АNALIZË: 2017 – Vit i humbur për investimet!

Foto: printscreen Portalb.mk

U realizuan parashikimet “e zeza” të një pjese të ekonomistëve, mirëpo edhe të biznesmenëve të vendit. Pas nesh e lëmë një vit të humbur për investime. Këtë e vërtetojnë edhe statistikat zyrtare – në tremujorin e tretë ekonomik përsëri është regjistruar trend negativ i investimeve bruto, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Në të njëjtën kohë, edhe matjet e Bankës Popullore treguan se në tremujorin ka largim të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në vlerë prej 50,2 milionë eurosh, shkruan në analizën javore ekonomike të Portalb.mk.

 

Investimet vendore dhe të huaja, rimëkëmbja e përgjithshme e ekonomisë, përforcimi i likuiditietit të ekonomisë, sipas paralajmërimeve të qeverisë, do të jenë çështjet prioritare të agjendës ekonomike për vitin 2018. Si do të zbatohet dhe si do të realizohet kjo?
Shkruan: Aneta Dodoveska

2018 – VENDIMTARE PËR INVESTITORËT E HUAJ DHE VENDOR

Ekonomia, e cila me këmbëngulje luftonte me krizën ekonomike, nga kriza akute u shndërrua në kronike, dhe nuk arriti t’i bëjë ballë presionit të ashpër të paqartësisë. Sipas vlerësimeve të një pjese të ekonomistëve, pasojat negative megjithatë dolën në sipërfaqe. Tremujori i tretë ekonomik përfundoi me përqindje minimale të rritjes ekonomike prej vetëm 0,2%, e duke i pasur parasysh rezultatet në dy tremujorët e tjerë (në të parin ka pasur stagnim 0%, ndërsa në të dytin – 1,3%), tashmë pritet që ky vit ekonomik, sipas analistëve, të jetë “i humbur”.
Të dhënat nga Enti shtetëror i statistikës tregojnë se në tremujorin e tretë investimet bruto kanë shënuar rënie prej 9,4%, ndërsa në tremujorin e dytë ato kanë qenë në minus me 18,6%, ndërsa në tremujorin e parë ekonomik ka pasur rritje prej 11,4%.
Trend negativ ka regjistruar edhe Banka Popullore. Në tremujorin e tretë ajo ka regjistruar largim të investimeve të huaja të drejtpërdrejta prej 50,2 milionë eurosh. Edhe në tremujorin e dytë ato kanë parashenjë negative, me largim të IHD-ve në vlerë prej 10,8 milionë eurosh, ndërsa në tremujorin e parë saldoja ka qenë pozitive me vlerë prej 111,6 milionë eurosh. Investimet, e vendit dhe të huaja, sipas paralajmërimeve nga qeveria do të jenë prioritet në vitin ekonomik 2018. Një pjesë e ekonomistëve thonë se përveç paqartësisë politike, mbi vendimet e firmave të huaja, këtë vit ndikim kanë pasur edhe paralajmërimet për ndryshimet e mundshme të politikave të deritanishme në lidhje me investitorët e huaj.

Paralajmërimet se do të rishqyrtohen kontratat e deritanishme me investitorët e huaj, në aspekt të përparësive dhe të beneficioneve që i gëzojnë, edhe më tepër do t’i dekurajojë investitorët e rinj potencialë. Me siguri, një pjesë e mirë e investuesve aktualë mendojnë për tërheqjen e kapitalit, e jo për investime të reja. Kjo është para së gjithash pasojë e paqartësisë, pasigurisë juridike dhe paparashikueshmërisë së ambientit dhe klimës ekonomike në të ardhmen e afërt. Zhvillimi i tillë i ngjarjeve, në aspekt të trendit rënës të investimeve të huaja të drejtpërdrejta (IHD) me siguri do të çojë edhe në rritjen e deficitit të llogarisë fiskale – thotë profesori universitar Semi Bislimi.

Nëse bëhet analizë krahasuese e treguesve për investimet e huaja të drejtpërdrejta, pothuajse është e sigurt se viti aktual 2017 sipas saldos së IHD-ve do të jetë në nivelin e vitit 2012, kur investimet e huaja të drejtpërdrejta ishin 131 milionë euro. Mu viti 2012 ishte viti më i dobët në dhjetë vitet e fundit. Nuk janë optimistë as treguesit për pjesëmarrjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Prodhimin e brendshëm bruto. Në tremujorin e dytë kjo pjesëmarrje ishte me parashenjë negative prej -0,5%. Në periudhën që kaloi, qeveria paralajmëroi se mbetet e përkushtuar ndaj politikave për tërheqjen e investimeve të huaja, mirëpo së bashku me rritjen e mbështetjes për biznesin vendor.

 

 ÇFARË HAPASH JANË NDËRMARR NË PERIUDHËN QË KALOI

Takime të rëndësishme me financues dhe kompani të huaja u realizuan në Samitin e nëntorit 16+1 që u mbajt në Budapest. Kryeministri Zoran Zaev realizoi takime me Dejvid Tang-un, kryetarin e “Huawei”-t për Evropën Qendrore dhe Lindore dhe vendet nordike.

Në takim i bisedua për perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit ndërmjet kompanisë Huawei dhe Republikës së Maqedonisë, për hapat e ardhshëm investues, mirëpo edhe për novacionet dhe teknologjitë e reja të mençura që i lancon kjo kompani. U konstatua se në Maqedoni janë krijuar kushte për zhvillimin e klimës stabile afariste dhe kushte të favorshme për investimet e reja, informuan nga qeveria.

Në Budapest u realizua takim edhe me menaxhmentin e kompanisë ”China Energy”. Edhe prej atje erdhi paralajmërimi për pjesëmarrje në disa projekte, veçanërisht në energjetikë dhe në transport.

Njëri nga nënshkrimet e para në kontratë me investitorët e huaj u vendos në fillim të këtij muaji. U nënshkrua marrëveshje për dhënie me qira të tokës ndërtimore në Zonën e lirë ekonomike Bunarxhik 2 me menaxherin e kompanisë Murat Tixharet, Ejup Gjylsoj.

Masat e Planit për rritje ekonomike janë transparente dhe me kritere të qarta për investitorët. Bëmë simulim të kontratave ekzistuese të cilat i kemi nënshkruar me kompanitë në ZZHTI dhe rezultatet janë inkurajuese. Të gjitha kompanitë që punojnë me sukses dhe zhvillohen do të mbështeten edhe më mirë. Për këtë qëllim qeveria në buxhetin e ri caktoi 46% më shumë mjete në Programin për zhvillim ekonomik për mbështetjen e investuesve, ndërsa shkurtohen shpenzimet joproduktive për reklama – deklaroi zëvendëskryetari i qeverisë për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Sipas të dhënave të qeverisë, deri tani janë realizuar takime, gjegjësisht është biseduar me 19 investitorë të rinj. Pikërisht aq edhe janë aktivë, gjegjësisht punojnë në këtë moment në zonat për zhvillim teknologjik industrial në vend.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.