’i përfshijë këto përmbajtje: qendër diagnostifikimi me trajtim, stacionar për të sëmurit, gjinekologji dhe obstetrikë, kirurgji, mjekësi interne dhe pjesë ambulatore – thuhet buxhet.

Vitin e ardhshëm, për realizimin e këtij projekti do të ndahen 2.2 milionë euro, thuhet në analizën javore ekonomike të Portalb.mk. Këtë vit me rebalancin e buxhetit, financat u zvogëluan në rreth 850,000 euro. Qendra e re klinike në Shkup dhe në Shtip sërish gjenden në buxhetin për vitin 2019. Për këtë projekt kapital për këto dy qytete, që është paralajmëruar një kohë të gjatë, vitin e ardhshëm janë ndarë 9.5 milionë euro.

Programi do të përfshijë ndërtimin e Qendrës së re klinike “Nënë Tereza” në Shkup, ku do të vendosen të paktën 25 klinika dhe disa institute, si dhe ndërtimin e spitalit të ri klinik në Shtip –  thuhet në dokumentin e buxhetit.

Këtë vit, me rebalancin e buxhetit, fondet janë zvogëluar në 4.6 milion euro, ndërsa paraprakisht ishin planifikuar madje 20.3 milion euro. Kompleksi klinik, njëri nga projektet më të rëndësishme të shëndetësisë, ngeci për shkak u problematizua vendi ku do të ndërtohej.

Në pjesën zhvillimore të buxhetit për vitin 2019, nuk ekziston fare projekti “kartela shëndetësore”, për të cilin, këtë vit do të ndahen për herë të fundit tetë mijë euro.

  

LIBRA, SHKOLLA, KONVIKTE STUDENTORE…

Edhe vitin e ardhshëm me para nga buxheti do të financohet projektin “Përkthimi i librave nga autorë me renome”,për të cilin qeveria planifikon të shpenzojë 650,000 euro, që është se sa këtë vit, kur ishin planifikuar mbi 800 mijë euro.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është përkthimi i 500 librave të reja profesionale dhe shkencore dhe tekstet shkollore që përdoren në universitetet më me renome në botë me qëllim që dukshëm të pasurohet fondi i mjeteve ndihmëse mësimore  – thuhet në buxhetin e ri.

Për ndërtimin dhe rikonstruktimin e shkollave fillore në vend dhe ndërtimin e sallave sportive në shkollat fillore në vitin e ardhshëm do të shpenzohen 10.2 milionë euro dhe në krahasim me vitin 2018, fondet janë dyfishuar, por pasi paraprakisht investimet kapitale në arsim u zvogëluan dukshëm me miratimin e rebalancit të buxhetit.

Për ndërtimin dhe rikonstruktimin e shkollave të mesme në vend dhe ndërtimin e sallave sportive në shkollat e mesme, në vitin 2019 janë planifikuar 2.1 milion euro. Këtë vit për këtë qëllim do të shpenzohen 1.5 milionë euro. Për rikonstruktimin e konvikteve për nxënësit në vend, qeveria, vitin e ardhshëm planifikon të shpenzojë pothuajse 500,000 euro, ndërsa për ndërtimin dhe rikonstruktimin e konvikteve studentore janë planifikuar 4 milionë euro. Pikërisht investimet në konviktet studentore “u goditën” nga rebalanci i buxhetit, me ç’rast financat për këtë qëllim u reduktuan në vetëm 1.6 milion euro.

 

ÇERDHE PËR FËMIJË DHE SHTËPI PLEQSH…

Për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e objekteve për mbrojtje të fëmijëve, ku bëjnë pjesë çerdhet dhe pushimoret, me buxhetin e ri për vitin 2017, qeveria propozon të shpenzohen 1.4 milion euro, ndërsa kjo shumë në dy vitet e ardhshme 2020 dhe 2021 duhet po rritet.

Për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e objekteve për mbrojtje sociale dhe shtëpitë e pleqve me buxhetin e vitit 2019, janë planifikuar mjete në vlerë prej pothuajse 400.000 eurosh, shumë kjo që është më e lartë se në buxhetin e ribalancuar të këtij viti, kur ishin paraparë 290.000 euro.

 

AMBICIE TË MËDHA PËR VITIN 2019 – A DO TË REALIZOHEN?

Viti që po kalon ishte dëshpërues në aspekt të realizimit të shpenzimeve kapitale. Nga 392 milionë eurot e parapara, deri në fund të muajit shtator janë realizuar vetëm 107 milionë euro, ose 27.43%. Pikërisht realizimi shumë i dobët i shpenzimeve kapitale ishte faktori kryesor për rebalancin e buxhetit. Me buxhetin e ri për vitin 2019, qeveria përsëri ka projektuar pozita të larta të shpenzimeve kapitale, të cilat në krahasim me këtë vit do të rriten për rreth 40 për qind.

Shpenzimet kapitale:

Buxheti i vitit 2018                                      392,0 milionë euro 

Rebalanci i buxhetit të vitit 2018                300,0 milionë euro

Buxheti i vitit 2019                                      426,0 milionë euro

Krijuesit e politikave ekonomike paralajmërojnë se viti 2019 do të jetë vit i suksesshëm ekonomik.

Me ndryshimet buxhetore për vitin 2019 paralajmërojmë një moment kthese në politikat ekonomike. Fokusin e fortë në integrimet euroatlantike e përforcojmë me buxhet për një ekonomi në rritje, për drejtësi sociale, për shërbime më të mira shëndetësore dhe për jetë më të mirë për të gjithë – tha kryeministri Zoran Zaev.

Vitin e ardhshëm arka e shtetit do të peshojë 3.7 miliardë euro dhe ky është niveli më i lartë historik. Përderisa pushteti buxhetin e vlerëson si zhvillimor dhe social, disa ekonomistë dhe afaristë u befasuan nga lartësia e shpenzimeve të planifikuara dhe paralajmëruan për kujdes në menaxhimin e parave, marrjen e huave në të ardhmen dhe nevojën për një mekanizëm për realizimin më të suksesshëm të investimeve kapitale në vitin kur Maqedonia përsëri do të përballet me një cikël zgjedhor – zgjedhjet presidenciale.

 

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.