A mundet kriza politike të jetë një mundësi për tejkalimin e ndarjeve etnike në Maqedoni?

Shkruajnë: Lura Pollozhani dhe Dane Taleski

Politika etnike është qendrore në Maqedoni. Shembuj nga qeveria e parë multi-etnike në 1992, protestat ndëretnike në 1997/8, konflikti që gati eskaloi në luftë civile në 2001, shpërthime të ndryshme të konflikteve më pak ose më shumë të dhunshme mes 2004 dhe 2016, duke përfshirë luftën e fundjavës në Kumanovë në 2015, tregojnë rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndëretnike për stabilitet dhe për zhvillimin e demokracisë. Nëse kriza politike vazhdon, atëherë demokracia në Maqedoni do të vazhdojë të gërryhet dhe do ti pengojë marrëdhëniet ndëretnike. Humbja e vlerave demokratike përkeqëson marrëdhëniet ndëretnike dhe hap mundësitë për instrumentalizimin e identiteteve etnike. Do të nevojitet shumë punë për të rindërtuar demokracinë në vend, dhe një strategji e qartë për të integruar grupet e ndryshme etnike dhe për të thyer ndarjen e fushave të pushtetit në vija etnike, do të jetë e nevojshme.

Në 2016, derisa shteti po përjeton pranverën e dytë, shpresat për ndryshim të sistemit janë në rritje. Kriza politike ofron një mundësi për të tejkaluar ndarjet etnike në Maqedoni dhe për të ndërtuar një shoqëri më të integruar. Deri më tani, shumica e partive politike kanë përdorur mobilizim etno-nacionalist dhe kanë stimuluar emocione për të fituar vota, ndërkohë duke anashkaluar çështje si papunësia dhe tharja e trurit (brain drain) që rezulton nga kjo, korrupcioni, dhe rënien e vazhdueshme të demokracisë. Pyetja është nëse partitë etnike maqedonase dhe partitë etnike shqiptare janë gati për t’u ofruar alternativa qytetarëve të tyre, apo nëse individë, me veprat e tyre, mund të stimulojnë reformulimin e marrëdhënieve ndëretnike?

Ndarjet etnike dhe kriza politike

Konkurenca mes partive politike ka mbetur kryesisht brenda bllokut etnik shqiptar dhe etnik maqedonas, dhe jo mes tyr. Ekziston një zonë gri në mes ku ka përpjekje për të mbyllur ndarjen etnike. Edhe pse ka parti të reja etnike shqiptare të cilat janë ndarë nga dy partitë më të mëdha, si Unitetei (parti e ndarë nga BDI) dhe Lëvizja për Reforma në PDSH (parti e ndarë nga PDSH), ato poashtu kanë mbajtur kritikat e tyre brenda bllokut etnik shqiptar dhe ndonjëherë kundër Kryeministrit të vendit. Për më tepër, ka një ndarje të fortë në diskursin politik mbi interesat etnike shqiptare dhe ato etnike maqedonase, e cila i përforcon ndarjet etnike. Ky dallim mes interesave etnike bëhet i qartë nëse shqyrtojmë krizën politike.

Dy partitë më të mëdha shqiptare nuk duan të mbështesin protestat, ndërsa Lëvizja për Reforma në PDSH organizoi protesta shqiptare të ndara, duke vendosur të veprojë ndryshe nga partitë tjera opozitare shqiptare. Këto parti argumentojnë se Zoran Zaev dhe SDSM nuk kanë pasur sukses që të fitojnë simpatinë dhe as besimin e shqiptarëve. Nëpërmjet kampanjës “E vërteta për Maqedoninë” SDSM u mundua që të tundojë shqipëtarët me përkthimin e pllakateve, por kurrë nuk treguan se e kuptojnë elektoratin shqiptar apo shqetësimet e tyre. Por, duhet të theksohet se Z. Zaev u ka bërë disa thirrje shqiptarëve për t’iu bashkangjitur protestave. Deri më tani, një numër i partive më të vogla (psh. Lëvizja Besa, RDK) kanë mbështetur protestat zyrtarisht, dhe disa prej anëtarëve më të spikatur të Unitetit janë bashkangjitur poashtu. Prapëseprap, bojkoti nga ana e partive më të mëdha, protestat e ndara dhe mbështetja gjysmake e partive më të vogla tregon se partitë shqiptare dhe elektoratet e tyre vazhdojne të mos kenë besim në opozitën. Në anën tjetër, partitë shqiptare nuk arrijnë të pranojnë se roli dhe pozicionimi i tyre gjatë krizës do të jetë një tregues për ardhmërinë e këtij grupi etnik në Maqedoni.

Trendi i fundit i etiketizimit të protestave si “protestat e maqedonasve” në mediat sociale dhe gjetkë, nga partitë politike shqiptare dhe nga elektorati i tyre, është një trend shqetësues. Ky zhvillim tregon se ka një keqkuptim të thellë të situatës si rezultat i ndarjeve etnike. Këto etiketizime paraqesin nocionin se ka ndryshim mes problemeve të shqiptarëve dhe të maqedonasve, dhe protestat e Lëvizjes për Reforma në PDSH ishte një përfaqësim i qartë i kësaj pamjeje. Duke marrë parasysh që ky ndryshim mund të jetë i aplikueshëm në lidhje me diskriminimin dhe përfaqësimin e grupeve minoritare, nuk është i aplikueshëm në lidhje me korrupsionin e gjerë dhe rënien e demokracisë, të cilat janë çështjet kundër të cilave po protestohet. Fakti që shqiptarët në Maqedoni ndihen si pjesë eksterne e këtyre problemeve tregon që Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe reformat që ndoqën atë, kanë bërë shumë pak që të integrojnë shqiptarët me të vërtetë. Në fakt, retorika e partive etnike shqiptare është vërtetim se segregacioni ka vazhduar dhe se zbatimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit është vetëm plotësim i kutive të nevojshme.

Perspektivat në të ardhmen: Të protestosh apo mos protestosh?

Nëse partitë etnike shqiptare nuk iu bashkëngjiten protestave dhe nuk i japin mbështetje të fortë sundimit të ligjit dhe restaurimit të demokracisë, atëherë ato dobësojnë potencialin e tyre të ardhshëm politik. Do të vazhdojnë që të jenë të kyçur në sistemin e ndarjes së pushtetit (power-sharing); por, ka shumë gjasa që kjo të jetë pro-forma, ashtu siq është tani. Edhe pse deri tani partitë shqiptare kanë përmbushur dëshirat e komunitetit ndërkombëtar, kjo bëhet në rrezikun e largimit dhe të huajzimit nga elektorati i tyre. Komuniteti të cilin ata pretendojnë që e përfaqësojnë është i trajtuar si i jashtëm dhe si rrjedhojë, periferik. Më së keqi, qytetarët janë të privuar nga fuqia e tyre vepruese në favor të pritjes të zgjidhjes të problemeve të tyre nga partitë në një ambient ku të gjitha partitë kanë vërtetuar që bëjnë të kundërtën.

Nëse shqiptarët, si individ, vendosin që të marrin pjesë në protesta në numër më të madh, do të ketë dy përparësi të mëdha në të ardhmen. Së pari, duke marrë pjesë në protesta, shqiptarët do të zhvillojnë një njohuri më të thellë se si kriza aktuale politike ndikon jetët e tyre; dhe së dyti, do t’u ofrojë shqiptarëve fuqi negociuese në të ardhmen. Duke marrë pjesë në protesta, shqiptarët do të mund të argumentojnë se edhe ata ishin në rrugë, duke protestuar për një shtet më demokratik dhe për ndryshime politike. Shqiptarët mund të mbajnë pozicionin se ata ishin partner të barabartë. Ndonëse ata nuk do të mund të ndryshojnë udhëheqjen e partive etnike maqedonase, dhe as të ndryshojnë politikën e tyre, ata do të mund të ndryshojnë pozitën e shqiptarëve. Do të fitojnë më shumë pronësi mbi protestat dhe do të rrisin kapacitetin për të ndikuar në ndërtimin e agjendave. Nëse shqiptarët marrin pjesë në protesta, atëherë partitë më të mëdha (BDI she PDSH) do të rikonsiderojnë rolin dhe pozitën e tyre në krizën aktuale. Për shembull, BDI mund të vendosë të lërë qeverinë; ose, BDI dhe PDSH mund të deklarojnë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e qershorit; ose do ti bashkëngjiten protestave. Kjo do të fuqizonte forcat që shtyjnë drejt ndryshimeve demokratike në Maqedoni. Atëherë kriza do të ridefinohej. Ndarja kryesore do të ishte mes forcave politike që përleshen për të mbajtur regjimin e korruptuar dhe autoritar në njërën anë, dhe në anën tjetër do të ndodheshin forcat politike që luftojnë për rikthimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Në këtë moment, BDI dhe PDSH pretendojnë që rrinë në mes, ndërsa bashkëpunojnë me regjimin.

Për shqiptarët ka qenë gjithmonë e rëndësishme që të konsiderohen si qytetarë të barabartë. Tani, ata e kanë mundësinë që të fitojnë këtë status vet, si individ, pa ndërmjetësues. Pronësia është diçka e fuqishme: ndjenja e të pasurit interes në këtë situatë tregon përkatësinë në shtet, diçka që nuk lejon më trajtimin si qytetarë të klasës së dytë. Është shumë e rëndësishme për shqiptarët të kenë një zë në një tavolinë që favorizon integrimin e tyre në ardhmërinë e Maqedonisë, dhe jo vazhdimin e ndarjes etnike të fushave të pushtetit.

Këtu shfaqet zona gri ku ndarjet etnike janë/mund të tejkalohen. Kjo hapësirë mund të përmirësojë marrëdhëniet ndëretnike, por deri tani ka qenë e okupuar vetëm përkohësisht nga partitë politike. Partitë e reja politike shqiptare, të cilat akoma nuk janë testuar në zgjedhje, kanë potencialin të ndërtojnë një urë mes ndarjeve etnike nëse nuk përvetësojnë politika shumë nacionaliste apo etnike. Por, këto parti, siq duket, janë më afër logjikës së partive të mëdha: të ruajnë centralitetin e politikave etnike. Në përgjithësi, këto parti, për fat të keq, kanë rezultuar si kopje të këqija të partive më të mëdha. Për shembull, në intervista udhëheqësi i Lëvizjes për Reforma në PDSH ka pasur pozita më nacionaliste se BDI, duke mbajtur një pozicion pothuajse identik me PDSH. Në bllokun maqedonas, Levica, një parti e re, duket shumë e ndjeshme në lidhje me përfaqësimin e diversitetit etnik, ndërsa SDSM ka bërë disa tentative për të tejkaluar ndarjet etnike, por me pak sukses.

E ardhmja e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni nuk duket e qartë. Ka dy drejtime dhe dy aktorë të rëndësishëm. Drejtimet janë ruajtja e ndarjeve etnike dhe tejkalimi i të njëjtave. Aktorët janë qytetarët dhe partitë politike. Në këtë moment, duket se janë qytetarët ata që kanë fuqinë të krijojnë marrëdhënie të reja ndëretnike dhe të ridefinojnë hapësirën dhe retorikën publike. Mënyra për të arrirë këtë rezultat është duke marrë pjesë në protesta dhe duke krijuar një të tashme -nëse jo një të ardhme- ku të gjithë qytetarët e Maqedonisë ndajnë fatin e shtetit dhe punojnë së bashku në ndërtimin e të ardhmes demokratike të tij si qytetarë të barabartë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.